Kryetari i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi, në një intervistë që e dha sot në mediumin zviceran “Blick” e ka sqaruar situatën aktuale me Albian Hajdarin.
Përforcimi më i ri i Hoffenheimit është mes Zvicrës dhe Kosovës, ndërsa kreu i futbollit kosovar nuk e ka fshehur dëshirën dhe synimin për ta pasur atë në ekipin Dardan, përcjell “Gazeta Express”.
“Ne do të ishim të hapur për Albianin. Do të na bënte të lumtur dhe krenarë nëse ai do të na zgjidhte ne. Por, ne e mbështesim çdo vendim që ai e merr. Të gjithë kosovarët – qofshin nga Zvicra apo nga vende të tjera – janë të mirëpritur tek ne. Madje ua japim atyre mundësinë të na provojnë para se të vendosin. Pavarësisht nëse luajnë në futbollin e meshkujve apo të grave”, deklaroi Ademi.
“Ju thjesht e keni një komunitet të madh kosovar këtu. Por, fokusi ynë nuk është veçanërisht te Zvicra; ne kemi edhe lojtarë nga Gjermania, Franca dhe Skandinavia. Ju (zviceranët) vini re vetëm lojtarët që vijnë nga Zvicra, prandaj keni atë ndjesi (qesh)”, përfundoi Ademi. /Gazeta Express