Kanë kaluar më shumë se katër muaj nga zgjedhjet parlamentare, e Parlamenti nuk po konstituohet as pas 34 përpjekjeve.
Njohës të çështjeve politike vlerësojnë se kjo formë e vazhdimit të seancave çdo 48 orë pa kompromise politike, nuk mund ta nxjerrë vendin nga paraliza politike.
“Nëse flasim për dialogun strategjik mes SHBA-së dhe Kosovës atëherë kjo qeveri në detyrë nuk mund ta bëj, se nuk kemi as Kuvend. Pra çdo marrëveshje që mund të bëhet në këtë nivel kërkohet edhe ratifikim në Kuvendin e Kosovës. Prandaj deklaratat politike të partive parlamentare, janë qesharake në nivelin e inteligjencës, ose e bëjnë parlamentin ose të mos shkojnë fare. Shkuarja në Kuvend është bërë e pakuptimtë”, ka thënë politologu Dritëro Arifi.
“Konsideroj që Tashmë jemi më se të vonuar në këtë proces dhe partitë politike duhet patjetër të reflektojnë që sa më parë të ofrojnë një zgjidhje dhe një marrëveshje politike që kërkon fillimisht konsensus sa i takon zgjedhjes së kryetarit dhe më vonë edhe formimin e qeverisë. Të gjitha këto duhet të jenë në linjë me interesin e vendit”, ka thënë analisti Dorajet Imeri.
Edhe ambasadorët e akredituar në Kosovë kanë bërë thirrje që urgjentisht të formohen institucionet, duke e quajtur zhgënjyese mungesën e tyre, derisa kanë theksuar se Kosova nuk e ka luksin për një ngecje të tillë.