Kosova me kokëdhimbje për portën, a ka kush e zëvendëson Aro Muriçin ndaj Sllovenisë? - Gazeta Express
string(83) "kosova-me-kokedhimbje-per-porten-a-ka-kush-e-zevendeson-aro-muricin-ndaj-sllovenise"

Futboll

Gazeta Express

05/11/2025 13:29

Kosova me kokëdhimbje për portën, a ka kush e zëvendëson Aro Muriçin ndaj Sllovenisë?

Futboll

Gazeta Express

05/11/2025 13:29

Kombëtarja e Kosovës po përballet me një shqetësim serioz para dy ndeshjeve më të rëndësishme të këtij cikli eliminator për Kupën e Botës, ndaj Sllovenisë më 15 nëntor në udhëtim dhe ndaj Zvicrës më 18 nëntor në shtëpi.

Në momentin kur “Dardanët” janë fuqishëm në garë për kualifikimin historik në Botëror për herë të parë, problemi më i madh duket se është pozita e portierit, shkruan Gazeta Express.

Aro Muri, numri një i padiskutueshëm i Kosovës, i cili ka qenë prej më meritorëve për sukseset e Kosovës në tri ndeshjet e fundit, do të mungojë në ndeshjen ndaj Sllovenisë për shkak të pezullimit me kartonë. Kjo mungesë ka lënë boshllëk të madh në portë, sidomos duke marrë parasysh rëndësinë e takimit.

Portieri Amir Saipi, që aktivizohet te Lugano, nuk është në formë të mirë, madje nuk ka luajtur asnjë minutë që nga 31 gushti, as me klubin, as me kombëtaren. Në këtë periudhë, Lugano ka zhvilluar 7 ndeshje, ndërsa Kosova 4, por Saipi ka mbetur gjithnjë në stol (përveç një ndeshje që nuk ka qenë fare në listë).

Opsioni tjetër, Visar Bekaj, po mbron rregullisht me Hataysporin në kategorinë e dytë të Turqisë, por cilësia e garës dhe forma e luhatshme mbeten shqetësime. Në dy ndeshjet e fundit ai është vlerësuar me notë 7.1, por në katër të mëparshmet ka pasur nota nën 6, duke treguar mungesë stabiliteti.

Në këtë grumbullim mund të ftohet edhe portieri i Dritës, Faton Maloku, i cili në dy grumbullimet e kaluara ishte në listën rezervë.

Me Zvicrën në kuotën e 10 pikëve dhe Kosovën me 7, çdo detaj mund të bëjë diferencën. Dhe mungesa e një portieri në formë të lartë, në këto dy ndeshje që mund të përcaktojnë fatin e ëndrrës botërore, është një rrezik real që mund t’i kushtojë shtrenjtë Dardanëve.

Kosova do të duhet të bëjë zgjedhjen e duhur mes shtyllave, nëse dëshiron të mbajë gjallë ëndrrën më të madhe në historinë e saj të futbollit. /Gazeta Express/