Kosova është shumë afër të shënojë një moment historik për futbollin e saj, duke synuar kualifikimin për herë të parë në Kampionatin Botëror 2026.
Ndeshja e rëndësishme Sllovaki – Kosovë, e vlefshme për gjysmëfinalen e “play-offit” të kualifikimeve për Kupën e Botës 2026, do të transmetohet drejtpërdrejt në Sheshin “Zahir Pajaziti” në Prishtinë, përmes një ekrani gjigant të vendosur për këtë rast.
Transmetimi publik do të realizohet nga “KD Events & Communications”, në bashkëpunim me Komunën e Prishtinës, “Digitalb”, “Artmotion” dhe Federatën e Futbollit të Kosovës (FFK), duke u dhënë mundësi mijëra tifozëve që ta ndjekin këtë përballje historike në një atmosferë të jashtëzakonshme sportive.
Ndeshja zhvillohet më 26 mars 2026, në stadiumin “Tehelné pole” në Bratislavë, me fillim nga ora 20:45, ndërsa një rezultat pozitiv për Kosovën do ta çonte kombëtaren tonë në finalen vendimtare të “play-offit”, ku do të përballej me fituesin e ndeshjes Turqi – Rumani, për një vend në Kampionatin Botëror 2026.
Duke marrë parasysh rëndësinë e madhe të kësaj ndeshjeje, organizatorët presin që sheshi në qendër të Prishtinës të mbushet me mijëra tifozë të cilët do të bashkohen për ta përkrahur Kosovën në këtë moment historik për sportin e vendit.
Me këtë organizim, “KD Events & Communications” vazhdon traditën e transmetimeve publike të ndeshjeve të mëdha të futbollit, duke sjellë përvojën e stadiumit në zemër të qytetit.