Kosova rrezikon të hyjë në një rekord të pazakontë në Evropë, duke pasur një nga ciklet më të shkurtra zgjedhore, si pasojë e krizave të njëpasnjëshme politike dhe mungesës së konsensusit institucional. Sipas të dhënave krahasuese, vendi ka kaluar në mënyrë të shpeshtë në procese zgjedhore brenda një periudhe të shkurtër kohore, duke e dalluar nga shumica e shteteve evropiane ku mandatet zakonisht zgjasin plotësisht.
Në shumicën e shteteve evropiane, tri palë zgjedhjet e fundit shtrihen në një periudhë prej rreth 7 deri në 10 vjet. Kosova dallohet ndjeshëm: nëse nuk arrihet marrëveshje për zgjedhjen e presidentit dhe vendi shkon në zgjedhje të reja, tri zgjedhjet e fundit parlamentare do të përfshiheshin brenda një viti e katër muajsh.
Vetëm gjatë vitit 2025, Kosova mbajti dy palë zgjedhje parlamentare, ndërsa vendi po përballet sërish me mundësinë e zgjedhjeve të reja për shkak të dështimeve për të zgjedhur presidentin. Zgjedhjet parlamentare të dhjetorit 2025 erdhën pas një ngërçi të gjatë politik dhe pas zgjedhjeve të mëparshme në të njëjtin vit, ku asnjë parti nuk siguroi shumicën e nevojshme për formimin e institucioneve stabile.
Kriza aktuale lidhet me pamundësinë për të zgjedhur presidentin, proces që kërkon kuorum të caktuar në Kuvend. Dështimi i rundit të parë në mars dhe afatet kushtetuese që pasuan e kanë shtyrë vendin drejt një tjetër momenti kritik, me rrezik real për zgjedhje të reja nëse nuk arrihet marrëveshje politike. /REL