Sportistët kosovarë kanë shkëlqyer në ditën e parë të Kampionatit Mesdhetar në karate, duke e renditur Kosovën të dytën në mesin e 16 shteteve pjesëmarrëse.
Në total, Kosova fitoi nëntë medalje – pesë të arta, dy të argjendta dhe dy të bronzta – duke i tejkaluar edhe sfidat politike që kanë të bëjnë me mosnjohjen e pavarësisë së Kosovës nga shteti spanjoll.
Ylli i ditës ishte Lanika Rexhepi, e cila me një paraqitje brilante arriti të sigurojë medaljen e artë. Ajo tregoi vendosmëri, teknikë të përsosur dhe shpirt garues që i dha krenari gjithë ekipit kosovar atje.
Suksesi i saj u prit me entuziazëm të madh nga delegacioni kosovar, duke e bërë Lanikan simbol të përkushtimit dhe pasionit për karate.
Krahas Rexhepit, medalje të arta siguruan edhe Prijam Gashi, Aid Curri, Korab Gashi dhe Suela Arifi, ndërsa Rion Bahtiri dhe Blerand Osmani u nderuan me medalje argjendi. Lijana Iseni dhe Dea Hasanaj u ngjitën në podium me medalje bronzi.
Në mesin e 582 garuesve nga 16 shtete, Kosova konkurron me një përfaqësim të gjerë prej 48 sportistësh, në gara individuale dhe ekipore. Rezultati i arritur në ditën e parë është mjaft pozitiv, të psqyruara edhe në faqen zyrtare të Federatës së Karatesë së Kosovës.
Kosova, pas ditës së parë të garave, u rendit pas nikoqires, Spanjës. Edhe sot Kosova po kërkon medalje të reja. /GazetaExpress/