Importi i madh e ka vendosur Kosovën në një pozitë të pafavorshme ekonomike, me një deficit të lartë tregtar. Ky bilanc negativ tregtar po vazhdon ta dëmtojë vendin, kur kihet parasysh niveli i ulët i eksporteve të Kosovës si pasojë e mungesës së subvencioneve dhe politikave jo të favorshme për prodhuesit vendorë, theksojnë këta të fundit.
Importi ka shënuar rritje të theksuar gjatë pesëmujorit të parë të vitit 2025, ndërsa është ulur vlera e mallrave të eksporteve gjatë kësaj periudhe krahasuar me muajt e njëjtë të vitit të kaluar.
Përveç kësaj, mallrat e Serbisë janë rikthyer fuqishëm në tregun e Kosovës këtë vit, pas një uljeje në vitet e fundit. Kosova ka tejkaluar dyfishimin e importit të produkteve me origjinë serbe në pesëmujorin e parë të këtij viti krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2025.
Sipas të dhënave zyrtare të Doganës së Kosovës, vendi ynë nga Serbia, vetëm për pesë muajt e parë të këtij viti ka importuar mallra në vlerë 91 milionë euro apo 49 milionë euro (116 për qind) më shumë se në periudhën e njëjtë të vitit të kaluar që ishin 42 milionë euro.
Ndryshimi i masës së sigurisë nga kufizimi i plotë, në kontroll të shtuar ka përshpejtuar rrjedhën e mallrave serbe në Kosovë.
Ndërkaq, marrëdhëniet tregtare mes Kosovës dhe Gjermanisë janë duke u thelluar gjithnjë e më shumë nga viti në vit.
Gjermania, sipas të dhënave të Doganës së Kosovës, është partneri i parë i Kosovës sa u përket importeve në kohën janar-maj, e cila këtë vit ka lënë Turqinë në vendin e dytë me një diferencë të vogël.
Dogana e Kosovës në një përgjigje, bënë të ditur se 12.7 milionë euro ka rënë vlera e eksportit të mallrave të Kosovës gjatë pesë muajve të parë të këtij viti, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Ndërkaq, vlera e importit është rritur afro 380 milionë euro nga janari deri në maj të vitit 2025, krahasuar me periudhën përkatëse të vitit 2024.
Referuar të dhënave të Doganës së Kosovës, në muajt janar-maj 2025, vlera e eksportit nga Kosova është mbi 356 milionë euro, derisa në këtë periudhë të vitit të kaluar ishte rreth 369 milionë euro. Derisa diferenca në këto shifra kalon shifrën prej 12 milionë euro.
Në anën tjetër, vlera e importit në pesë-mujorin e parë të këtij viti është mbi 2 miliardë e 760 milionë euro, derisa në janar-maj 2024, kjo shifër ishte mbi 2 miliardë e 380 milionë euro.
Arsyet e rënies së eksportit dhe rritjes së importit vlerësohen ndryshe nga ekonomistët.
Njëra palë thekson ndikimin e politikës dhe mungesën e bashkëpunimit me sektorin privat, ndërsa pala tjetër i atribuon këto zhvillime dobësive strukturore në ekonomi, përfshirë bazën e dobët prodhuese, mungesën e inovacionit dhe boshllëqet në tregun e punës.
Ish-kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Safet Gërxhaliu potencon se arsyet kryesore të rënies së eksportit dhe rritjes së importit lidhen ngushtë me ndërhyrjen e politikës në ekonomi dhe mungesën e bashkëpunimit me sektorin privat.
Ai vlerëson se agjenda politike në Kosovë po e ngulfat zhvillimin ekonomik, ndërsa mungesa e dialogut dhe partneritetit publiko-privat po e dobëson seriozisht sektorin prodhues.
“Është vërtetë një realitet i hidhur i krijuar në Kosovë, ku agjenda politike është duke dominuar. Një agjendë politike që po e ngufatë zhvillimin ekonomik dhe ekonomia në Kosovë po përjeton forma të ndryshme të dështimit, duke u nisur që nga mungesa në dialog dhe partneritetit publiko-privat. Duke filluar një arrogancë e pushtetit përballë sektorit privat…Për fat të keq, kjo kronologji apo vazhdimësi e rënies së eksportit të Kosovës është duke u evidentuar nga viti në vit, në veçanti në tri-katër vitet e fundit. Vetë fakti që tani kemi një rënie prej minus 12 milionë euro të eksportit dhe kemi një rritje enorme të importit, e dëshmon më së miri efektin e shkatërrimit të sektorit privat në Kosovë. Nuk ka dialog të mirëfilltë, tentohet vetëm të paralizohet sektori privat, nuk ka motivim që të jetë më kreativ, më inovativ”, potencon Gërxhaliu.
Në anën tjetër, drejtori Programor në Institutin Riinvest, Visar Vokrri thotë se rënia e eksporteve dhe niveli i lartë i deficitit tregtar në Kosovë lidhen kryesisht me sfida të thella strukturore në ekonominë e vendit.
Ai thekson se një nga arsyet kryesore është baza e dobët prodhuese, e cila sipas tij kufizon kapacitetin e Kosovës për të eksportuar në mënyrë konkurruese.
“Arsyet pse ne e kemi këtë deficit të lartë tregtar, sfidat janë të karakterit strukturor. Duke filluar prej bazës prodhuese në Kosovë. Pastaj besoj që edhe investimet jo të kënaqshme në inovacion, kërkime dhe zhvillim në sektorin privat, boshllëqet në tregun e punës e faktorë të tjerë të ngjashëm kanë bërë që ne ende mos të jemi mjaftueshëm konkurrues në tregjet e eksportit”, thotë Vokrri.
Ndërkaq, sipas Gërxhaliut, për të ndalur trendin negativ në eksport, Kosova ka nevojë për stabilitet politik.
Ai thekson gjithashtu nevojën për përmirësim të imazhit të vendit përmes një diplomacie aktive politike dhe ekonomike, në mënyrë që sipas tij të largohen sanksionet ekonomike.
“Kosova ka nevojë për një stabilitet politik. Në rend të dytë Kosova duhet të përmirësojë imazhin përmes një diplomacie aktive politike dhe ekonomike, që të hiqen apo të largohen sanksionet ekonomike. Në rend të tretë duhet të jetë më aktive në promovim të investimeve. Nuk mund të jemi atraktiv për investitorë të huaj në qoftë se nuk bëjmë më tepër për sektorin privat dhe prodhuesit vendor”, thekson Gërxhaliu.
Prodhuesit në Kosovë, vazhdimisht iu kanë bërë thirrje institucioneve të vendit që të krijojnë politika të favorshme fiskale për të rritur eksportin.
Krahas rritjes enorme të importit, deficiti tregtar gjatë muajve janar-maj 2025 është thelluar në 2.4 milliardë euro.
Krahas kësaj, top tri shtetet e para që Kosova pranoi importe në muajt janar-maj të vitit 2025 janë Gjermania me rreth 384 milionë euro, Turqia me 381 milionë euro, pasuar nga Kina me mbi 329 milionë euro. Pas këtyre, tri shtetet e tjera që sjellin mallra në Kosovë janë Shqipëria, Italia dhe Maqedonia e Veriut.
Sipas statistikave të Doganës së Kosovës dërguar për KosovaPress, gjashtë shtetet e para të cilat pranuan eksport nga vendi ynë gjatë këtyre muajve janë Maqedonia e Veriut me mbi 54 milionë euro, pastaj Shqipëria me mbi 52 milionë euro, pasuar nga Gjermania e Zvicra. Ndërkaq, në vendin e pestë është Mali i Zi, e cila në pesë-mujorin e këtij viti pranoi mallra nga Kosova në vlerë prej afro 21 milionë euro.
Në vitin 2024, Kosova shënoi një rekord historik për import të vlerës së mallrave.
Gjatë vitit të kaluar, Kosova ka eksportuar mallra në vlerë vetëm 889 milionë euro, ndërsa, për herë të parë ka importuar 6.38 miliardë euro brenda një viti.
Në vitin 2023 vlera e eksporteve ka qenë 819 milionë euro, importi po ashtu 5 miliardë 878 milionë euro.
Në vitin 2022 eksportet kanë qenë 920 milionë euro, importet 5 miliardë e 639 milionë euro, më 2021 ishin 755 milionë eksporte, kurse importet 4 miliardë e 684 milionë euro.
Më 2020, vlera e eksporteve ishte 474 milionë euro, ndërsa 3 miliardë e 296 milionë importe./Kosovapress