Komisioni Evropian ka konfirmuar zyrtarisht heqjen e të gjitha masave financiare ndaj Kosovës, duke hapur rrugën për rifillimin e plotë të mbështetjes financiare nga Bashkimi Evropian.
Konfirmimi u bë gjatë një debati në Parlamenti Evropian, ku përfaqësuesi i Komisionit Evropian, Jiri Plecity, deklaroi se tashmë janë liruar të gjitha fondet që më parë ishin të bllokuara.
Ai theksoi se ky vendim shënon një hap drejt riangazhimit të plotë të BE-së me institucionet e Kosovës, me synimin për ta rikthyer vendin në rrugën e integrimit evropian.
Ndërkohë, një zëdhënës i Komisioni Evropian bëri të ditur se, pas përfundimit të procedurave të brendshme, është miratuar lirimi i rreth 205 milionë eurove ndihmë financiare.
Këto fonde përfshijnë rreth 74 milionë euro për projekte në kuadër të programeve vjetore IPA 2021 dhe 2022, si dhe 131 milionë euro për projekte të financuara përmes Kornizës së Investimeve për Ballkanin Perëndimor (WBIF).
Sipas zyrtarëve evropianë, në vijim pritet një intensifikim i bashkëpunimit mes Bashkimi Evropian dhe institucioneve të Kosovës, ndërsa theksohet se Prishtina zyrtare duhet të përshpejtojë reformat dhe të përmbushë obligimet që lidhen me procesin e integrimit, përfshirë edhe dialogun e ndërmjetësuar nga BE-ja.
BE-ja ka bërë të ditur se do të vazhdojë të monitorojë nga afër zhvillimet në Kosovë dhe progresin në zbatimin e reformave. /Telegrafi