Kosova po shkon drejt zgjedhjeve sepse kompromisi u konsiderua 'fjalë e keqe' - Gazeta Express
string(75) "kosova-po-shkon-drejt-zgjedhjeve-sepse-kompromisi-u-konsiderua-fjale-e-keqe"

OP/ED

Gazeta Express

06/03/2026 13:03

Kosova po shkon drejt zgjedhjeve sepse kompromisi u konsiderua ‘fjalë e keqe’

OP/ED

Gazeta Express

06/03/2026 13:03

Shkruan: Ditmir Bushati

Presidentja e Kosovës dekretoi shpërndarjen e Parlamentit të sapokrijuar, pas dështimit të këtij të fundit për të siguruar kuorumin e nevojshëm për të nisur procedurën për zgjedhjen e presidentit të ri.

Nuk është e nevojshme të analizohen amendamentet për ndryshimin e Kushtetutës që u shqyrtuan në mënyrë të rrufeshme; kërkesa drejtuar Gjykatës Kushtetuese për pezullimin e afateve kushtetuese për zgjedhjen e presidentit, pas dështimit për të siguruar kuorumin; dhe vete dekreti i Presidentes për shpërndarjen e parlamentit.

Asnjëra nga këto lëvizje institucionale nuk e zëvendëson vullnetin dhe gadishmërinë politike që u mungoi aktorëve politikë për të zgjedhur Presidentin e Republikës. Kushetuta e Kosovës dhe jurisprudenca e Gjykatës Kushtetuese kërkojnë një president që gëzon mbështetje politike mbi palët. Thënë troç, një president që vjen si produkt i kompromisit politik.

Kosova po shkon drejt zgjedhjeve të parakohshme, sepse kompromisi u konsiderua ‘fjalë e keqe’. Mirëpo, edhe parlamenti që do të konstituohet nga zgjedhjet e reja do t’i nënshtrohet të njëjtës formulë për zgjedhjen e presidentit. Që do të thotë se, sërish do të nevojitet kompromis politik.

Një formulim disi të ngjashëm ka pasur Kushtetua e Shqipërisë e vitit 1998 që parashikonte se, presidenti zgjidhet me një shumicë të cilësuar votash në një procedurë me 5 raunde në parlament. Dhe nëse parlamenti shpërndahej, sepse nuk arrinte të zgjidhte presidentin, parlamenti i formuar nga zgjedhjet e reja i nënshtrohej të njëjtës formulë.

Arsyeja? Hartuesit e Kushtetutës dhe ekspertët e spikatur ndërkombëtarë që asistuan atë proces pas ngjarjeve tragjike të 1997, këmbëngulnin se, vende si Shqipëria, për shkak të mungesës së traditës demokratike, e kanë të nevojshme të rrënjosin kulturën e kompromisit politik. Kështu, shpërndarja e Parlamentit si ‘kërcënim’, konsiderohej në të njëjtën kohë edhe si ‘nxitje’ për arritjen e kompromisit politik.

Për fat të keq, Shqipëria arriti të zgjedhë me mirëkuptim politik vetëm një herë, në vitin 2002, Presidentin e Republikës. Më pas, dominoi instikti i imponimit dhe nënshtrimit politik, e deri te ndryshimet kushtetuese të vitit 2008, që u shoqëruan me ndryshim të formulës së zgjedhjes dhe zbehje të rolit Presidentit të Republikës.

Kosova po shkel në një fushë të minuar. Sfidat e shtetkonsoldimit demokratik dhe integrimit të plotë të Kosovës në familjen euro-atlantike janë të panumërta. Ato kërkojnë kompromise politike dhe jo veprime impulsive apo imponime të ndërsjella.

Kosova po shkon drejt zgjedhjeve për të tretën herë brenda një viti e gjysmë.

Një skenar që duhej të ishte shmangur!

Advertisement
Advertisement
Advertisement