Kosova e vitit 1989-të dhe kjo e vitit 2020 - Gazeta Express
string(43) "kosova-e-vitit-1989-te-dhe-kjo-e-vitit-2020"

Gazeta Express

01/10/2020 10:32

Kosova e vitit 1989-të dhe kjo e vitit 2020

Gazeta Express

01/10/2020 10:32

E pabesueshme është çfarë kuptuam dhe si u sollëm në vitin 1989. E pabesueshme, është çfarë nuk po kuptojmë në këtë vjeshtën e vitit 2020. Thuajse bëhet fjalë për dy popuj. Dhe për dy vende të ndryshme.

Shkruan: Blerim Shala

Lexo Edhe:

Ora historike dhe politike e shqiptarëve të Kosovës, deri në vjeshtën e vitit 1988-të, u pati ndalë me 28 nëntorin e vitit 1912-të.

Në atë ditën kur u krijua Shqipëria si shtet i mëvetësishëm, Kosova ishte tashmë territor etnik shqiptar i okupuar nga Serbia.

Nuk duhej të ishte kështu. Nuk ishte e drejtë kjo. Kosova duhej të ishte pjesë e Shqipërisë.

Pa dyshim.

Por e drejta etnike dhe politike pa forcën tënde ushtarake dhe politike, dhe pa përkrahjen e shteteve të mëdha, është një çek bankar pa mbulesë. Nuk vlen gjë.  

Të gjitha lëvizjet e mundshme politike të shqiptarëve të Kosovës, të majta a të djathta, legale apo ilegale, prej atij nëntori të vitit 1912-të, deri te nëntori i vitit 1988-të, synonin  të krijonin rrethanat në Kosovë, në rajon  (në shtetin në të cilin Kosova ishte e okupuar), në Evropë dhe në Botë, të cilat do të mundësonin bashkimin e Kosovës me Shqipërinë.

Vet nuk kishim potencial real politik për diçka të tillë. Shqipëria komuniste nuk mund ta mbante veten, lëre më t’i ndihmojë kosovarëve në mënyrë të mirëfilltë. Serbia ishte ende njësia federale më e fuqishme në RSFJ  (Jugosllavi), e cila (Jugosllavi) tutje kishte përkrahjen e madhe në Evropë dhe në Amerikë. Për Evropën dhe Amerikën, tema e shqiptarëve në Kosovë kategorizohej brenda çështjes të së drejtave të njeriut.

Ta merrte mendja që fati i shqiptarëve të Kosovës ishte punë e kryer: Në dëm të tyre.

Brenda dy nentorëve, të viteveve 1988-të dhe 1989-të, pra, për vetëm 12 muaj, do të lëkundej një herë dhe pastaj do të niste shembja e këtij kobi historik dhe politik të shqiptarëve të Kosovës, i cili atëbotë njihte tre çerek shekulli të okupimit të Serbisë.

Së pari në Kosovë do të ndodhte Lëvizja e nëntorit, ku mbi gjysmë milioni shqiptarë të Kosovës, për pesë ditë rresht, në borë dhenë  shi bënë një Demonstratë paqësore politike, duke u shndërruar, për herë të parë në këtë historinë e Kosovës të Shekullit XX, në një popull politik që dëshiron të vendosë për fatin e vet.

Në shikim të parë, bëhej fjalë, në këto protesta, për ruajtjen e një statusi që kishte Kosova me Kushtetutën e vet, dhe në atë federale të vitit 1974. Në realitet, i gjithë ky potencial i shfaqur dhe i shpallur rrugëve dhe shesheve të Kosovës, tejkalonte shumëfish këtë statusin kushtetues të cilin Serbia ia kishte mësyer ta rrënojë.

Lëvizja popullore e nëntorit të vitit 1988-të, ishte gjithsesi një lloj i parathënieje e krijimit të Lëvizjes politike në Kosovë, në nëntorin, dhjetorin e vitit 1989-të, me LDK-në dhe subjektet tjera politike, të cilat do ta përbënin atë ’Alternativën kosovare’.

Në nëntorin e vitit 1989, pati ra Muri i Berlinit. Nisi shembja e Komunizmit, e Evropës së Lindjes, filloi fundi i ’Luftës së Ftohtë’.

Ashtu si ishin, shkrimtarë, gazetarë, publicistë, intelektualë shqiptarë, apo ata që i bënë subjektet e para politike pa kuptuar gjë nga demokracia parlamentare dhe nga Liberalizmi perëndimor, e kishin marrë vesh shumë mirë lajmin a ngjarjen kryesore në Evropë, në Botë, në Kosovë dhe në rajon. Gjithçka po ndryshonte. Njëmend gjithçka.

Ishte rasti ideal, mbase i vetëm, çfarë të ofrohet një herë në njëqind vjet  (siç zatën ishte ai me rënien e Perandorisë Osmane, në fillimet e Shekullit XX, lajm ky të cilin shqiptarët e kuptuan të fundit ndër popujt e Ballkanit dhe çmimi për këtë vonesë do të paguhej me koston më të shtrenjtë të mundshme), që të zihet filli i ndryshimit të fatit kombëtar të shqiptarëve në Kosovë.

Ora historike dhe politike e shqiptarëve të Kosovës nisi të lëvizë pikërisht në dimrin e vitit 1989.

Pa pushtet dhe pa organizimin e mirëfilltë politik, shqiptarët e Kosovës e kuptuan ’Kodin e vitit 1989’. Duhej synuar demokratizimin e Kosovës, duhej krijuar raporte miqësore me Perëndimin, duhej hyrë në përmbushjen e të drejtave kombëtare, përmes mëvetësisë, e cila që nga viti 1990 e tutje, do të merrte trajtën e krijimit të shtetit të pavarur.

Ishte një Strategji afatgjatë dhe largpamëse e një dyzinë intelektualësh shqiptarë, e bërë në biseda joformale në kafene dhe restorante, e jo në Parlament, në Qeveri, a në Institute, e cila do të bëhej Politikë fituese e Kosovës, me çlirimin dhe pavarësimin e Kosovës.

Nuk do të mbërrihej kurrë në qershorin e vitit 1999-të  (çlirimi i Kosovës), dhe në shkurtin e vitit 2008-të  (pavarësia e Kosovës), pa këtë mendim të jashtëzakonshëm politik.

Për fatin tonë të madh, Ora historike dhe politike e Serbisë dhe e kombit serb, përkundër kësaj përmbysjeje të madhe që po ndodhte në Evropë dhe në Botë në vitin 1989-të, kishte ngecur në vitin 1918-të, kur pas përfundimit të Luftës së Parë Botërore, u krijua Jugosllavia e parë, me një dominim evident të Serbisë.

Deri në këtë nëntorin e vitit 1989-të dhe kumti për rrëzimin e Murit të Berlinit, kushdo që ka udhëhequr me Serbinë, ishte i sigurtë që Perëndimi mbështetë pakushtimisht këtë shtetin e përbashkët  (të RSFJ-së), apo që, edhe në rrethanat fare të reja ndërkombëtare, Serbia do të mbetet aleati dhe partneri kryesor i Perëndimit në këto anë të Evropës.

Ishte ky një keqkuptim me pasoja dramatike dhe largëvajtëse (e largë-vajtuese) për kombin serb dhe për Serbinë.

Për dhjetë vjet rresht, në këtë harkun kohor pra prej vitit 1989-të deri në vitin 1999-të, politika zyrtare serbe u mundua në të gjitha mënyrat e mundshme politike, diplomatike dhe ushtarake, duke përfshirë këtu edhe katër luftërat e njëpasnjëshme, prej Sllovenisë të vitit 1991 deri te Kosova e viteve 1998, 1999, ta kthejë mbrapshtë një rrugëtim të historisë, apo ta ndalë marshin e një politike të re që zhbëri dhe shndërroi në hi dhe pluhur një Rend ndërkombëtar të krijuar në Ballkan.

Dihet çka ndodhi më pas, kudo në hapësirat e ish-RSFJ-së, edhe në Kosovë.

Ora e re historike dhe politike u shfaq këndjepari në trajtë të shtatë shteteve të reja: Prej Sllovenisë dhe Kroacisë deri te Kosova.

Kjo është një histori e njohur fare mirë për të gjithë ne, megjithëse e shpjeguar nga një këndvështrim tjetër, i cili tani vjen në shprehje, në këtë relacionin në mes të Kosovës dhe Serbisë, në rrethanat të cilat tani shfaqin një avantazh evident të Serbisë dhe një prapakthim edhe më të qartë të Kosovës.

Tani, ne kemi problem me të kuptuarit që shumëçka ka ndryshuar në rajon, në Evropë dhe në Botë, teksa duket që shumica prej nesh ende jemi të ngujuar diku në atë Orën e qershorit të vitit 1999-të, kur së bashku me çlirimin, me atë partneritetin e konfrmuar në luftë dhe në paqe me Perëndimin, mbërriti edhe paralajmërimi për krijimin e shtetit të Kosovës.

Është ky një defekt i madh politik, dhe ne përditë e më shumë po e paguajmë tagrin e këtij keqkuptimi.

Për dallim prej nesh, në Beograd, në udhëheqësinë e tanishme të Serbisë, është zënë goxha mirë filli i Evropës dhe Perëndimit të sotëm, që nuk është më as hija e Evropës dhe Perëndimit të vitit 1999-të.

Tash i kemi të gjithat, krahasuar me atë vjeshtën dhe dimrin e viteve 1989/1990: Kemi shtet, kemi Qeveri dhe Kuvend, skenë politike, Universitete, Kolegje dhe Institute sa të duash.

Por për dallim prej kohës së atëhershme, nuk kemi më Strategji kombëtare a shtetërore, nuk dimë çka të bëjmë me këtë shtet, dhe si ta rrumbullakësojmë këtë rrëfimin për shtetin e Kosovës, si këtu brenda nesh, ashtu edhe në Evropë dhe në Botë.

E pabesueshme, shikuar nga kjo perspektiva historike, është se çfarë kuptuam dhe si u sollëm në vitin 1989.

E pabesueshme, shikuar nga perspektiva e sotme është çfarë nuk po kuptojmë në këtë vjeshtën e vitit 2020.

Thuajse bëhet fjalë për dy popuj. Dhe për dy vende të ndryshme.

Tmerr.