string(89) "kosova-po-shnderrohet-gradualisht-ne-nje-vend-destinacioni-per-punetoret-e-huaj-thote-mpb"

Lajme

Gazeta Express

12/06/2025 14:44

Kosova po shndërrohet gradualisht në një vend destinacioni për punëtorët e huaj, thotë MPB

Lajme

Gazeta Express

12/06/2025 14:44

Ministria e Punëve të Brendshme ka mbajtur sot dialogun e radhës në fushën e migrimit në mes Kosovës, Zvicrës dhe Lihtershtejnit.

Delegacionin kosovar në këtë dialog e udhëhoqi Sekretarja e Përgjithshme e Punëve të Brendshme, Fahrije Ternava-Sheremeti, ndërsa delegacioni i Zvicrës u udhëhoq nga kryetarja e delegacionit, Cristina Probst-Lopez.

Ternava-Sheremeti tha se e Kosova ka bërë përparim të dukshëm në fushën e migrimit vitet e fundit, duke konsoliduar kornizën ligjore e strategjike, duke përmirësuar kapacitetet institucionale dhe duke ndërtuar sisteme të avancuara për menaxhimin dhe analizën e migrimit.

Ajo tha se Kosova gradualisht po shndërrohet në vend destinacioni për punëtorë të huaj dhe tha se për këtë duhet një qasje e re, përfshirë edhe mbrojtjen e të drejtave të tyre.

“Sot, e them me shumë siguri se migrimi në Kosovë po ndryshon. Nga një vend kryesisht i origjinës, po shndërrohemi gradualisht në një vend destinacioni për punëtorë të huaj. Ky ndryshim sigurisht që kërkon një qasje të re, të koordinuar, të bazuar në të dhëna dhe të përqendruar në të gjithë ciklin e migrimit, marrëveshjen për mobilitet në punë, deri te mbrojtja e të drejtave të migrantëve dhe angazhimi i diasporës”, tha Ternava-Sheremeti.

Gjatë këtij dialogu, ajo vuri në dukje se përkundër arritjeve që janë bërë, sfidë mbetet nevoja për forcim të mëtejshëm institucional, ndërlidhje të sistemeve dhe angazhim më të gjerë të gjithë shoqërisë.

“Për këtë arsye, MPB së bashku me institucionet e tjera relevante kanë  nisur procesin për hartimin e Strategjisë së re për Migracionin 2026–2030, e cila do të hartohet mbi arritjet aktuale dhe do të orientohet drejt një qeverisjeje moderne gjithëpërfshirëse dhe zhvillimore të migrimit”, tha ajo, siç njofton Ministria në komunikatë.

“Në këtë takim theks i veçantë iu vu edhe mbështetjes së pakursyer  të  qeverisë zvicerane në këtë rrugëtim dhe për këtë, delegacioni i Kosovës e falënderoi delegacionin  zviceran për gjithë mbështetjen”.

Në kuadër të këtij dialogu u diskutuan disa nga sfidat  me lëvizjet e ndryshme të migrantëve që po përballën pothuajse të gjitha shtetet e BE-së.

“Ndërsa në kuadër të arritjeve të Republikës së Kosovës në këtë fushë u vunë në dukje zbatimi i aktiviteteve që dalin nga Strategjia dhe Plani i Veprimit për Migracionin 2021-2025, adresimi i nevojave të fëmijëve migrantë të pashoqëruar dhe grupeve të cenueshme,  rritja e kapaciteteve të akomodimit etj”./Express/