Kosova po i pret krahëhapur dy tenistë super-kualitativë - Gazeta Express
string(56) "kosova-po-i-pret-krahehapur-dy-teniste-super-kualitative"

Kosova po i pret krahëhapur dy tenistë super-kualitativë

Moral Pozhegu

23/04/2020 14:04

Trajneri i Kosovës, Jeton Hadërgjonaj zbulon se është në kontakt me tenistët Shendrit Deari dhe Vullnet Tashi, të cilët mund ta përforcojnë ekipin e tij në të ardhmen. “Dardanët” ndërkohë po bëhen gati për evenimentin prestigjioz “Davis Cup”

Përfaqësuesja e Kosovës mund të pasurohet me dy tenistë mjaft kualitativë, shkruan Gazeta Express.

Lexo Edhe:

Shendrit Deari dhe Vullnet Tashi janë dy tenistët që mund t’ju bashkohen “Dardanëve” në të ardhmen.

Trajneri i Kosovës, Jeton Hadërgjonaj thotë se bëhet fjalë për dy tenistë mjaft cilësorë, të cilët do të mund t’i jepnin impuls ekipit kombëtar të Kosovës, nëse pranojnë t’ju bashkohen Verdhekaltërve.

“Jemi në kontakt me dy përforcime. Shendrit Deari është nga Gostivari dhe deri tash ka luajtur për Maqedoninë e Veriut. Ai e ka shprehur dëshirën për të luajtur për Kosovën. Pasaportën tashmë e ka gati. Tenisti tjetër është Vullnet Tashi, i cili jeton dhe luan tenis në Spanjë dhe në Zvicër. Ende nuk ka vullnet për të luajtur për ne, por do të mundohemi që ta bindim. Të dy janë tenistë super-kualitativë”, deklaroi Hadërgjonaj për “Gazeta Express”.

Ndërkohë, për shkak të pandemisë koronavirus, tenistët e Kosovës po i improvizojnë ushtrimet në shtëpitë e tyre, në bazë të instruksioneve dhe plan-programit të ushtrimeve që e kanë marrë nga trajnerët kondicionalë, Fatos Bejta e Enver Tahiraj.

Granit Bajraliu, Genc Selita, Sefer Jakupi, Meldin Mustafi, Muhamed Zulji dhe Besart Halimi janë gjashtë tenistët e listës së gjerë të trajnerit Hadërgjonaj, kandidatë potencialë për ta përfaqësuar Kosovën në “Davis Cup”, respektivisht në Kampionatin Botëror të tenisit për Kombëtare.

“Davis Cup” ishte paraparë të zhvillohet nga 8 deri më 15 qershor në Shkup.

Por, ai është shtyrë për një afat të pacaktuar.

Hadërgjonaj beson se kah muaji gusht ose shtator do të mbahet ky eveniment.

Pasi tenisi nuk është sport kontakti, ai beson se ky sport do të rikthehet më herët sesa sportet tjera.

Duhet cekur se Kosova e kishte shijuar vjet fitoren e parë dhe historike në “Davis Cup” pasi e kishte mposhtur Andorrën 2:1. /Gazeta Express/