Zëvendëskryeministri në detyrë, Besnik Bislimi, ka pritur sot në takim ambasadorin e Luksemburgut në Kosovë, Eric Dietz, së bashku me Drejtorin e Departamentit për Bashkëpunim Dypalësh, Renè Lauer në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Luksemburgut.
Ndër temat e diskutuara në këtë takim, Zyra e Kryeministrit njoftoi se u fol edhe për marrëveshjen e re dypalëshe, në kuadër të së cilës Qeveria e Luksemburgut ka rritur shumën e financimit për Kosovën në 50 milionë euro, nga 35 milionë sa ka qenë ajo e 2023-2026.
“Kjo marrëveshje, për vitet 2026-2030, pritet të nënshkruhet në takimin e dhjetë bilateral që do të mbahet në Luksemburg gjatë muajit korrik të këtij viti”, u tha në njoftim.
“Edhe kjo marrëveshje si ajo paraprake synon të kontribuojë në forcimin e administratës publike, zhvillimin e kapitalit njerëzor, dhe ndërtimin e një shoqërie të qëndrueshme. Ndërsa, fushat prioritare të bashkëpunimit do të jenë: arsimi, shëndetësia, inovacioni, digjitalizimi, siguria kibernetike, si dhe fusha të tjera me rëndësi strategjike për zhvillimin e vendit. Gjatë muajve në vijim institucionet do të punojnë në identifikimin e projekteve dhe detajizimin e tyre”, tha ZKM.
Bislimi falënderoi ambasadorin dhe shtetin e Luksemburgut për bashkëpunimin dhe përkrahjen e vazhdueshme që i kanë dhënë Kosovës ndër vite.
Ai theksoi rëndësinë e këtij partneriteti në forcimin e institucioneve dhe avancimin e reformave për zhvillim të qëndrueshëm.
“Ambasadori dhe drejtori i bashkëpunimit shprehën mirënjohjen rreth angazhimit dhe rezultateve të dukshme të institucioneve të Kosovës, ndër të cilat disa janë arritur përmes projekteve në kuadër të ndihmës dhe bashkëpunimit bilateral. Në takim u diskutua mbi rëndësinë e harmonizimit të mëtejshëm të prioriteteve dhe projekteve të përbashkëta, me qëllim të thellimit të mëtutjeshëm të bashkëpunimit dypalësh”, thotë ZKM./Express/