Kosova ishte më e rëndësishme se fati im personal - Gazeta Express
string(49) "kosova-ishte-me-e-rendesishme-se-fati-im-personal"

OP/ED

Gazeta Express

22/02/2026 11:29

Kosova ishte më e rëndësishme se fati im personal

OP/ED

Gazeta Express

22/02/2026 11:29

Deklarata përfundimtare e presidentit Hashim Thaçi në Gjykatën Speciale në Hagë.

Hagë, 18 shkurt 2026, teksti i publikuar në faqen “Fondacioni “Përkrahje për Mbrojtjen Juridike të Hashim Thaçit”.

I nderuar Kryetar i Trupit Gjykues, z. Smith,

Të nderuar gjyqtarë,

Dje, në Kosovë, u shënua 18-vjetori i Pavarësisë së Republikës së Kosovës. Më 17 shkurt 2008, duke ndjerë rrahjet e zemrave të stërgjyshërve tanë, shpallëm Kosovën shtet të pavarur dhe demokratik. Dëshiroj që nga këtu t’ua përcjell urimet më të përzemërta të gjithë qytetarëve të Kosovës për këtë festë madhështore.

Të nderuar gjyqtarë,

Për gati tri vjet, në këtë sallë gjyqi, ju i keni dëgjuar akuzat e Prokurorisë dhe argumentet e Mbrojtjes. Ju i keni parë faktet. Ju e keni dëgjuar të vërtetën. Është vetëm një e vërtetë: që akuzat nuk qëndrojnë! Unë jam plotësisht i pafajshëm. Por, e kam thënë dhe e them sërish, me bindje të plotë: Unë bashkëndiej dhe shpreh keqardhje për të gjitha viktimat që kanë pësuar në Kosovë, pa marrë parasysh përkatësinë etnike.

Të nderuar gjyqtarë,

Në kohën e masakrave në Qirez, Likoshan dhe Prekaz, në fillim të vitit 1998, unë isha student në Universitetin e Cyrihut. Unë nuk po bëja plane si ta merrja kontrollin në Kosovë. Po bëja plane si t’i përgatisja provimet. I vetmi njeri që po bënte plane morbide ishte Sllobodan Millosheviqi. Plane për një tjetër gjenocid, kësaj radhe në Kosovë.

Si shumë qytetarë të tjerë, edhe unë, më herët u detyrova ta lëshoja Kosovën. Sepse, regjimi i Millosheviqit po më ndiqte. Ai më kishte dënuar në mungesë, me akuzën se i kisha shkelur ligjet e tij diskriminuese. Më vonë, i njëjti regjim, do t’i dënojë në mungesë edhe Presidentin Clinton, Sekretaren Albright, Kryeministrin Blair, Kancelarin Schroder, Presidentin Chirac, Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Solana, dhe të tjerë.

Duke i parë masakrat ndaj popullit tim, unë, si edhe shumë të tjerë, nuk mund të qëndroja indiferent. Vendosa të kthehem në Kosovë. Ky ishte vendim krejtësisht personal i imi. Sepse, nuk mund të qëndroja anash ndërsa familja dhe populli im përballej me shfarosjen. Bëra atë që do ta bënte secili prej jush, nëse vendi juaj do të ishte në rrezik. Për këtë jam krenar dhe nuk i bie pishman asnjëherë.

Të nderuar gjyqtarë,

Prokuroria pretendon se qëllimi ishte marrja dhe ushtrimi i kontrollit të Kosovës. Kjo jo vetëm që është plotësisht e pavërtetë, tejet absurde, por është edhe thellësisht ofenduese. Është ofendim për kujtimin e mijëra heronjve që dhanë jetën për liri. Është ofendim për dhjetëra mijëra viktima të pafajshëm të vrarë dhe të masakruar. Është ofendim për përpjekjet e NATO-s dhe aleancës perëndimore, me të cilët punova ngushtë.

Më lejoni ta përsëris një të vërtetë të përjetshme: I vetmi kundërshtar i imi,  i popullit të Kosovës dhe i botës demokratike, ishte Sllobodan Millosheviqi dhe regjimi i tij.

Është e rëndë ta dëgjosh këtë akuzë.

Veçanërisht, kur, gjatës luftës, unë nuk e dija nëse do të isha gjallë prej ditës në ditë. Nuk isha i sigurt a do ta shihja më familjen time. Gruan time. Ose, ta mbaja sërish në duar djalin tim të porsalindur. E lëre më të ëndërroja të ushtroja kontroll në Kosovën e pushtuar plotësisht.

Fakti që disa prej nesh jemi gjallë sot, është krejtësisht rastësi, ose fat.

Unë nuk u ktheva për ta rrezikuar jetën time për kontroll dhe pushtet. U ktheva në atdhe duke rrezikuar jetën time për liri dhe paqe.

Pyetja që shtrohet është: marrja e kontrollit nga kush? E vërteta është se i tërë kontrolli dhe pushteti ishin në duart e hekurta të Millosheviqit.

Shqiptarët nuk ushtronin pushtet; ata shtypeshin nga pushteti. Misioni ynë si popull ishte i qartë: mbijetesa, liria dhe paqja.

Unë nuk kisha iluzione. Shpresa jonë e vetme për shpëtim ishte bota demokratike: Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe NATO. Gjatë gjithë kohës, fokusi im i vetëm ishte ndërtimi dhe forcimi i kësaj aleance. Për këtë qëllim, unë udhëtova në shumë kryeqytete për t’i bindur për kauzën tonë të drejtë: në Bruksel, Londër, Berlin, Paris, Bernë, Oslo, Vjenë, e në vende të tjera. Kudo që isha, isha në kontakt me zyrtarë të administratës amerikane. 

Millosheviqi e kishte filluar luftën, ndërsa ne kosovarët po vetëmbroheshim. Por, luftën mund ta përfundonte vetëm NATO. Dhe ashtu ndodhi. Po të mos ishte intervenimi i NATO-s, liri të Kosovës nuk do të kishte.

Kjo Prokurori më thuri shumë lavde, e më ndau shumë tituj e grada. Por, e vërteta është krejt tjetër. Nuk isha unë që transportova rezistencën nga Perëndimi në Kosovë. Unë iu bashkova asaj në Kosovë. Nuk ishte kthimi im nga Perëndimi arsyeja pse UÇK po masivizohej. Arsyeja ishte Millosheviqi.

Siç ka thënë Sekretarja e Shtetit Madeleine Albright në atë kohë: “Millosheviqi, me sjelljet e tij ndaj popullit të Kosovës, është rekrutuesi më i madh i UÇK-së”.

UÇK nuk ishte ushtri e një shteti. Ajo ishte organizim popullor që po mbrohej nga një shtet agresor. Fakti që UÇK-ja nuk ishte e organizuar, ashtu siç pretendon Prokuroria se ishte, nuk e zbeh aspak rolin e saj për lirinë e Kosovës. Nuk e bën kauzën e saj për çlirim më pak fisnike, e as arritjen e pavarësisë më pak historike. Fitorja e Kosovës ishte më shumë politike dhe diplomatike. Suksesi më i madh për popullin e Kosovës ishte bashkëpunimi i plotë me Perëndimin. Ata na ndihmuan, pikërisht sepse e dinin se kush ishim dhe çfarë qëllime kishim.

Unë, me asnjë çmim dhe në asnjë rrethanë, nuk do ta rrezikoja këtë aleancë me asgjë në botë. Sepse, ashtu do ta rrezikoja vetë lirinë e Kosovës. Do ta rrezikoja ekzistencën tonë kolektive. Qëllimi ynë ishte paqja, nuk ishte lufta.

Kur bota demokratike vendosi ta thërrasë Konferencën e Paqes në Rambouillet, ne iu përgjigjëm pozitivisht ftesës së tyre. UÇK ishte një nga tri grupet e përfaqësuara nga Kosova. Megjithëkëtë, gjatë gjithë procesit, ne punuam si delegacion i Kosovës. Pranuam marrëveshjen e paqes, edhe pse ajo nuk i plotësonte të gjitha kërkesat tona legjitime. Kosova zgjodhi paqen dhe demokracinë. Serbia zgjodhi luftën dhe gjenocidin.

Dhe për ta ndihmuar bashkësinë ndërkombëtare, ashtu siç na e kishin kërkuar ata, të tri grupet, LDK, UÇK dhe LBD, u pajtuam që të formonim një qeveri të përbashkët. Deri në zgjedhjet e para të lira dhe demokratike. Ishte marrëveshje për t’i bashkuar forcat për një qëllim të përbashkët: lirinë e Kosovës.

Si mundet dikush të pretendojë se qëllimi ishte marrja e kontrollit, kur ne pranuam që bashkësia ndërkombëtare ta kishte fjalën kryesore në Kosovë?

Pastaj, që UÇK-ja t’ia dorëzonte armët NATO-s.

Pas kapitullimit të Millosheviqit, Kosova u fut nën administrimin e OKB-së. UNMIK-u sqaroi se i gjithë pushteti ekzekutiv, legjislativ dhe gjyqësor ishte në duar të tyre. Këto ishin rrethana të reja. Më pas, unë punova me UNMIK-un, dhe me partitë e tjera politike, për të ndihmuar për zbatimin e mandatit të tyre në të mirë të popullit të Kosovës. Punova në struktura të përbashkëta me UNMIK-un. Gjatë kësaj kohe, i vetmi pushtet që kisha ishte pushteti i zërit tim. 

Dhe, të nderuar gjyqtarë, siç e keni parë gjatë procesit gjyqësor, unë e përdora zërin tim për të promovuar një shoqëri tolerante dhe shumetnike në Kosovë. Unë u bëra thirrje serbëve lokalë që të qëndrojnë në shtëpitë e tyre dhe ta ndërtojnë një jetë të re së bashku me ne. Edhe ata dhe pakicat tjera, sikurse ne, ishin viktima të Millosheviqit. Nuk ishte aspak e lehtë ta bëja këtë, pas tërë asaj që kishte ndodhur.

Por, ishte gjëja e duhur.

Në Kosovë, po hapeshin varre gjithandej, për mijëra viktima. Mijëra të zhdukur nuk gjendeshin. Mijëra pengje shqiptare ishin marrë me vete në Serbi. Dhimbja ishte e thellë dhe kolektive. Ajo që po bëja mund të kishte pasoja fizike dhe kosto elektorale për mua. Por, Kosova ishte më e rëndësishme se fati im personal.

Pas hyrjes së NATO-s në Kosovë dhe largimit të forcave serbe, qytetarët e Kosovës nuk po luftonin. Ata po festonin. Lirinë e shumëpritur.

Gjatë nëntë vjetëve para pavarësisë, ne ishim qytetarë të OKB-së në vendin tonë. Gjatë kësaj kohe, unë i bëra thirrje popullatës të kishte durim, të ishin tolerantë, të ishin të bashkuar dhe të kishin besim te partnerët tanë ndërkombëtarë.

Pavarësia ishte fryt i aleancës tonë me botën demokratike.

Pas pavarësisë, punova me Bashkimin Evropian dhe SHBA-në, për normalizimin e raporteve me Serbinë.

Të nderuar gjyqtarë,

Ajo me të cilën u përballëm nuk ishte vetëm periudha e luftës. Ishte një shekull shtypje dhe aparteid. Traumat kolektive shkaktuan edhe ndjenjën e fortë të zemërimit dhe hakmarrjes, gjatë dhe pas luftës.

Presidenti Clinton erdhi në Kosovë dhe na tha: “Ne e fituam luftën, ndërsa ju duhet ta fitoni paqen”. Unë e mora këtë mesazh seriozisht. E përdora zërin tim për të bërë thirrje për paqe dhe unitet.

Gjatë pjesës më të madhe pas luftës, deri në shpalljen e pavarësisë, unë isha jashtë pushtetit. Por, gjatë tërë kohës, unë respektova normat demokratike dhe rezultatet e zgjedhjeve. Dhe kurdo që partia ime ishte si fituese në pushtet, me fitore elektorale, ishte gjithmonë në koalicion me LDK-në dhe partitë e tjera politike joshqiptare. Së bashku e bëmë shtetin e Kosovës realitet.

Por, propaganda ruse dhe serbe nuk do të na e falnin lehtë. Pasi dështuan ta delegjitimojnë pavarësinë e Kosovës në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë, këtu në Hagë, ata ia mësynë Këshillit të Evropës. Ringjallën pretendimet e tmerrshme për trafikim organesh. Pretendime që ishin hetuar më parë nga Tribunali për ish Jugosllavinë, UNMIK-u dhe EULEX-i. Dhe ishin hedhur poshtë si të pabaza.

Sapo u publikua raporti i Dick Marty-t, si Kryeministër i Kosovës, mblodha përfaqësuesit kryesorë ndërkombëtarë, ambasadat e QUINT-it dhe udhëheqjen e EULEX-it. Kërkova edhe një tjetër hetim të pavarur. Ata premtuan se do ta heqin renë e zezë mbi Kosovën. E vërteta është që propaganda ruse dhe serbe manipuloi Dick Marty-n. Ai ra viktimë e fushatës së tyre. Ata e ushqyen me informacione të rreme dhe, në fund, tentuan edhe ta vrisnin për të na fajësuar neve. Qëllimi ishte i qartë: të diskreditohej projekti më i suksesshëm politik dhe ushtarak i aleancës perëndimore në dekadat e fundit.

Kur votuam në Parlament për themelimin e kësaj Gjykate, ne besuam se ajo do t’i trajtonte akuzat në raportin e Dick Marty-t. Dhe do të vepronte në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet e Republikës së Kosovës. Në praktikë, as njëra, as tjetra, nuk ndodhi.

Unë jam kritikuar shumë dhe kritikohem ende në Kosovë pse e mbështeta themelimin e kësaj Gjykate. Kritikët thonë se kjo Gjykatë synon kriminalizimin e luftës sonë për liri dhe idenë e pavarësisë. Këtë nuk e kam besuar në atë kohë kur e votuam. Por, uroj sinqerisht që koha ta dëshmojë që unë kisha të drejtë, e kritikët e kishin gabim. 

Kjo Prokurori, në vend se t’ia heqë renë e zezë Kosovës, kërkon t’ia zërë diellin me një stuhi të zezë: të ashtuquajturën “Ndërmarrje e Përbashkët Kriminale”.

Shumë nga akuzat që i kam dëgjuar nga kjo Prokurori në këtë sallë, i kam dëgjuar edhe gjatë fushatave zgjedhore në Kosovë.

Është vërtetë e dhimbshme që kjo Prokurori përpiqet t’i hedhë poshtë dëshmitë e zyrtarëve të lartë të NATO-s, SHBA-së, Britanisë së Madhe dhe OKB-së, në këtë Gjykatë. Të atyre dhe njerëzve të tyre që ishin tërë kohën bashkë me ne. Që ishin sytë dhe veshët e Perëndimit nga Kosova.

Për më keq, kjo Prokurori pretendon se unë i paskam vënë ata në lajthitje gjatë kohës së luftës. Si duket, kjo Prokurori sërish më mbiçmon më tepër se që e meritoj.

Në anën tjetër, lartëson deri në qiell dëshmitë e fabrikuara nga epoka e regjimit të Sllobodan Millosheviqit. Kështu, ajo e injoroi edhe vetë të vërtetën.

Të nderuar gjyqtarë,

Përkushtimi im për drejtësinë dhe viktimat ishte i vazhdueshëm.

Në Rambouillet, unë mbështeta kërkesën që Tribunali për ish Jugosllavinë t’i hetojë krimet e supozuara nga të gjitha palët.

Ndërsa, që nga përfundimi i luftës, të gjitha kompetencat për hetimin e krimeve të luftës ishin në duar të ndërkombëtarëve, Tribunalit për ish Jugosllavinë, UNMIK-ut dhe EULEX-it. Unë e mbështeta punën e tyre.  Asnjë i akuzuar në Kosovë për krime lufte nuk është arratisur. Dhe, madje, asnjë xham nuk është thyer për t’i kundërshtuar proceset ligjore gjatë 25 vjetëve të pasluftës.

Edhe pas shpalljes së pavarësisë, kur unë isha Kryeministër i Kosovës, u pajtova që hetimet e pavarura për krime lufte të mbesin në duart e EULEX-it.

Si President i Kosovës, angazhova ekspertë eminentë ndërkombëtarë dhe vendorë, të të gjitha komuniteteve, për ta krijuar një forum të drejtësisë tranzicionale për viktimat: Komisionin për të Vërtetën dhe Pajtimin.

Por, e vërteta është se drejtësia për viktimat nuk mund të ndërtohet duke ndjekur të pafajshmit. Pajtimi nuk mund të ndodhë me ndjekje selektive dhe një-etnike.

Të nderuar gjyqtarë,

Gjatë gjithë jetës sime, unë isha përkrah popullit, në mbrojtje të lirisë, jetës dhe dinjitetit. Gjithmonë duke u udhëhequr nga idealet perëndimore të demokracisë, barazisë dhe drejtësisë.

Sot, në përfundim të këtij procesi, e kam vetëm një lutje për ju: që vendimi juaj të udhëhiqet nga Kushtetuta e Kosovës, ligji, provat dhe drejtësia. Dhe provat e paraqitura e bëjnë shumë të qartë se akuzat nuk qëndrojnë! Prandaj, i vetmi vendim i drejtë është pafajësia e plotë.

Advertisement
Advertisement
Advertisement