Kosova hyri në EQAR para 10 vitesh, kthimi pas përjashtimit më 2018 shpallet si “lajm historik” e “arritje personale” - Gazeta Express
string(112) "kosova-hyri-ne-eqar-para-10-vitesh-kthimi-pas-perjashtimit-me-2018-shpallet-si-lajm-historik-e-arritje-personale"

Lajme

Gazeta Express

15/07/2025 15:14

Kosova hyri në EQAR para 10 vitesh, kthimi pas përjashtimit më 2018 shpallet si “lajm historik” e “arritje personale”

Lajme

Gazeta Express

15/07/2025 15:14

Dje në raportime të shumta u njoftua se Agjencia e Kosovës për Akreditim u bë anëtare në Regjistrin Evropian për Sigurimin e Cilësisë në Arsimin e Lartë, EQAR. Ministrja në detyrë e Arsimit, Arbërie Nagavci, shpejt e shpejt, përmes një video-adresimi në rrjetin social në Facebook, duke ia ngatërruar emrin agjencisë, e vlerësoi këtë si në lajm të madh për Kosovën. Përveç ngatërrimit të emrit, Nagavci në deklarimin e saj, la edhe një fakt anash duke mos e përmendur fare. Faktin që AKA ishte bërë së pari herë anëtare e EQAR në vitin 2015 në Dublin, shkruan Gazeta Express.

Pos Nagavcit, është edhe Naim Gashi drejtor i AKA-së, i cili reagoi me ngazëllim për këtë gjë.

I njëjti plot krenari e ndau “lajmin historik” se Kosova u pranua në EQAR. Tha se është arritja e tij më e madhe profesionale dhe një nga arritjet më të mëdha të Kosovës.

Anëtarësimin e Kosovës po ashtu ai e cilësoi edhe si “status prestigjioz”, të cilin e ka vetëm Kosova në Ballkanin Perëndimor.

“Me krenari ndajmë lajmin historik: Kosova është pranuar zyrtarisht në Regjistrin Evropian për Sigurimin e Cilësisë në Arsimin e Lartë (EQAR) – duke u bërë vendi i parë në Ballkanin Perëndimor që arrin këtë status prestigjioz! Kjo arritje e jashtëzakonshme vërteton përkushtimin e Kosovës për arsim cilësor dhe standarde evropiane.

Diplomat tona tashmë bartin vulën e cilësisë evropiane, duke hapur dyert e së ardhmes për studentët tanë”, shkroi ai.

Por, me një kërkim të shpejt, lehtë mund të gjendet edhe njoftimi i bërë para 10 viteve nga Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, lidhur me këtë çështje.

Aty nga MASHTI, theksohej se pranimi i Kosovës në EQAR është një zhvillim shumë i rëndësishëm për ndërkombëtarizmin e arsimit të lartë në vend

‘‘Pranimi i Kosovës në EQAR është një zhvillim shumë i rëndësishëm për ndërkombëtarizmin e arsimit të lartë në Kosovë dhe kontribuon në përmirësimin dhe avancimin e cilësisë në arsimin e lartë, si dhe është një mundësi e re për ndërlidhjen e institucioneve dhe studentëve tanë në sistemin evropian të arsimit të lartë. Anëtarësimi i AKA-së në EQAR, pas anëtarësimit të mëparshëm në ENQA, dëshmon për punën profesionale të AKA-së në zbatimin e standardeve dhe praktikave më të mira evropiane në sigurimin e cilësisë në arsimin e lartë’’, thuhet mes tjerash në njoftimin e atëhershëm të ministrisë.

AKA vazhdoi të ishte pjesë e EQAR për disa vite, deri në përjashtim e saj që ndodhi në vitin 2018.

Ky përjashtim u bë për shkak të pakënaqësive të shprehura nga vetë EQAR, lidhur me shkarkimin e bordit të AKA’së në vitin 2017, nga qeveria e atëhershme e udhëhequr nga Ramush Haradinaj.

Madje edhe vetë ish-kryeministri Haradinaj ishte deklaruar lidhur me këtë çështje, pasi që e njëjta aso kohe kishte ngjallur debat.

Haradinaj ishte shprehur se ka papajtueshmëri me gjendjen në arsim.

“Shpreha një papajtueshmëri në një gjendje, ky është qëllimi dhe se kjo është e vërteta e asaj që ka ndodhur. Ky nuk është vetëm një vlerësim i vlerave e të individëve por ky është vlerësim i gjendjes në sektor. Nuk është për asgjë tjetër por për një rinisje tjetër, për rritje të cilësisë, sepse nuk guxojmë të lejojmë një gjendje që nuk përmbush misionin që ka arsimi i plotë”, kishte deklaruar aso kohe Haradinaj.

Lidhur me shkarkimin e këtij bordi, vetë EQAR i ishte drejtuar me një letër, ministrit të atëhershëm të Arsimit, Shyqiri Bytyqi.

Në letrën drejtuar Bytyqit, EQAR kishte theksuar se AKA i nënshtrohet mbikëqyrjes nga vetë EQAR, për përputhshmërinë me Standardet dhe Udhëzimet për Sigurimin e Cilësisë në Hapësirën Evropiane të Arsimit të Lartë

Tutje, thuhej se shkarkimi i të gjithë udhëheqjes së agjencisë mund të vë në pikëpyetje nëse AKA vazhdon të përmbushë standardet e kërkuara.

‘‘Do ta vlerësonim shumë nëse do të mund të na sqaronit arsyet e vendimit për të shkarkuar të gjithë udhëheqësinë e AAK-së, në veçanti cilat kanë qenë saktësisht parregullsitë për të cilat thuhet se ishin përgjegjëse drejtuesit e saj. Gjithashtu, do të ishim mirënjohës nëse do të na informonit se kur pritet të emërohet një ushtrues i ri detyre dhe anëtarë të rinj të bordit të AAK-së, si dhe cili është procesi që do të ndiqet për këto emërime’’, ishte deklaruar në letrën e EQAR drejtuar ish-ministrit Bytyqi.

Ndërsa me rikthimin e AKA’së në EQAR, ka pasur edhe reagime të tjera. Ka qenë Rron Gjinovci, nga ORCA ai që ka komentuar këtë çështje.

I njëjti, për dallim nga Nagavci e theksoi se ky është rikthim i AKA-së. Gjinovci në komentin e tij, këtë ia atribuoi kryesisht disa individëve, duke aluduar se ‘‘rruga ka qenë vazhdimisht e penguar nga akterë të ndryshëm’’.

‘‘Ky rikthim shënon një sukses të madh institucional, por mbi të gjitha, një fitore të profesionistëve të pavarur ndaj ndërhyrjeve politike të viteve të fundit. Përkundër këtij suksesi, ORCA rikujton se rruga ka qenë vazhdimisht e penguar nga akterë të ndryshëm. Qëllimi i këtyre ndërhyrjeve ka qenë të lehtësohet akreditimi për institucionet private, shpesh për llogari të interesave klienteliste, duke sabotuar universitetet publike që kanë investuar me përkushtim në standarde të larta akademike’’, ka shkruar mes tjerash Gjinovci.

Pos këtij, deklarim ka bërë edhe kryetarja e Këshillit Shtetëror të Cilësisë, Hasnije Ilazi, e cila e cilësoi si ‘‘një sukses shumë i madh’’.

“Ky është një sukses shumë i madh, sepse jemi vendi i parë në Ballkanin Perëndimor, i cili ka hyrë në regjistrin evropian dhe është i barabartë tash me të gjitha institucionet evropiane dhe që në njëfarë forme puna jonë dhe jo vetëm puna, njëfarë lloj këmbëngulje, përkushtimi”, tha dje ajo. /GazetaExpress