Kosova në hall me 2€ false, BQK tregon si të verifikohen, del me udhëzime për bankat e bizneset - Gazeta Express
string(93) "kosova-ne-hall-me-2e-false-bqk-tregon-si-te-verifikohen-del-me-udhezime-per-bankat-e-bizneset"

Lajme

Gazeta Express

01/12/2023 15:23

Kosova në hall me 2€ false, BQK tregon si të verifikohen, del me udhëzime për bankat e bizneset

Lajme

Gazeta Express

01/12/2023 15:23

Kosova është në hall me monedhat 2-she metalike të cilat janë falsifikuar dhe janë futur në treg me të madhe. Policia, Prokuroria në bashkëpunim me AKI-në kanë arritur që të godasin një prej grupeve më të mëdha që dyshohet se ka prodhuar dhe vënë në qarkullim monedhat e falsifikuara.

Duke parë situatën alarmante në vend me sasinë e madhe të parave të falsifikuara që kanë mbetur nëpër xhepat e qytetarëve e nëpër arkat e bizneseve, BQK ka dalë me një komunikatë, ku kanë dhënë udhëzime për qytetarët dhe kanë bërë të ditur se të gjitha monedhat origjinale pa përjashtim janë mjet i vlefshëm për pagesë në Kosovë.

“Asnjë autoritet tjetër nuk mund të vendos për ndalimin ose lejimin e asnjë instrumenti të ligjshëm të pagesave”, thuhet në komunikatë.

BQK në komunikatën e lëshuar ka thënë se e di rëndësinë që ka furnizimi i ekonomisë së Republikës së Kosovës me para të gatshme dhe nevojën të ruhet besueshmëria dhe integriteti i Euros në përdorimin e saj si mjet pagese, është duke u koordinuar në aspektin ndër-institucional me organet përgjegjëse për t’i mbështetur në veprimet e tyre për kufizimin dhe parandalimin e këtij aktiviteti kundër ligjor, duke ofruar të gjithë bashkëpunimin e nevojshëm dhe mbështetjen profesionale dhe teknike.

BQK në këtë komunikatë ka bërë thirrje për qytetarët dhe bizneset që të kenë kujdes gjatë transaksioneve që kryejnë me monedhën 2 euroshe.

Banka Qendrore ka thënë se monedhat e vërteta janë të dallueshme nga ato false dhe se ka mundësi që të identifikohen.

“Monedhat e falsifikuara përgjithësisht kanë veti të ndryshme magnetike nga ato të vërteta, si dhe në pamje kanë një kualitet të dobët të detajeve, zakonisht ngjyrë të ndryshme të rrethit dhe sipërfaqes brenda rrethit dhe mungesë të shkronjave në skaje. Prandaj BQK udhëzon qytetarët dhe bizneset që për një verifikim më të lehtë të bazohen në manualin e publikuar në vijim: https://bqk-kos.org/edu/materialet/monedhat-euro/” , thuhet në njoftim.

BQK në komunikatë ka dhënë udhëzime edhe për bizneset që furnizimin me monedha ta bëjnë përmes bankave dhe t’i verifikojnë monedhat para se t’i vendosin në qarkullim.

“BQK udhëzon bizneset që furnizimin me monedha të bëjnë vetëm përmes bankave, monedhat e pranuara t’i verifikojnë para se të njëjtat t’i ri-qarkullojnë, të punojnë në vetëdijesimin dhe trajnimin e punonjësve dhe mënyrën e identifikimit të tyre.

Lidhur me këtë, bankat dhe institucionet tjera financiare duhet të vazhdojnë të ngrisin kapacitetet e tyre në adresimin e kësaj dukurie, të lehtësojnë furnizime me monedha të reja për qytetarët dhe bizneset dhe të shtojnë komunikimin me klientët dhe autoritetet përkatëse sa më efektivisht.

Gjithashtu, bankat dhe institucionet jo bankare, duke përdorur pajisjet e tyre adekuate dhe të avancuara, të lehtësojnë deponimin apo zëvendësimin e monedhave që detektohen si origjinale me denominime në monedha më të vogla apo kartëmonedha që konsiderohen nga qytetarët dhe bizneset më lehtë të qarkullueshme.

Për aq sa është e mundur, rekomandohet shmangia e përdorimit te parasë se gatshme dhe përdorimi i mjeteve elektronike të pagesave, por pa penguar dhe kufizuar te drejtën e secilit për të zgjedhur instrumentin ligjor te pagesës me rastin e kryerjes së pagesave”, thuhet ndër të tjer anë komunikatë.

BQK ka rikujatuar se falsifikimi i parasë është vepër penale dhe sanksionohet sipas Nenit 296 të Kodit Penal Nr. 06/L-074 të Republikës së Kosovës dhe Nenit 19 dhe 20 te Ligjit Nr. 03/L-209 për Bankën Qendrore të Republikës se Kosovës, kushdo që prodhon, vë në qarkullim, transporton, pranon, përdorë ose posedon paranë e falsifikuar me qëllim që ta vë në qarkullim si të vërtetë, dënohet me gjobë ose burgim. Prandaj, në rast të dyshimit, qytetarët dhe bizneset udhëzohen që të kontaktojnë Policinë e Kosovës në mënyrë që monedhat e dyshuara si të falsifikuara të tërhiqen nga qarkullimi dhe të dërgohen për analizë tek Agjencia e Kosovës për Forenzikë, ashtu qe te luftohet burimi i prejardhjes së tyre dhe shpërndarjes brenda vendit. Luftimi i këtij fenomeni do të vazhdojë dhe bashkëpunimi i tillë është i nevojshëm për rezultate efektive nga organet e zbatimit të ligjit.