Kosova: Nëna e kauzave - Gazeta Express
string(21) "kosova-nena-e-kauzave"

Kosova: Nëna e kauzave

Gazeta Express

14/06/2020 11:42

Prandaj, paradoksale kjo. Edhe a duhet pajtuar me gjendjen: Shtetin e meritojnë më shumë politikanët, qeveritarët, klientelat, edhe më pak, qytetarët.

Ibrahim Berisha

Lexo Edhe:

Puna politike është edhe një mision për t’i shërbyer lirisë. Madje një nga detyrat kryesore. Prandaj, liria ka kuptimin e përgjegjësisë, edhe shumica e njerëzve frikësohen nga ajo, mendonte G.B.Shou. Ata që frikësohen më pak dhe që i hyjnë kësaj rruge, është e kuptueshme, me lehtë dhe më shpesh, janë edhe më të papërgjegjshmit e një shoqërie.

Misioni që marrin më të guximshmit, tregon edhe rasti i Kosovës në këto vite, jo gjithmonë është konstruktiv.

Misioni personal që praktikohet aq shumë në Kosovë ndryshon agjendën publike, shndërrohet në destruksion social dhe ikën në përmasën e iracionalitetit politik. Nuk është e çuditshme, pse ata pa u trembur, edhe kur kanë aq shumë thirrje për të reflektuar, ecin symbyllur në rrugën e agresionit të hapur, të njohur nga publiku si pushtet personash dhe jo institucioni.

Kjo është ajo liria e azdisjes së pakufishme për pak njerëz dhe e kufizimit dhe vuajtjes për shumicën e hutuar.

Kur puna vjen ngusht, apo kërkohet mobilizimi oportun, misioni i këtyre komodëve destruktivë nuk e pranon kontrollin qytetar, prandaj shpiken kauzat e mëdha njëra pas tjetrës.

Në Kosovë mbijetohet politikisht vetëm me kauza.

Kosova është nëna e kauzave folk-romantike. 

Ato janë azilet e arsyetimit të padiskutueshëm se kontrolli qytetar është rrezik për shtetin.

Se temat jetike të qytetarit janë të parandësishme për shtetin. Prandaj shteti duhet të identifikohet me personat e pushtetshëm dhe jo qytetarët.

Kauzat që i bartin këta persona të pushtetshëm të partive, me shumë shtet në misionin e tyre, i amnistojnë për të gjitha punët joligjore që i bëjnë, mbase ndonjëherë edhe pa e ditur edhe qëllimin e bërjes së tyre.

Kështu, të privilegjuarit, paraqiten dhe jetojnë si viktima sakrifikuese të papërsëritshëm. Shkurt e shqip: misionarë të përhershëm.

Një nga temat për të cilat jo rrallë dikutohet në shoqërinë tonë, është nëse liria është ajo që duhet të jetë. Nëse është ajo që është imagjinuar dhe kënduar pa u ndalur, për të cilën është sakrifikuar dhe investuar aq shumë. Së paku, të jetë e mirë e përgjithshme publike. Liria e mirë që niset nga një kriter praktik: qytetarët janë të barbartë në detyrime dhe privilegje?

Kur mendohet ky kontekst domethënës i lirisë, pasi ka edhe të tjerë jo më pak të rëndësishëm, atëherë, kuptohet, bëhet fjalë për lirinë në kuptimin e plotë të saj. Ajo që duhet të jetë. E patransferueshme.  

Në këtë kuptim, liria është e barbartë vetëm me lirinë dhe me asgjë tjetër.

Pjesa e vogël e lirisë nuk ekziston. Pjesa krijohet si një fiksion apo mashtrim që mbushë hapësirën publike me fraza dhe mesazhe stimuluese, propagandë dhe tashmë edhe me fabrikimin e pandalshëm të lajmeve të rreme. Thjesht si manipulim dhe mashtrim.

Po mashtrimi dhe manipulimi janë të vështira për t’u vërejtur, veçmas në shoqëritë me fillime demokratike, aq më tepër, në shoqëritë e krizës, e cila krizë nuk pranohet në asnjë rast.

Prandaj kriza në arsim, shëndetësi, mjedis etj., nuk ekziston në Kosovë, sepse nuk pranohet nga të pushtetshmit. S’ka çka të thuhet më shumë se sa thotë Banka Botërore: 78% e 15-vjeçarëve në Kosovë janë analfabetë funksionalë.

Shih si u qaset Parlamenti dhe Qeveria këtyre temave. Si të ishte fjalë për ngjarje në Arktik, dhe jo, për burimin e shumë problemeve që nuk përfundojnë me mandatin parlamentarëve dhe qeveritarëve, por mben prodhuese të vuajtes së përhershme në këtë shoqëri.

Ky është manipulimi më drastik me lirinë. Me përgjegjësinë institucionale, apo më mirë thënë, ikje prej saj. Është i pashembullt në shoqëritë demokratike.

Pse pranohet kjo? I kthehemi edhe një herë pikërisht pozitës së identifueme të elitës si pjesë e procesit të falsifikimit masiv. Kështu i quan edhe Gj.  Sartori elitat falsifikatore.

Falsifikatorët e lirisë gjithmonë i bien borisë se ekziston qytetari i keq që nuk i kupton politikanët e politikat e tyre të mira! Elitat janë më të avansuara se sa qytetarët, populli? Ata mendojnë se jo elitat, por qytetarët, abuzojnë me lirinë.

Por, ana tjetër, shumica nuk është e detyruar të pranojë si të mirëqenë falsifikimin e pakicës.  

Në fund të fundit: liria e njeriut nuk ka të bëj më atë se mund të bëj çkado që do, por të mos bëj atë që nuk do, shkruante Zh. Zh. Ruso. Të mos i imponohet vullneti rrënues i lirisë, pra.

Prandaj, paradoksale kjo. Edhe a duhet pajtuar me gjendjen: Shtetin e meritojnë më shumë politikanët, qeveritarët, klientelat, edhe më pak, qytetarët.