Juristja e mediave në Kosovë, Flutura Kusari ka reaguar pasi Kosova ka shënuar përparim në Indeksin Botëror të Lirisë së Shtypit të Reporterëve.
Kusari, përmes një postimi në profilin e saj në rrjetin social Facebook, ka thënë se kjo ka ndodhur pasi Gjykata Kushtetuese ka shfuqizuar ligjin kundërkushtetues për Komisionin e Pavarur për Media.
Ajo, ka renditur edhe disa arsye se përse sipas saj ky është një lajm fantastik.
Kosova është përmirësuar në indeksin e lirisë së shtypit të RSF-së, pasi Gjykata Kushtetuese ka shfuqizuar ligjin kundërkushtetues për Komisionin e Pavarur për Media.
Ky është një lajm fantastik për disa arsye:
1. E konfirmon që eksperimenti i qeverisë për të draftuar dhe miratuar ligje pa përfshirjen e sektorit të mediave, pa konsultim dhe me nxitim, në procedura të përshpejtuara pak para vitit të ri, duke shpërfillur opinionin ligjor të Këshillit të Europes dhe Bashkimit Europian ka qenë i rrezikshëm dhe e ka dëmtuar vendin tonë jashtëzakonisht shumë në rangim botëror.
2. E konfirmon që sistemi gjyqësor është mbrojtësi më i madh i lirisë së shprehjes dhe lirisë së mediave në pesë vitet e fundit. Është shtylla ku ne mbështetemi sa herë që jemi të atakuar nga pushteti ekzekutiv.
Poashtu, gjyqësori lavdërohet në veçanti nga RSF pasi që rastet e gazetarëve i trajton si prioritet [falë Strategjisë së KGJK-së për përmirësimin e qasjes në drejtësi].
Ky përmirësim në rangim është meritë 100% e sistemit gjyqësor.
Shpresoj që Lëvizja Vetëvendosje të reflektojë dhe, në tentativën tjetër për draftimin e ligjit, kurdo që vjen ai moment politik, t’i përmirësojë të gjitha gabimet që i ka bërë e që e kanë shkatërruar reputacionin e vendit tonë në nivel global.