KOSOVA SI KARREM PËR “VESTERNIZIMIN” E SERBISË - Gazeta Express
string(44) "kosova-si-karrem-per-vesternizimin-e-serbise"

Gazeta Express

03/10/2020 10:13

KOSOVA SI KARREM PËR “VESTERNIZIMIN” E SERBISË

Gazeta Express

03/10/2020 10:13

Duhet të jetë e qartë se në Kosovë nuk mund të qeveriset duke u konfrontuar me Uashingtonin zyrtar dhe e dyta, nuk ka më përkrahje bianko për Kosovën, pasi Serbia paraqet interes shumë më të madh strategjik për SHBA, nëse Serbia lëvizë drejt atlantizmit.

Milazim KRASNIQI

Lexo Edhe:

Marrëveshjet e 4 shtatorit 2020 në Uashington, në të cilat Kosova dhe Serbia nënshkruan zotime për bashkëpunim ekonomik, me ndërmjetësinë dhe mbikëqyrjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ka efekte shumë më largvajtëse se sa ajo që u proklamua me atë rast. Efektet e tilla nuk mund të lexohen as në tekstet e marrëveshjeve, por ato mund të mirren me mend, nga mënyrën se si janë arritur dhe nga mënyra se si planifikohet të zbatohen. Fjala vjen, ardhja e një delegacioni të gjerë, të kryesuar nga ambasadori Riçard Grenelli, në Prishtinë e në Beograd, vetëm tre javë pas takimit të Uashingtonit, me ç’rast filloi konkretizimi i projekteve, tregon se kjo është një kauzë me prioritet për administratën e Trampit. E pakta në këtë fazë. Sikundër që edhe mënyra si janë arritur marrëveshjet është specifike, sepse është bërë në stilin e një presidenti jokovencional, i cili në shumë raste çuditë edhe vetë Amerikën, me mënyrën se si i merr vendimet e tij.

Efektet e marrëveshjeve

Kjo mënyrë e arritjes së marrëveshjeve, në mënyrë jokonvencionale, i ka nxjerrë Kosovën e Serbinë nga istikamet dhe i ka futur në një binarë ku lëvizja është njëdrejtimëshe dhe me shpejtësi që më parë konsiderohej e pamundshme. Pas këtij zhvillimi, as Serbia e as Kosova nuk do të mund të kthehen në pozicionet e mëhershme të statu quosë, më saktë nuk do të mund të dalin jashtë kornizës së vendosur nga marrëveshjet e firmosura. Pra, zotimet janë dhënë e janë marrë në raport me SHBA-në, gjë që në njërën anë ua lehtëson pozicionin, në sytë e qytetarëve të vet, ndërsa në anën tjetër ua pamundëson që t’i bien mohit një obligimi që kanë ndaj SHBA-së.  Marrëveshjet e 4 shtatorit 2020 mund të kenë efekte indirekte edhe në rendin ndërkombëtar dhe në mënyrën se si në të ardhmen do të tentohet të zgjidhen krizat e ndryshme lokale, rajonale po edhe globale. Prandaj, kjo marrëveshje kërkon të analizohet në këto kontekste e jo vetëm në germat e saj.

E para që duhet të mbahen në vëmendje në këtë analizë është prirja dhe politika e protagonistit të saj, presidentit amerikan Donalld Trampit. Ai ka ardhë në pushtet me sloganin, “Amerika e para”, me çka e ka bërë të qartë se interesat amerikane do të jenë mbi interesat e multilateralizmit, globalizmit, kozmopolitizmit. Politika amerikane e drejtuar me këtë slogan, do të anashkalojë organizata ndërkombëtare si OKB, OSBE, OBSH, etj., siç do të anashkalojë e injorojë edhe procese e marrëveshje, që nga ngrohja globale, tërheqja unilaterale nga marrëveshja me Iranine deri te anulimi i financimit për Organizatën Botërore të Shëndetësisë, në pikun e pandemisë. Pra, edhe në planin e gjetjes së zgjidhjeve për krizat e ndryshme, Trampi ka adoptuar një politikë ku SHBA tenton të gjejë/imponojë zgjidhjet në mënyrë unilaterale, në pajtim me sloganin “Amerika e para.” Të tilla janë edhe marrëveshjet e 4 shtatorit.  

Po qe se shikohet kjo politikë unilaterale në një konteskt më të gjerë, mund të thuhet se Trampi ka ardhë në krye të SHBA-së, si pasojë e një bote të ndryshuar, ku organizatat ndërkombëtare kanë dështuar në rastet më të shumta, duke përfshirë edhe rastin e Kosoëvs, ku shihet dihet intervenimi i NATO-s është bërë pa miratimin e Këshillit të Sigurimti të OKB-së.  Shembulli më i freskët është Organizata Botërore e Shëndetësisë, e cila nuk pati guxim ta adresojë përgjegjësinë e Kinës për përhapjen e pandemisë së virusit korona. Pra, në një botë të ndryshuar, ku në vend të organizatave ndërkombëtare tradicionale janë shfaqur akterë arrogantë, si Kina, Rusia dhe organizata të shumta terroriste anëkend globit, Trampi ka ardhë në pushtet për t’u përballë SHBA me këto ndryshime.

Në një tekst autorial më 9 nëntor 2016, kam parashikuar lidhur këtë zhvillim: Mund të priten këto zhvillime: 1. Promovimi i izolacionizmit dhe fuqizimi i grupeve sociale, politike e intelektuale me orientime islamofobike, ksenofobike, raciste e antifeministe. 2. Partneriti i ri i SHBA- ve me Rusinë (me Britaninë jashtë BE-së) mund ta rikthejë partneritetin e tipit Ruzvelt-Stalin- Çerqill dhe një rikonfigurim i interesave të këtyre tri fuqive. 3 Injorimi i Gjermanisë dhe Francës, për ta gjunjëzuar, (ose rizgjuar) BE-në, por gjithsesi me një BE të margjinalizuar. 4. Frenimi i ambicieve ekspansioniste e proteksioniste të Kinës, veçmas ndaj tregjeve amerikane. 5. Amerika Latine do të jetë nën presion të tmerrshëm, veçmas Meksika. 6. Sferat e influencës në Lindjen e Mesme do të rindahen mes SHBA e Rusisë, duke nxjerrë jashtë loje dokrinën e deritashme Sykes-Pikot. 7. Sa i përket Ballkanit, mund të rritet ndikimi i Rusisë edhe më shumë, pra Serbia mund të rifuqizohet. (9 nëntor 2016)  Pra, parashikimi im ishte se do të kishte ndryshim të politikave, për një botë që tashmë ishte edhe vetë e ndryshuar, për keq.  

A po ndryshon edhe Serbia

Në këtë botë të ndryshuar, sigurisht është edhe Serbia e Vuçiqit, e cila me marrëveshjen e Uashingtonit është konfirmuar si vend në një proces ndryshimi dhe afrimi fillestar me Uashingtonin. Marrëveshja e Uashingtonit është brenda kuadrit të politikës “Amerika e para”, duke e përfshirë Serbinë në një proces të ri të partneritetit me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, gjë që është surpriza e asaj marrëveshjeje. Afrimi i SHBA me Serbinë është me rëndësi të madhe gjeopolitike, sepse aspiron dobësimin dhe më tutje eliminimin e influencës ruse në Serbi, si edhe frenimin e prezencës ekonomike kineze në atë vend. Pikat e Marrëveshjës që flasin për diversifikimin e gazifikimit të Serbisë dhe për përjashtimin nga tregu serb dhe ai i Kosovës, të firmave të dyshimta, duke nënkuptuar Huavejin kinez, në rend të parë, janë të qarta në këtë aspekt. Kjo nuk ka të bëjë direkt me bashkëpunimin ekonomik Kosovë-Serbi, po ka të bëjë me afirmimin e interesave amerikane në këto dy shtete. Realisht, Kosova është përdorë si karrem për ta afruar Serbinë në këtë marrëveshje, që është fillimi i afrimit të saj gjeopolitik me SHBA-në. Është e qartë edhe në këtë rast se politka e Trampit është unilaterale dhe jo brenda skemave të njohura të diplomacisë amerikane, e cila në njëzet vitet e fundit Serbinë e ka trajtuar me shumë dyshime dhe duke e mbajtur nën presion. Pra, nga Marrëveshja e Uashingtonit na rezulton se fuqizimi i Serbisë tashmë është projektuar nga vetë SHBA, duke e planifikuar Serbinë në sferën perëndimore, pra, duke e shkëputur nga ndikimi rus. Besoj se kjo është arsyeja pse i janë dhënë shumë pika të forta të marrëveshje, siç është rasti me Liqenin e Ujmanit, fjala vjen, si inkurajim që të afrohet me Uashingtonin. Kësodore, Marrëveshja e Uashingtonit ka filluar procesin e shkëputjes së Serbisë nga tutela ruse dhe fillimin e afrimit të saj me aleancën SHBA-në. Qysh tash shihet kjo në disa nga pikat, si ajo për bartjen e ambasadës së Serbsië në Jerusalem dhe dënimin e Hezbollahut si organizatë terroriste. Të dyja këto pika janë në kundërshtim me qëndrimet e Moskës zyrtare. Sigurisht që iniciativa e Trampit është edhe si pasojë e dobësisë së madhe të OKB dhe të BE-së në rastin e Kosovës dhe të Ballkanit Perëndimor.

Nxjerrja e Kosovës nga bllokimi

Sa i përket Kosovës, vendimmmarrrja në Këshillin e Sigurimit të OKB është e bllokuar nga vetoja ruse e kineze, ndërsa në Bashkimin Evropian, Kosova trajtohet në mënyrë diskriminuese, nga shkaku që pesë shtete të BE-së nuk e njohin Kosovën (Greqia, Qiproja, Rumania, Sllovakai e Spanja.) Duke e vlerësuar që ky bllokim nuk mund të hiqet, administrata e Trampit ka kërkuar një rrugë alternative, atë të “bashkëpunimit ekonomik”, me çka SHBA është rikthyer me një rol të ri në raportet ndërmjet Kosovës e Serbisë. Tash për tash i ka nxjerrë nga loja OKB-në, BE-në, Rusinë dhe Kinën. Natyrisht, ato mbetën të preokupuara e me mandate të cakuara (OKB e BE) por do të jenë në defansivë në raport me Uashingtonin zyrtar, i cili ka hyrë si ndërmjetës dhe si arbitër i marrëveshjeve. Përveç për ta zëvendësuar paaftësinë e OKB-së dhe të BEsë, veprimi energjik në raportin Kosovë-Serbi, mund të ketë të bëjë edhe me përvojën e hidhur amerikane në Siri, ku Rusia u fut dhe faktikisht e nxori nga skena SHBA-në. Tentativë ka pasur nga Rusia edhe në Malin e Zi dhe në Maqedoninë e Veriut, ku vetëm falë angazhimeve të momenteve të fubdit nga SHBA, u shmangen skenarët e gjakderdhjeve dhe të nxitura nga Rusia. SHBA e kanë pasur para sysh se po qe se Serbia do të rifutej në skenarë krizash, penetrimi rus do të ishte i pashmagshëm dhe afatgjatë.

Sa i përket Kosovës, fitorja e saj taktike është që ka dalë nga bllokimi ku ishte me vite dhe nga izolimi ku e kishte futur Bashkimi Evropian. Por, në shumicën e pikave të marrëveshjes së Uashingtonit, Kosova ka pozicion të pafavorshëm, nga ajo që u tha më lart, nga synimi amerikan, që Kosova të përdoret si karrem për ta afruar Serbinë me Uashingtonin.

Termat e kësaj marrëveshjeje u japin mundësi drejtuesve të Kosovës të kuptojnë se koha e përkrahjes bianko tashmë ka kaluar dhe nuk kthehet më. Në fakt këtë gjë e kemi sugjeruar në vitin 2017, por drejtuesit e Kosovës jo vetëm që nuk e kanë kuptuar, por në disa raste, kanë zhvilluar politika konfrontuese me Uashingtonin zyrtar. Kjo ndodhi nga ish kryeminsitri Haradinajl lidhur me taksën 100% mbi mallrat serbe dhe nga ish kryeminstri Kurti, lidhur me takimin në Uashington. Të dy u detyruan të linin karriget kryeministrore, për të njëjtën arsye. Prandaj, duhet të jetë e qartë se në Kosova nuk mund të qeveriset duke u konfrontuar me Uashingtonin zyrtar dhe e dyta, nuk ka më përkrahje bianko për Kosovën, pasi Serebia paraqet interes shumë më të madh strategjik për SHBA, nëse Serbia lëvizë drejt atlantizmit. Më 13 janar 2017 po në revistën “Shenja” kam pasë shkruar: “Sinjalet janë që qeveria e Trampit më nuk do t’i ofrojë askujt përkrahje bianko, as Bashkimit Evropian, as shteteve anëtare të NATO-s e as shqiptarëve në Ballkan. Prandaj edhe ne shqiptarët duhet të ndryshojmë sjelljen e të mendojmë si të bëhemi partner vërtet i besueshëm, e jo të mbetemi vetëm objekt që kërkon ndihma e siguri amerikane bianko.”

Faktikisht, kjo doli të jetë e saktë. Se a e kanë kuptuar të gjithë drejtuesit politikë në Kosovë, mbetet të shihet. Nga reagimet e paar emocionale shihet se e pakta Albin Kurti nuk e ka kuptuar, pasi ai ka deklaruar se nëse vjen në pushtet, nuk do të zbatojë Marrëveshjen e Uashingtonit. Kurti duhet ta kuptojë, nëse synon të qëendrojë në politikë, bashkë me të gjithë të tjerët në Kosovë, se këtë gjë mund ta thuash, por edhe po ta thuash, nuk mund ta bësh. Pse? Sepse me Marrëveshjen e Uashingtonit Kosova ka marrë obligime të cilat nuk mund t’i injorojë, e ku detyra e parë e saj është që të participojë që Serbia të shkëputet nga ndikimi rus dhe të mbahet  në procesin e vesternizimit.