Kosova në pandemi, pasojat dhe hapat në vijim - Gazeta Express
string(44) "kosova-ne-pandemi-pasojat-dhe-hapat-ne-vijim"

Kosova në pandemi, pasojat dhe hapat në vijim

Gazeta Express

14/11/2020 14:58

Autor: Arbër Halilaj

Pandemia e shkaktuar nga koronavirusi, ka sjellë me vete tronditjen më të madhe globale ekonomike e sociale të shekullit 21, duke u bërë  krizë globale e shëndetit dhe sfida më e madhe me të cilën jemi përballur që nga

Lexo Edhe:

Lufta e Dytë Botërore. Prioriteti dhe urgjenca mbetet ruajtja e shëndetit të njeriut në një situatë ende pa vaksinë dhe kurim adekuat, por pandemia i ka shkaktuar krizë të madhe edhe shëndetit ekonomik, që si pasojë do të rëndojë shoqëritë tona në përgjithësi dhe biznesin në veçanti për një periudhë më të gjatë.

Përballimi i kësaj krize globale shëndetësore, të shoqëruar me një krizë të madhe ekonomike, financiare e sociale, mund të sjellë edhe trazia e presione të mëdha në shoqëritë anekënd globit, si dhe efekte domino edhe pasi të ketë kaluar kriza më e rëndë shëndetësore, meqënëse njerëzit do të përballen me pasojat, krizën e humbjes së vendeve të punës dhe situata të vështirësive të shumta financiare.

Tani, kur bota po përballet me një goditje apo valë të dytë me shtim të infeksioneve, është koha jo shumë për masa kufizuese, sa për ngritje urgjente të vetëdijes qytetare në shkallë sa më të gjerë. Vetëdijësimi rreth mbrojtjes nga virusi dhe trajtimit të tij duhet të rritet menjëherë, duke pasë parasysh kompleksitetin e situatës dhe nevojën që:

  1. të ngritet vetëdija rreth rrezikut për tërë zinxhirin e shëndetit publik;
  2. të ngritet sistematikisht ekonomia duke kaluar nga ndihmat emergjente në një plan afatmesëm të rimëkëmbjes; dhe
  3. të ndryshohet sistemi jonë ekonomik dhe politikat pas pandemisë, që të jemi më të gatshëm për të përballuar kriza të këtilla në të ardhmen.
  4. t’i çasemi kësaj krize edhe si një sfidë me mundësi të reformimit të mënyrës së të bërit biznes;
  5. në kapacitetet ekzistuese spitalore, prioritet t’i jepet moshave më të rrezikuara dhe me probleme përcjellëse, në mënyrë që kapacitetet shëndetësore të mos mbingarkohen me raste më të lehta.

Nga anketat dhe hulumtimet, si dhe bisedat me pronarë biznesesh, dalin tri çështje problematike kyçe:

  • Injektimi i ndihmave financiare është shumë i vonuar dhe i pamjaftueshëm, gjë që shumicës së bizneseve i ka ndihmuar shumë pak në mbulimin e shpenzimeve operacionale të domosdoshme, duke filluar nga pagat e punëtorëve, qiratë, faturat e komunalisë etj..
  • Shtyerja e pagesës së kësteve kreditore nuk është bërë në mënyrën se si është prezentuar fillimisht nga BQK-ja, duke mos i ngarkuar bizneset me interes. Shumica e bankave komerciale kanë shtyer afatet e pagesës duke e llogaritur pastaj interesin e rregullt të grumbulluar, që është ngarkesë shtesë dhe lajthitje ndaj bizneseve dhe e njejta ka ndodhur edhe me kreditë e qytetarëve. Ky është dështim i BQK-së në mbikqyrjen e mënyrës së realizimit të shtyerjes së detyrimeve, meqë del se bankat nuk kanë ofruar kurrfarë grejs-periudhash si ndihmë biznesit, por interesin e grumbulluar e kanë tërhequr menjëherë pas periudhës së shtyerjes, duke dëshmuar se e kanë synim primar afarizimin e vet, e jo ndihmën ndaj bizneseve.
  • rikthimi i masave izoluese pa kurrfarë ndihmash financiare dhe pa arritur as miratimin e Ligjit të Rimëkëmbjes edhe në përpjekjen e 9-të, tregon se jo vetëm shëndeti publik, por njëkohësisht do të rëndohet dhe cenohet rëndë edhe shëndeti i biznesit, meqë pandemia po intensifikohet  akoma më shumë. Efekti i masave izoluese do të jetë kontra-produktiv, pa një vetëdijësim të masës rreth pasojave të pandemisë, që duhet të mbetet prioritet, edhe para aplikimit të masave izoluese si mjet i mbrojtjes së shëndetit të ekonomisë dhe biznesit.

Pasojat evidente aktuale tek bizneset janë të shumta dhe shtrihen në sektorë të ndryshëm, e që do të kenë efekte afatgjata negative në afarizmin e shumë ndërmarrjeve. Parashikimet e mekanizmave financiarë ndërkombëtarë për efektet që do t’i ketë pandemia e koronavirusit në ekonominë e Kosovës janë të zymta. Rënia ekonomike prej 4,5% siç parashihte Banka Botërore, tanimë duket skenar shumë optimist, ndërsa BQK parasheh rënie ekonomike -7.2%, meqë masat kufizuese po vazhdojnë  pa ndonjë analizë të saktë të pasojave ekonomike, disa prej të cilave janë evidente, si:

  • Masat izoluese të ndërmarra nga Qeveria e Kosovës kanë pasur efekt negativ në afarizmin e mbi  72%  të bizneseve, që kanë pasur vështirësi financiare përgjatë periudhës së pandemisë dhe kjo përqindje vetëm po rritet dita më ditë.
  • Vështirësi kryesore në të bërit biznes gjatë pandemisë janë: kufizimi i lëvizjes së stafit, mungesa e cash-it në qarkullim, burokracia e institucioneve publike me paqartësi të vendimeve të marra si dhe paniku e pasiguria për të ardhmen.
  • Sikurse në mbarë botën, edhe në Kosovë ka pësuar rënie të madhe qarkullimi apo niveli i shitjeve, ku afër 85% e bizneseve deklarojnë se niveli i shitjeve të tyre është zvogëluar.
  • Përqindja më e madhe e bizneseve kosovare deklarojnë se periudha më e gjatë që mund ta përballojnë gjendjen pandemike dhe të operojnë përkundër humbjeve, është tre muaj. Si rrjedhojë e kësaj gjendje, bizneset nuk garantojnë që do të mund të mbajnë punëtorët në punë, edhe pas ndarjes së 60 mil. eurove nga Fondi për Rimëkëmbje Ekonomike i Qeverisë së Kosovës, në bazë të listës së pagave në dhjetor 2019, pra numrit të punëtorëve. Pas këtij infuzioni fiskal, mund të kemi të ashtuquajturat “zombi kompani” si pasojë e potencialit të ulët të cash-flow dhe pamundësisë që të operojnë në periudhë më të gjatë pandemike. Ndihma e vogël nga ky fond nuk do ta ketë efektin e pritur ose eventualisht do të mundësojë mbulimin e shpenzimeve për paga vetëm për një muaj. Kjo është ndihmë e mirëseardhur, por vetëm në skenarin afatshkurtër të pandemisë, ndërsa e pamjaftueshme për trajtimin e pasojave afatmesme dhe afatgjata, që veç po shihen në horizont.
  • Mendoj se kompanitë, përkundër kësaj ndihme nuk do të mund të mbajnë punëtorët në listat e pagave dhe  do të shohim edhe në të ardhmen reduktim të planifikuar të stafit, gjë që do të shkaktojë rritje të paparë deri më tani të papunësisë në nivel vendi. Deri në fund të vitit, numri i të papunëve vetëm shkaku i pandemisë mund të shkojë në 100.000 veta, varësisht nga rrjedhat e situatës me virusin si dhe skenarët makroekonomik.
  • Mungesa e stafit si rezultat i kufizimit të lëvizjeve dhe masave tjera restriktive, ka pasur ndikim edhe në uljen e kërkesës dhe krijimin e stoqeve te disa mallra dhe shërbime, gjë që e ka çrregulluar gjendjen edhe tek prodhuesit. Përveç këtyre efekteve negative, edhe mungesa e likuiditetit për obligimet e pagave, qirasë, kësteve të kredisë, shpenzimeve të transportit, naftës, energjisë elektrike etj.  Si dhe vështirësitë në furnizim me mallra, janë faktorë me ndikim të lartë negativ në afarizmin e bizneseve në çdo sektor, edhe aty ku punohet me njëfarë normaliteti.
  • Në vend që rimëkëmbja ekonomike të jetë prioritet mbipartiak, pikërisht inatet politike të shpërfaqura në këtë krizë, vazhdojnë ta rëndojnë edhe më tepër gjendjen e bizneseve dhe qytetarëve. Qeveria nuk po mundet ta kalojë Ligjin e Rimëkëmbjes Ekonomike, që e dëshmon brishtësinë e saj, duke mos arritur që të ketë as minimumin e votave të nevojshme në Parlament, e kjo e dëshmon se sa janë të brengosur deputetët për gjendjen e krijuar. Askujt nuk i bën përshtypje fakti që sektori publik po merr paga rregullisht edhe duke punuar nga shtëpia, pa zbritje dhe bashkë me çdo beneficion tjetër, ndërsa sektori privat që është baza tatimore e shtetit, ka aq shumë vështirësi ose kanë mbetur edhe të papunë dhe të pashpresë në tërë këtë lëmsh politiko-pandemik.
  • Përveç pasojave ekonomike dhe në funksionimin e bizneseve, pandemia ka sjellë deri tek përkeqësimi i mëtejmë i të drejtave të punëtorëve. Ka shkelje të panumërta dhe në këtë kaos askush nuk po merret me to, duke bërë që raporti punëdhënës-punëtor më shumë t’i ngjajë atij skllavopronar-skllav!

Nëse krahasohemi me shtetet e rajonit,  shumë lehtë e shohim se sa mbrapa dhe sa e vonuar është Kosova me masat e rimëkëmbjes ekonomike nga pasojat që po i shkakton pandemia. Serbia ka përgatitur një pako në vlerë prej rreth 3 miliardë euro. plus 2,1 miliardë si fond për garanci kreditore, për të luftuar krizën e shkaktuar nga pandemia. Qeveria e Malit të Zi në korrik ka miratuar një paketë prej 1.2 miliard euro për të mbështetur qytetarët dhe ekonominë në zbutjen e efekteve të pandemisë së koronavirusit, e që kjo ishte pakoja e tretë e miratuar, pasi paraprakisht implementoi edhe dy pako të tjera ndihmash në vlerë prej 320 milionë euro. Qeveria e Shqipërisë ka miratuar dy pako mbështetëse për qytetarët dhe bizneset e prekura nga pandemia e koronavirusit, me një kosto të përbashkët prej afër 400 milionë euro dhe lehtësira tjera. Qeveria e Maqedonisë së Veriut, me qëllim të zbutjes së pasojave nga koronavirusi, ka ndihmuar me rreth 550 milionë euro bizneset dhe shtresat e rrezikuara të qytetarëve, pa cekur këtu ndihma tjera fiskale.

Masat mbrojtëse që Qeveria e Kosovës domosdoshmërisht duhet t’i ndërmarrë për të vazhduar ndihmën financiare ndaj ekonomisë në përgjithësi dhe biznesit privat në veçanti janë:

  • shtyerja e detyrimeve tatimore deri në janar 2021, e pastaj të shiqohet mundësia e pagesës edhe me këste. 
  • ri-kategorizimi i bizneseve për raportime financiare,
  • vazhdimi i subvencionimit të shpenzimeve të pagës dhe shpenzimeve të qirasë, së paku deri në vlerën e 50% të shumës, meqë këto shpenzime operacionale janë barrë e madhe. Nëse shkohet në masa ekstreme dhe klasifikime të qyteteve, siç po zbatohet tani, automatikisht vendimet të pasohen edhe me ndihma financiare për të goditurit nga ato masa, në varësi të kohëzgjatjes së “mbylljes parciale”, duke ndarë barrën e dëmit ekonomik qeveria me bizneset.
  • sigurimi i çasjes së bizneseve në kreditim me norma tejet të ulta interesi apo me interes që do ta mbulonte shteti,
  • pa marrë parasysh intensifikimin e rasteve me COVID-19 dhe deri në zbulimin e vaksinës, të aplikohen më shumë masa vetëdijësuese dhe çasje konkrete e dedikuar ndaj shkelësve të identifikuar të masave e kurrsesi masa izoluese “in general” ,
  • shtyerja e pagesës së të gjitha llojeve të tatimeve (edhe zvogëlimi apo anulimi i tatimeve për sektorë të veçantë);
  • shtyerja e afatit të kredive (grejs periudhat), duke prioritizuar sektorët e afektuar më tepër nga pademia, si dhe shtyerja e sërishme e kësteve për punëtorët e sektorëve më të afektuar, siç është gastronomia. Me këtë rast, të mos aplikohen interesi ndëshkues dhe kategorizimi i vonesave në regjistrin e kredive, gjë që bankat e kanë bërë në kundërshtim me deklarimin fillestar të BQK-së,
  • shtyerja e validitetit të licencave të kompanive minerare, ndërtimore, hoteliere, gastronomike dhe sektorëve tjerë të afektuar nga pandemia, si dhe ulja e tarifave për këto licenca,
  • Subvencione të veçanta për firmat për pagesën e energjisë elektrike, naftës, shpenzimeve të transportit etj.
  • Subvencione për bizneset që punësojnë staf të ri në periudhën e pandemisë, e që nuk ndihmohen me asgjë për këtë çështje të rëndësishme, siç është punësimi,
  • ndihma me financa dhe ekspertizë për kalim në pagesa, transaksione apo shërbime online aty ku është e mundur , duke e ulur rrezikun nga përdorimi i cash-it dhe prezenca fizike në hapësirat e biznesit.

Aplikimi i masave shtrënguese në mbrojtje të shëndetit publik, duke mos vënë balansin me shëndetin ekonomik, është sikur të presësh degën në të cilën je ulur, sepse falimentimi i bizneseve duhet të trajtohet pothuajse me të njëjtin prioritet sikurse vdekjet spitalore nga pandemia, përndryshe nuk ka shtet pa buxhet dhe pa ekonomi.

Nëse gjendja e jashtëzakonshme e pandemisë zbutet nga fundi i vitit dhe jeta fillon të kthehet në njëfarë normaliteti, na pret një periudhë e gjatë rikuperimi. Një element kryesor në përcaktimin e këtyre masave të rimëkëmbjes do të jetë kohëzgjatja e pandemisë dhe madhësia e rënies ekonomike gjatë tërë kësaj periudhe. Poashtu, element tjetër për rimëkëmbje të suksesshme do të jetë efektiviteti i politikave ekonomike gjatë pandemisë dhe zbatimi i shpejtë i tyre. Nëse masat në periudhën e pandemisë do të ishin të planifikuara mirë dhe të zbatuara në kohën e duhur, nëse ato do të ndihmonin kompanitë të “mbijetonin” duke shmangur largimet masive nga puna dhe lëkundjet e mëdha në biznes, atëherë do të duhej më pak kohë që ekonomia të kthehet në një rrugë të qëndrueshme rritjeje.

Masat e nevojshme pas pandemisë duhet të synojnë kryesisht stimulimin e rritjes ekonomike dhe të prodhimit, duke mbuluar të gjithë sektorët, pavarësisht nga shkalla në të cilën janë prekur nga kriza, ndërsa duke zbatuar masa të veçanta shtesë për sektorët që janë shkatërruar plotësisht nga kriza (trafiku i udhëtarëve, turizmi, hotelieria-gastronomia, etj.). Sigurisht, vetëm kur fitohet një pasqyrë e qartë për të gjitha pasojat që do të shkaktojë kriza, do të jetë e mundur të përcaktohen masat adekuate.

Në fund, duke pasur parasysh specifikën e kësaj krize që ka prekur të gjithë faktorët ekonomik, nga punëtorët, bizneset e deri tek qeveritë, duke e ngadalësuar shumë progresin e planifikuar ekonomik, atëherë del se rimëkëmbja ekonomike duhet të jetë prioriteti kryesor, përmes hapave dhe masave mirë të planifikuara qysh tani, kur jemi ende në pandemi.