Kosova së shpejti me raportim mbi cilësinë e ajrit në kohë reale nga 12 stacione monitoruese në tërë Kosovën - Gazeta Express
string(108) "kosova-se-shpejti-me-raportim-mbi-cilesine-e-ajrit-ne-kohe-reale-nga-12-stacione-monitoruese-ne-tere-kosoven"

Kosova së shpejti me raportim mbi cilësinë e ajrit në kohë reale nga 12 stacione monitoruese në tërë Kosovën

Gazeta Express

11/11/2020 19:14

Projekti për Cilësinë e Ajrit do të sigurojë që të gjithë kosovarët të kenë qasje në informacione të sakta dhe të besueshme për cilësinë e ajrit, të cilat mund të përdoren për përmirësimin e shëndetit dhe zvogëlimin e ndotjes

Prishtinë, 11 nëntor 2020 – U mbajt konferenca e parë me vendimmarrësit për cilësinë e ajrit, organizuar nga Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik (IKSHP) dhe Fondacioni i Mileniumit i Kosovës (MFK). Mbledhja e të gjithë akterëve kryesorë u bë me qëllim të rritjes së bashkëpunimit dhe koordinimit më të mirë për përmirësimin e cilësisë së ajrit në vend. Me këtë rast, u prezantuan elementet e fushatës përmes së cilave qytetarët do të kenë mundësi që rregullisht të kontrollojnë cilësinë e ajrit, si dhe të jenë në gjendje të marrin vendime në bazë të këtyre informatave të cilat do të jenë aktuale dhe të sakta, të siguruara nga 12 stacione për monitorimin e ajrit në tërë Kosovën.

Lexo Edhe:

Fushtata mbarëkombëtare për vetëdijësim për cilësinë e ajrit është planifikuar të fillojë në fund të muajit nëntor në Kosovë me qëllim që të informojë publikun në lidhje me rreziqet ndaj shëndetit të shkaktuara nga ndotja e ajrit dhe masat që duhet t’i ndërmarrin për t’a mbrojtur veten, kështu duke ndryshuar shprehitë e tyre dhe duke bërë përpjekje për të zvogëluar nivelin e ndotjes, veçanërisht gjatë stinës së dimrit.

“Projekti për Cilësinë e Ajrit është një nga investimet tona konkrete për krijimin e një sistemi të qëndrueshëm dhe modern të të dhënave, për të rritur transparencën e institucioneve dhe komunikimin me publikun. Bashkëpunimi i ngushtë me IKSHPK dhe IHMK po luan rol të rëndësishëm në arritjen e këtij qëllimi.” – u shpreh gjatë fjalës hyrëse në konferencë Petrit Selimi, Drejtor Ekzekutiv i MFK.

Sarah Olmstead, Drejtoreshë e MCC për Kosovë, e veҫoi këtë projekt nga të tjerët duke u shprehur: “Ky është ndër projektet që më pëlqen më së shumti, jo vetëm që ndërlidhet me projektet e tjera të energjisë, por edhe për faktin që iu mundëson qytetarëve të kenë kontroll mbi nivelin e cilësisë së ajrit dhe të marrin vendime në përputhje me rrethanat.

Portali për Cilësinë e Ajrit, aplikacioni mobil dhe nënfaqja e CA në ueb-faqen e IKSHP janë disa nga mjetet interaktive, të zhvilluara nga projekti për cilësinë e ajrit, të cilat do t’i vihen në dispozicion të publikut në masë të madhe, duke iu mundësuar atyre kontrollimin e niveleve të ndotjes së ajrit.

Dr. Antigona Ukehaxhaj, e vlerësoi lartë mbështetjen që MFK po i ofron IKSHPK-së në kohën kur Kosova po përballet me cilësi shumë të dobët të ajrit. “Përmirësimi i qasjes së qytetarëve në informata të fushës së mjedisit është tejet e rëndësishme në rritjen e pjesëmarrjes së publikut në vendimmarrje, si dhe në cilësinë dhe zbatimin e tyre. 

Kurse Letafete Latifi, Drejtore e Institutit Hidrometeorologjik te Kosoves (IHMK) vlerësoi përfitimin që u sjell projekti për Cilësinë e Ajrit qytetarëve të Kosovës: “Projektet e tilla sjellin afër njëri tjetrit të gjithë komponentet për të ndihmuar në trajtimin e ndotjes së ajrit, dhe përfitues te këtyre aktiviteteve nuk jemi vetëm ne Insitucionet e Kosovës nëpërmjet përmirësimit të performancës së punës tonë, por janë të gjithë qytetarët e Kosovës të cilët në mënyrë të drejtpërdrejt përfitojnë nga ҫdo hap pozitiv i ndërmarrë në këtë drejtim.”

Akterët u dakorduan të jenë në koordinim të plotë në realizimin e aktiviteteve për përmirësimin e cilësisë së ajrit, duke bërë të ndërmerren masa konkrete si nga institucionet ashtu edhe nga vet qytetarët. Ndër të tjera, do të angazhohen në promovimin e fushatës, përmes së cilës do të lansohen produkte që do të kontribuojnë në krijimin e një sistemi të besueshëm të informatave mbi ajrin në Kosovë, kështu duke iu mundësuar qytetarëve të kuptojnë më mirë dëmet shëndetësore që shkakton ndotja e ajrit, si dhe masat që ata duhet t’I marrin për të ndryshuar shprehitë e tyre në mënyrë që të zvogëlojnë nivelin e ndotjes së ajrit në vend. Kjo fushatë është njëra nga aktivitetet kryesore brenda fushëveprimit të projektit “Furnizimi i Menaxhimit të Projektit, Menaxhimit të Informacioneve për Cilësinë e Ajrit, Ndryshimin e Sjelljes dhe Shërbimet e Komunikimit”, mbështetur nga Korporata e Sfidave të Mileniumit (MCC) dhe MFK, implementuar nga NIRAS. MFK mbetet e përkushtuar për t’a ndihmuar Institutin Kombëtar të Shëndetit Publik (IKSHP) dhe Institutin Hidrometeorologjik të Kosovës (IHMK) në mbledhjen dhe shpërndarjen e informacioneve për cilësinë e ajrit. Me emrin “CILËSIA E AJRIT”, projekti ka për qëllim përmirësimin e disponueshmërisë publike dhe përdorimin analitik të të dhënave mjedisore nga bizneset, qeveria, shoqëria civile dhe OJQ-të, duke promovuar në këtë mënyrë vendimmarrjen e nxitur nga të dhënat.