Kosova pa institucione rrezikon të shkojë drejt bankrotit - Gazeta Express
string(57) "kosova-pa-institucione-rrezikon-te-shkoje-drejt-bankrotit"

Lajme

Gazeta Express

05/11/2025 8:35

Kosova pa institucione rrezikon të shkojë drejt bankrotit

Lajme

Gazeta Express

05/11/2025 8:35

Iniciativën dhe përpjekjet e intensifikuar të deputetëve të LVV-së për miratimin e buxhetit në Kuvend të aprovuar ditë më parë nga qeveria në detyrë, e ka cilësuar si të jashtëligjshme deputeti i PDK-së, Ferat Shala. Sipas Shalës nuk mundet një ministër në detyrë ta votojnë atë buxhet edhe nga pozita e deputetit.

“Nuk ka hapësirë juridike që të miratohet buxheti për vitin 2026 nga qeveria në detyrë. Është nonsens që të njëjti njerëz ta aprovojnë një ligj në qeveri dhe të njëjtit të orvaten ta votojnë atë ligj në Kuvend…”, tha Shala për rtv21

Por këto qëndrime të partive ish-opozitare deputeti i LVV-së, Artan Abrashi i ka quajtur destruktive, duke thënë se qëllimin e vetëm e kanë që t’ia marrin pushtetin Albin Kurtit.

“Shkalla e destruktivitetit që ka ushtru opozita është e paprecedent. Mos miratimi  i buxhetit sjellë pasoja të rënda për Kosovën, pse, vetëm me e ndalë Albin Kurti për t’ia grabitur pushtetin që nuk e kanë fituar… Kosova varet nga ai buxhet…”, tha Abrashi.

Më 31 tetor qeveria në detyrë miratoi një buxhet prej 4 miliardë eurosh. I njëjti duhet të votohet në Kuvend në dy lexime më së largu deri më 31 dhjetor. Ndërkohë, votimi i këtij ligji pa formimin e qeverisë së re po shihet si mision i pamundur edhe nga avokati Ardian Bajraktari.

“Miratimi i çfarëdo akti nga një institucion që ka mandat të kontestuar apriori e bënë të paligjshëm…”, tha ai.

Kosova prej muajsh gjendet në një bllokadë politike, ndonëse ende nuk dihet nëse vendi do të ketë një qeveri të re apo do të përfundojë në zgjedhje të jashtëzakonshme. Në rast të shkuarjes në zgjedhje të jashtëzakonshme, nga 1 janari i vitit të ardhshëm, gjysma e qytetarëve në Kosovë rrezikojnë të mbesin pa paga dhe rrjedhimisht Kosova cilësohet si e bankrotuar. Megjithatë, ligji për menaxhimin e financave publike parasheh që Kuvendi, me anë të një vendimi mund të autorizojë zgjatjen e ligjit për ndarjet buxhetore për më së shumti tre muajt e parë të vitit të ardhshëm, për çka novitet një vullnet dhe bashkëpunim politik mbi partiak.

Lidhur me mundësinë e zgjatjeve buxhetore, ditë më parë presidentja Osmani, ka deklaruar se një gjë të tillë do ta kërkojë nga Kuvendi. Por, avokati Ardian Bajraktari thotë se kjo çështje është ekskluzivisht në duar të deputetëve.

“Presidentja ka të drejtë të marr nisma ligjore por çështja e buxhetit nuk është e tillë dhe është vetëm e drejtë e deputetëve që përmes vullnetit të mirë të ndërmarrin një akt të tillë…”, tha Bajraktari.

Ndryshe qeveria në detyrë ditë më parë, pas një vale reagimesh, për vitin 2026 miratoi një buxhet të “kontestueshëm” sa i përket ligjshmërisë së tij, në vlerë prej 4 miliardë euro. Buxheti hasi në kritika edhe nga njohësit e çështjeve ekonomike, pasi u cilësua si një buxhet i përqendruar më shumë në skema sociale sesa në politika zhvillimore.