Izolimi nuk është fundi. Është vetëm fillimi. Fillimi i një rënieje që mund të na kushtojë gjithçka që kemi fituar me gjak, me miqësi dhe me sakrificë.
Doruntina Meha
Kosova është rast unik në historinë moderne. Një territor autonom brenda ish-Jugosllavisë, që nuk kishte qenë kurrë shtet më vete, u shndërrua në shtet të pavarur falë sakrificës së popullit të vet dhe përkushtimit të aleatëve ndërkombëtarë. Ajo që dukej e pamundur u bë realitet. Në vitet pasluftës, Kosova ishte krenaria e Perëndimit. Një vend i vogël që u bë shembull i miqësisë mes një populli dhe fuqive më të mëdha botërore.
Në atë kohë, bota na shihte me simpati. Presidenti Bill Klinton erdhi vetë në Prishtinë për të na përqafuar si miq dhe për të na treguar se sakrifica nuk kishte qenë e kotë. Sekretarët e Shtetit të SHBA vizitonin shpesh Kosovën, duke e bërë pjesë të agjendave të tyre strategjike. Miqtë tanë më të mëdhenj na konsideronin një histori suksesi një provë se ndërhyrja e NATO-s kishte shpëtuar jetë, kishte sjellë paqe dhe kishte ndërtuar një shtet të ri mbi themelet e demokracisë.
Ky është rasti që edhe sot studiohet në universitetet më prestigjioze të botës, në degët e së drejtës ndërkombëtare: si një vend i vogël, pa shtetësi paraprake, arriti pavarësinë me ndërhyrjen e fuqive perëndimore. Kosova ishte shembull i asaj që ndodh kur bota qëndron në krah të së drejtës dhe kundër gjenocidit.
E sot, kjo histori e lavdishme është kthyer në paralajmërim. Ajo që duhej të ishte një rrugëtim drejt konsolidimit, forcimit të institucioneve dhe ndërtimit të miqësive të qëndrueshme, është kthyer në një rrugë qorre të izolimit, inatit dhe dështimit diplomatik.
Që nga viti 2022, Kosova ndodhet nën sanksione të BE-së një vendim që e ka vendosur Kosovën përballë izolimit më të madh ndërkombëtar që nga paslufta. Zyrtarët e BE-së nuk e vizitojnë më Kosovën si dikur, dhe sinjalet janë të qarta: Kosova nuk dëgjon, nuk bashkëpunon, nuk respekton as ata që ia mundësuan shtetin. Nga Washingtoni kemi një rekord të dhimbshëm: për herë të parë që nga shpallja e pavarësisë, një kryeministër i Kosovës nuk është pritur kurrë në Shtëpinë e Bardhë as nga Trump, as nga Biden. Në vend të ftesave kemi marrë qortime. Në vend të miqësive të forta kemi marrë izolim.
Kjo nuk është thjesht çështje protokolli. Është tregues i qartë i humbjes së reputacionit. Një shtet që dje shihej si “fëmija i suksesit” të Perëndimit, sot perceptohet si problem i vogël por i zhurmshëm, që nuk di të menaxhojë as fqinjësinë, as marrëdhëniet ndërkombëtare. Nga krenaria, në bezdi. Nga shembull pozitiv, në rast studimi për kokëfortësi politike.
Pasojat janë të dukshme. Sa më shumë që Kosova të izolohet, aq më shumë humb mundësi për investime, për integrim, për zhvillim. Në vend që të përparojmë drejt BE-së, rrezikojmë të mbetemi peng i vetvetes. Në vend që të forcojmë shtetin, po e dobësojmë me vetë duart tona.
Ndërkohë, Serbia e cila duhej të ishte në bankën e të akuzuarve të historisë po e luan me sukses rolin e viktimës. Çdo hap i papërgjegjshëm nga Kosova është një fletë propagandistike për Serbin. Çdo deklaratë kokëforte këtu është një argument i ri atje. Nuk është Serbia ajo që po fiton betejën diplomatike jemi ne që po ia dhurojmë fitoren.
E gjithë kjo nuk ndodhi pse bota na ka harruar. Ndodhi sepse ne harruam kush jemi dhe si kemi ardhur deri këtu. Harruam se nuk jemi epiqendra e botës, por një shtet me më pak se dy milionë banorë e vetëm 10 mijë kilometra katrorë. Harruam se pa SHBA-në, pa NATO-n, pa BE-në, ky shtet nuk do të ekzistonte. Harruam se reputacioni nuk është dhuratë e përjetshme është pasuri që duhet ruajtur çdo ditë.
Kosova, që dikur ishte historia e suksesit, sot rrezikon të bëhet shembulli i izolimit. Nga krenaria e Perëndimit, po shndërrohemi në problem të Perëndimit. Dikur na prisnin me tapet të kuq, sot na presin me lista sanksionesh. Dikur përqafoheshim si miq, sot shmangemi si telash. Dhe këtë faturë nuk do ta paguajë vetëm një qeveri, as vetëm një lider. Këtë faturë do ta paguajë Kosova.
Sepse izolimi nuk është fundi. Është vetëm fillimi. Fillimi i një rënieje që mund të na kushtojë gjithçka që kemi fituar me gjak, me miqësi dhe me sakrificë.
Nga Europa drejt biznesit tënd – nisje çdo javë me 3P Logistics, shpejt, sigurt dhe pa stres! Kur bëhet...