Kosova dhe shansi i humbur për fitoren e korona-komunizmit - Gazeta Express
string(58) "kosova-dhe-shansi-i-humbur-per-fitoren-e-korona-komunizmit"

Kosova dhe shansi i humbur për fitoren e korona-komunizmit

Gazeta Express

28/03/2020 14:41

Rrëzimi i qeverisë Kurti ishte i teledirigjuar, jo për inate personale, po për ta ruajtur sigurinë dhe paqen, që mund të rrezikohej me politikat e tij populiste dhe ekskluziviste, nga të cilat do të mund të përftonin Serbia, Rusia dhe ekstremizmi i dhunshëm.

Shkruan: Milazim KRASNIQI

Lexo Edhe:

Kosova vazhdon të jetë problem i sigurisë, jo i demokracisë, edhe njëzet e një vjet pas çlirimit të saj. Sigurinë dhe paqen e Kosovës e mban NATO, e udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në bazë të Marrëveshjes Teknike-Ushtarake të Kumanovës dhe të rezolutës 124 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së. Edhe pse në ndërkohë (17 shkurt 2008) Kosova ka shpall pavarësinë e vet, në bazë të Planit Gjithëpërfshirës të Marti Ahtisarit, efektet e kësaj shpalljeje nuk kanë ndryshuar statusin e saj ndërkombëtar. Përkundër një opinioni të Gjykatës së Drejtësisë dhe mandatimit të BE-së nga Asambleja e Përgjithshme e OKB-së, që të ndërmjetësojë në dialogun ndërmjet Kosovës e Serbisë, Kosova nuk ka arritë të bëhet anëtare e OKB-së, as e OSBE-së, as e BE-së, as e NATO-s. Në fakt, Kosova ende figuron në Kushtetutën e Serbisë, si pjesë integrale e shtetit serb. Çka do të thotë kjo? Kjo do të thotë se nëse suspendohet Marrëveshja e Kumanovës dhe rezoluta 1244, Serbia mund të tentojë ta rikthejë Kosovën nën juridiksionin e vet shtetëror, e kjo do të thotë luftë e armatosur. Sa ka fuqi Kosova ta përballojë e vetme një agresion eventual të Serbisë, është çështje tjetër, por në atë rast lufta bëhet e pashmangshme, gjë që do të rrezikonte edhe stabilitetin e shteteve ballkanike, që tashmë janë anëtare të NATO-s.

Meqë Serbia nuk ka hequr dorë nga pretenSimi se Kosova është pjesë e shtetit serb dhe meqë statusi ndërkombëtar i Kosovës nuk është përmbyllur, Kosova potencialisht është vatër krize, ku paqja ruhet vetëm falë prezencës së NATO-s dhe mandatit të OKB-së. Thënë thjesht, Kosova është vatër krize e konservuar, por e pambyllur dhe si e tillë paraqet rrezik potencial për sigurisë rajonale e ndërkombëtare.

Brenda këtij kuadri të paqëndrueshëm të sigurisë, Kosova në planin e brendshëm tenton të funksionojë si shtet i pavarur, me institucione të dala nga zgjedhjet, por edhe këto institucione kanë brenda vetes statusin e vetë Kosovës, pra janë të brishta, të paqëndrueshme, të monitoruara, të subordinuara, me qëllimin që të mbahen brenda rregullave, që sigurojnë ruajtjen e sigurisë dhe të paqes. Në 20 vjetët që kaluan, siguria e brendshme është mbajtur me “njerëz të fortë”, sigurisht me monitorimin mbi ta nga ana e faktorëve ndërkombëtar. “Njerëzit e forte”, që kanë dhënë premtime për ruajtjen e sigurisë dhe paqes, janë shikuar ndërmjet gishtërinjve për korrupsionin dhe keqqeverisjen. Janë shikuar ndërmjet gishtërinjve edhe kur kanë bërë çrregullime të kontrolluara si trazirat e marsit 2004 dhe ngjarjet e Kumanovës.  Por, edhe janë vënë nën presion e janë ndëshkuar në forma të ndryshme, që nga akuzat në gjykatat vendore e deri te ngritja e Gjykatës Speciale. Ka qenë një lojë në litar ndërmjet akterëve ndërkombëtar e akterëve vendor, e mësuar gati përmendëhsh, ku secili e ka ditur se çështja tabu mbetet prishja e sigurisë brenda në Kosovë e në rajon. Në tërë këtë lojë, SHBA-të kanë rolin kryesor të disiplinimit të akterëve lokalë, po edhe të faktorëve ndërkombëtar. Kështu ka funksionuar deri 6 tetor 2019. Fitorja e LVV në zgjedhjet e 6 tetorit 2019, solli një tentativë që të dilet nga kjo kornizë. LVV tentoi që të injoronte aspektet e sigurisë, ashtu si ato shikohen nga pozita amerikane dhe tentoi të impononte një qeverisje gjasme të një shteti sovran, i cili nuk pranon sponsor e aq më pak tutor. Prandaj erdhi shpejt në konflikt të ashpër me zyrtarët amerikanë, të cilët që nga vitit 1999 dihet se në sytë e komunitetit ndërkombëtar janë sponsori kryesor i Kosovës. Realisht, SHBA-të kanë përgjegjësi morale dhe politike për  Kosovën e kjo nuk vihet në dyshim nga askush. Ky mandat nuk vihet në dyshim as nga Aleksandër Vuçiqi dhe qeveria e tij. Bile as nga Rusia. E pranojnë si të mirëqenë se për Kosovën duhet të flitet me Uashingtonin. I vetmi që nuk e pranoi këtë status ishte Albin Kurti dhe partia e tij. Prandaj, i gjeti ajo që i gjeti. I gjeti, sepse sjellja e tillë, që do ta përjashtonte SHBA-të nga përgjegjësia e sponsorit të shtetit të Kosovë, do të rriste ambicien e Beogradit për revansh kundër Kosovës. Do të rriste edhe ndikimin rus në rajon. Do të nxiste aktivizimin e ekstremizmit të dhunshëm, që është strehuar brenda LVV, duke e shikuar LVV si strehë të përshtatshme për konsolidim, që të dalë më vonë si forcë politike më vete. Reagimi i shpejtë dhe pothuajse brutal i SHBA-ve kundër Albin Kurtit, ishte në përpjestim me rrezikun nga këta tre faktorë, të cilët do të rrezikonin sigurinë dhe paqen në Kosovë. Konkluzioni i admnistratës amerikane si duket ishte që Kurti dhe qeveria e tij kanë qëndrim jomiqësor ndaj SHBA-ve. (Kjo nuk u tha publikisht, por është thënë qartësisht në diskrecion. Gazetarit i mundësohet të ruajë burimet.) Prandaj, mund të thuhet se rrëzimi i qeverisë Kurti ishte i teledirigjuar, jo për inate personale, po për ta ruajtur sigurinë dhe paqen, që mund të rrezikohej me politikat e tij populiste dhe ekskluziviste, nga të cilat do të mund të përftinon Serbia, Rusia dhe ekstremizmi i dhunshëm. Thjesht si pasuli.  

Tash këtu paraqitet një problem: njeërzit mund të mos jenë të kënaqur me rrëzimin e qeverisë Kurti në këtë kohë, në këët mënyrë, po edhe për faktin që ajo ishte rezultat i vullnetit politik në zgjedhjet e 6 tetorit 2019. Kjo ndjenjë është legjitime, në pikëpamje emocionale dhe psikologjike. Por, përtej kësaj, ne duhet të jemi të ndërgjegjshëm për statusin dhe pozitën fragjile të Kosovës, e cila në të vërtetë mbahet në këmbë vetëm falë përkrahjes amerikane. Kësodore, kuptohet lehtë se a është normale të presësh degën në të cilën qëndron, siç bëri Kurti dhe LVV.Nuk është normale të hysh në konflikt më të vetmin mbrojtës real të pavarësisë së Kosovës. Në fakt, mund të hysh, po mandej nuk mund të dalësh. Pse? Sepse përgjegjësia e SHBA-ve për Kosovën është e tillë që nuk lejon rrezikimin e sigurisë dhe të paqes. Kjo përgjegjësi e SHBA-ve për Kosovën nuk varet nga aktrimi i demokracisë sonë së brendshme. Këtë leksion do të duhej ta kishte kuptuar me kohë Albin Kurti dhe partia e tij. Tash pas rrëzimit, kur ta kuptojnë pse janë rrëzuar, kanë kohë ta analizojnë më mirë. Nëse nuk e kuptojnë të vërteën, një gjë tashmë është e sigurt: edhe nëse fitojnë zgjedhjet e radhës, ata kurrë më nuk e marrin pushtetin në Kosovë. Nuk do të lejohen të vijnë në pushtet ata që e rrezikojnë sigurinë dhe paqen, duke mundësuar fuqizmin e Serbisë dhe të Rusisë, si dhe duke krijuar hapësira për ekstremizmin e dhunshëm. Nga pikëpamja amerikane është fjala. Jo nga meditimet zhizhekiane, për fitoren e korona-komunizmit në botë, që sipas tij pritej të ndihmohej edhe me qeverisjen e Albinit.