Pjesëmarrja e grave në punë vazhdon të jetë e ulët. Kështu është thënë në një tryezë të organizuar nga Instituti Riinvest, ku temë diskutimi ishte, “Zhbllokimi i potencialit: Kostoja ekonomike e potencialit të pashfrytëzuar të grave” i mbështetur nga Fondi i Kombeve te Bashkuara për Popullsi (UNFPA) dhe i financuar nga Agjencia Austriake për Zhvillim (ADA).
Drejtori Ekzekutiv i Institutit Riinvest, Alban Hashani ka hedhur në pah barrierat me të cilat përballen gratë në Kosovë.
“Dokumenti i politikave që do te prezantohet sot, ‘Zhbllokimi i potencialit: Kostoja ekonomike e mos-përfshirjes së grave nga tregu i punës në Kosovë’, hendeqet gjinore në punësim dhe pjesëmarrje në tregun e punës përbëjnë një nga sfidat më të mëdha strukturore të vendit tonë. Megjithëse Kosova ka popullsinë më të re në Evropë, pjesëmarrja e grave në tregun e punës mbetet shumë e ulët. Gratë vazhdojnë të përballen me barriera që në mënyrë sistematike kufizojnë pjesëmarrjen e tyre në tregun e punës, e më gjerësisht në ekonomi“, tha ai.
Hashani tha se rezultatet e hulumtimit tregojnë mosshfrytëzimin e potencialit për rritje ekonomike.
“Por, ky dokument nuk na sjell vetëm një pasqyrë të problemeve – ai na sjell edhe një mesazh të rëndësishëm. Rezultatet e matjeve për Kosovën janë të qarta: mbyllja e hendekut gjinor në punësim mund të rrisë PVB për kokë banori ndërmjet 19-21%. Madje, edhe vetëm mbyllja e hendekut në pjesëmarrjen në fuqinë punëtore mund të sjellë një rritje prej gati 6% në PVB për kokë banori”.
“Për të nxjerrë këto rezultate është përdorur një metodologji, e cila përkundër kufizimeve të veta, arrin të evidentoj koston e mospjesëmarrjes në tregun e punës, si dhe ofron mundësi të krahasimeve me vendet tjera. Këto nuk janë thjesht shifra, këto janë tregues të një potenciali të madh të pashfrytëzuar, të një mundësie konkrete për rritjen ekonomike dhe mirëqenien e të gjithë qytetareve tanë“, shtoi Hashani.
Koordinatori i Zhvillimit të Kombeve të Bashkuara, Stephan O‘Malley tha se pa pjesëmarrje të grave në tregun e punës Kosova do të ecë më ngadalë drejt Agjendës 2030.
“Kosova ka popullatën më të re në Evropë, por nëse të rejat mbeten të përjashtuara, ky avantazh demografik humbet. Ndikon edhe në kohezionin shoqëror. Hendekët e qëndrueshëm mes burrave dhe grave thellojnë pabarazinë dhe zvogëlojnë besimin. Dhe ndikon në rrugën e zhvillimit të Kosovës”.
“Barazia gjinore është Objektivi i 5-të i Zhvillimit të Qëndrueshëm, por ajo shtyn përpara edhe Objektivin 8 për punë të denjë, Objektivin 10 për uljen e pabarazive dhe madje edhe Objektivin 1 për çrrënjosjen e varfërisë”.
“Pa pjesëmarrje më të madhe, Kosova do të ecë më ngadalë drejt Agjendës 2030“, tha O‘Malley.
Shefja e zyrës nga Fondi i Kombeve të Bashkuara për Popullsi (UNFPA), Visare Mujku tha se kjo problematikë është urgjencë që kërkon veprim të menjëhershëm.
“Ky nuk është thjesht një problem social, është një problem i rëndësishëm ekonomik. Kërkimi zbulon një mundësi të prekshme me vlerë multi-miliarda euro. Duke mbyllur hendekun gjinor në punësim, ne mund të rrisim PBB-në për frymë deri në 21.1%. Kjo nuk është një shifër teorike. Ky ishte një udhërrëfyes për një të ardhme më të begatë”.
“Ky problem është një urgjencë që kërkon veprim të menjëhershëm dhe të bashkërenduar nga të gjithë sektorët e shoqërisë Kosovare-nga institucionet deri te sektori privat“, tha Mujku.