Me tituj provokativë, Ministria e Kulturës së Serbisë do të prezantohet në Panairin ndërkombëtar të Librit që u hap të enjten në mesditë në arenën “Boris Trajkovski” në Shkup, me sloganin “Ushqim për shpirtin”. Bëhet fjalë për një monografi të titulluar “Qytetet e Kosovës dhe Metohisë 1878-1941”. Promovimi bëhet të hënën pasdite, ndërsa si botues është “Arkivi i Kosovës dhe Metohisë”, shkruhet ndër të tjera në Programin e publikuar nga organizatorët. Se kujt arkiv dhe të kujt shteti i referohet botimi ngre shumë pikëpyetje, pasi institucioni zyrtar i Kosovës quhet – Agjencia Shtetërore e Arkivave të Kosovës (ASHAK), shkruan gazeta KOHA.
Në faqen zyrtare të këtij institucioni tek historiku i institucionit të formuar në vitin 1951 ndër të tjera shkruhet: “Në periudhën e vendosjes së masave të dhunshme të pushtetit diskriminues të Serbisë, kemi periudhën fillimit të degradimit organizativ dhe profesional të Arkivit, me largimin nga puna të një pjese të profesionistëve shqiptar dhe me ndërprerjen e veprimtarisë arkivore gjithëpërfshirëse jo diskriminuese, sikurse përcaktojnë konventat dhe instrumentet ndërkombëtare që rregullojnë të drejtat dhe obligimet e shteteve demokratike të botës, përkitazi me parimet e organizimit të veprimtarisë arkivore. Dëmtimi/fragmentimi i fondeve arkivore, në këtë periudhë shënon kulmin e vet me marrjen përkatësisht grabitjen nga Serbia, të fondit të reformës agrare (e zbatuar veçanërisht pas ripushtimit të Kosovës në vitin 1918) me qëllim të kolonizimit të territorit të Kosovës përkatësisht përpjekjeve të organizuara, për të ndryshuar strukturën demografike të Kosovës. Ky fond tashmë vetëm pjesërisht gjendet në Arkivin Qendror të ASHAK, ngase pjesa më e madhe, është tërhequr nga Arkivi për në Beograd, në vitin 1991, duke mos u kthyer më”.
Si prezantime të tjera nga Ministria e Kulturës së Serbisë janë edhe titujt si – “Pasuritë kulturore materiale në rajonin e Ohrit në kohën e mbretërisë së Jugosllavisë”, apo edhe një tjetër promovim i një monografie “Kur Sava ishte Rastko”, “Shën Sava në letërsinë dhe kulturën serbe” e të tjera. Gjatë një jave të panairit, bie në sy numri i madh i promovimeve që i kushtohen gjuhës maqedonase. Panairi do të qëndrojë i hapur nga datat 4 deri më 14 maj. Ky është edicioni i 37-të me radhë ku marrin pjesë mbi 65 shtëpive botuese dhe më shumë se 110 promovimeve dhe takimeve me autorë, raporton KOHA.
Një nga ngjarjet më të rëndësishme është takimi me shkrimtarin e njohur gjerman Sebastian Ficek, ndërsa për më të rinjtë do të organizohen punëtori edukative dhe krijuese më 10 dhe 11 maj. Panairi do të ofrojë më shumë se 110 promovime dhe takime me autorë, ndërsa pritet që numri i vizitorëve të kalojë 30 mijë, nga të cilët rreth 12.000 pritet të jenë studentë.
Çmimet e biletave janë 100 denarë për biletë të rregullt, 50 denarë për nxënësit dhe 250 denarë për tre vizita. Hyrja është falas për fëmijët deri 12 vjeç në prani të prindërve. Me çdo biletë të blerë, 15 denarë do të dhurohen për Fshatin e Fëmijëve SOS. Sponsor i Panairit është edhe Ministria e Kulturës e Maqedonisë së Veriut.(koha.mk)