Kosova afër martesave të së njëjtës gjini, a do të votojnë deputetët pro ligjit që shumë prej tyre i vë në siklet? - Gazeta Express
string(112) "kosova-afer-martesave-te-se-njejtes-gjini-a-do-te-votojne-deputetet-pro-ligjit-qe-shume-prej-tyre-i-ve-ne-siklet"

Albioneta Ademi

22/02/2022 14:47

Kosova afër martesave të së njëjtës gjini, a do të votojnë deputetët pro ligjit që shumë prej tyre i vë në siklet?

Albioneta Ademi

22/02/2022 14:47

Përmes Kodit të ri Civil, ka shpresë të hapet rruga që të gjithë qytetarët e Kosovës të kenë të drejtë të martohen me partneret/ët e tyre, pavarësisht gjinive që e përbëjnë çiftin. Por, për t’u shtruar kjo rrugë në një vend që ka prirje homofobike, nuk duket aq e lehtë. Më poshtë Express sjell qëndrimet e partive politike, bashkësive fetare, përfaqësuesve të komunitetit LGBT+, si dhe shpjegimin e Ministrisë së Drejtësisë se çka konkretisht thotë neni për martesat në Kosovë, i draftit të Kodit Civil, të dërguar në Kuvend.

Gazeta Express

Lexo Edhe:

Çështja e martesave të seksit të njëjtë gjithmonë ka heshtur edhe deputetët e grupet politike që kanë mendim për çdo gjë. Vështirë deklarohen qartë edhe për çështjen e rregullimit të martesave të gjinisë së njëjtë edhe hartuesit e projekt-Kodit, e edhe ata që pritet ta votojnë në Kuvend.

Zyra e Presidentes, Zyra e Kryeministrit dhe Zyra e Kryeparlamentarit, deri në këto momente kur po publikohet teksti, nuk kanë kthyer përgjigje kur janë pyetur se cili është qëndrimi i tyre rreth hapjes së rrugës ligjore për martesat mes personave të gjinisë së njëjtë.

Drafti i Kodit të ri Civil i hartuar në disa vite, është finalizuar dhe Qeveria e ka aprovuar më 29 dhjetor të vitit që lamë pas. Në fakt, aprovimi i kodit në tërësi është shenja e vetme e ZKM-së, megjithëse nuk ka kthyer përgjigje për temën specifike.

Tash, drafti është në Kuvend. Gjatë hartimit të tij që ka nisur e ka vijuar në qeverisje të ndryshme, në mënyrë sporadike është komentuar kryesisht vetëm ajo se si do të parashihet në Kod të ri çështja e martesave. Më saktësisht, a do të lejojë, apo a do t’i hapë rrugë, martesave të së njëjtës gjini në Kosovë. 

Çfarë saktësisht thuhet në draftin e Kodit të ri Civil, për martesat?

MD-ja e konsideron se procesi i hartimit dhe finalizimit të Projekt Kodit Civil, ka qenë gjithëpërfshirës dhe transparent, i hartuar në linjë me Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe direktivat e Bashkimit Evropian.

Për çështjen e martesave, në nenin e draft-Kodit 1138 të tij, janë 4 pika.

Për pikën e parë, thotë MD-ja, projekt Kodi Civil i Republikës së Kosovës ka arritur të ruaj “identitetin tradicional të martesës në Kosovë mes burrit dhe gruas”.

“Pra me hyrjen në fuqi të Kodit Civil, martesa është e lejuar vetëm ndërmjet burrit dhe gruas”, apostrofojnë nga kjo ministri.

Pika e dytë e nenit, ajo më e diskutueshmja, thotë se bashkësitë e regjistruara civile ndërmjet personave me sekse të njëjta janë të lejuara. Kushtet dhe procedura, thuhet aty, rregullohen me ligj të veçantë, i cili pritet të bëhet më pas.

“Megjithatë, me qëllim që hartimi i Projekt Kodit Civil të Kosovës të jetë në përputhje dhe në frymën e Kushtetutës së Republikës së Kosovës, paragrafi 2 i nenit 1138 të Projekt Kodit Civil, ka paraparë që bashkësitë e regjistruara civile ndërmjet personave me sekse të njëjta janë të lejuara, por që kushtet dhe procedura e tyre do të rregullohen me ligj të veçantë”, thuhet në sqarimin e MD-së për pikën, që është më e diskutueshmja e kësaj pjese të Kodit.

Neni 1138 i projekt-Kodit Civil

Mimoza Kusari e LVV-së u kërkon ta votojnë edhe konservatorët të Kuvendit, opozita aspak konkrete

Partitë politike në vend kanë zyrtarë dhe deputetë në gjirin e grupit të tyre, të cilët publikisht me deklarata apo postime në Facebook kanë treguar se nuk përkrahin nisma pro të drejtave të komunitetit LGBT+. Ndonjëherë kanë dhënë shenja homofobike.

Shefja e Grupit Parlamentar shumicë në Kuvend, Mimoza Kusari, ka thënë se do të ketë diskutime brenda grupit të saj. Ajo e pranon se edhe në grupin e LVV-së në Kuvend ka zëra të ndryshëm specifikisht lidhur me pikën ku flitet për martesa, por u ka kërkuar të gjithë deputetëve, edhe atyre më konservatorëve, që të përkrahin.

“Grupi Parlamentar  i Vetëvendosjes do ta ketë në diskutim. Natyrisht secili grup parlamentar ka zëra të ndryshëm përbrenda në raport me një referencë dhe ajo referencë ka të bëjë me rregullimin e martesës së gjinisë së njëjtë me ligj tjetër të veçantë, e cili nuk duhet t’i ndalojë edhe ata që kanë pikëpamje konservative të votojnë këtë projekt-kod, për arsye të peshës e rëndësisë dhe gjitha të tjerat”, ka thënë Kusari, pasi u caktua që në seancën e ardhshme të shqyrtohet parimisht projekt-Kodi Civil.

“E respektojmë dhe vlerësojmë mendimin e gjithsecilit, besojmë që ky projekt-kod është tepër i rëndësishëm dhe duhet të mbështetet nga të gjitha deputetët e Kuvendit të Republikës së Kosovës pa dallim”, tha Kusari.

Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri, kur pyetët konkretisht për cështjen e rregullimit të martesave, refuzon të përgjigjet qartazi, duke thënë se kjo, bëson ai, do të diskutohet dikur më vonë, pasi për të parashihet ligji i veçantë.

“Mendoj që edhe në Kod Civil ka mbetur që kjo çështje të rregullohet me një ligj të vecantë  dhe unë besoj se ai do të jetë një debat tjetër parlamentar, në rast se votohet, apo jo. Kjo çështje nuk është që po rregullohet nesër në Kod Civil. Unë besoj që, edhe si shoqëri, edhe si përfaqësues të qytetarëve, në këtë insititucion mjaft të rëndësishëm, duhet të jemi të vetëdijshëm për rëndësinë e këtij dokumenti [flet projekt-Kodin Civil]”, ka thënë Tahiri.

Driton Selmanaj nga radhët e LDK-së nuk është përgjigjur rreth pyetjeve të dërguara në mënyrë elektronike nga Gazeta Express.

Besnik Tahiri i AAK-së thotë se është befasuar që u fut si pikë e rendit të ditës së seancës së ardhshme shqyrtimi i Kodit të ri Civil. Thotë se në grupin e tij parlamentar nuk është diskutuar akoma nëse përkrahet ose jo cështja e rregullimit të martesave.

“U befasova kur e pashë në agjendën e Kuvendit, për shkak se në mbledhjen kur është votuar Kodi, në mbledhjen e Komisionit, kemi diskutuar për ta ftuar ministren e Drejtësisë, për të marrë disa sqarime. Janë një varg nenesh që kishim dashtë sqarime shtesë nga Ministria. Nuk e kemi diskutuar, sepse nuk kam pritë që vjen në seancë, besoj se do të ketë reagim edhe nga kolegët tjerë. Kodi Civil është jashtëzakonisht i rëndësishëm, do të duhet ta lexojmë e ta trajtojmë. Do të kemi një qëndrim të saktë, në parim si grup parlamentar mbështesim me e pasë një Kod Civil, por duhet ta trajtojmë”, ka thënë ai, pas mbledhjes së kryesisë së Kuvendit.

Komuniteti LGBT+

Drejtori ekzekutiv i Qendrës  për Zhvillimin e Grupeve Shoqërore (CSGD), Arbër Nuhiu, në një përgjigje me shkrim për Gazetën Express, ka thënë se projekt-Kodi Civil nuk ofron zgjidhje ligjore për martesat, bashkëjetesën apo bashkësitë tjera të personave me sekse të njëjta.

Nga kjo qendër komentojnë paragrafin 2 të nenit të cilin e ka sqaruar MD-ja, ku flitet për bashkësitë e regjistruara civile të personave të gjinisë së njëjtë.

“Sipas legjislacionit të aplikueshëm, nuk dihet çka nënkuptohet për “bashkësitë e regjistruara civile”. Pra as Kodi Civil dhe as një ligj tjetër në fuqi nuk ofrojnë ndonjë dispozitë që do të materializonte aktualisht “bashkësitë e regjistruara civile””, thuhet në përgjigjen e Nuhiut.

Për këtë pikë Nuhiu rëndit disa vërejtje e një ndër to është se vlerëson se “dizpozita është e natyrës deleguese: pra sqaron që një ligj tjetër (dhe jo Kodi) do të rregullojë kushtet dhe procedurat  për regjistrimin e këtyre bashkësive të regjistruara civile”.

Bashkësitë fetare

Grupi tjetër që përfshihet në debatin për lejimin e martesave të gjinisë së njëjtë, jo vetëm në Kosovë, por kudo, është ai i bashkësive fetare.

Gazeta Express ka pyetur Bashkësinë Islame të Kosovës dhe Ipeshkvinë e Kosovës. E para nuk është përgjigjur deri në publikimin e këtij teksti, ndërsa Don Fatmir Koliqi nga Ipeshkvia ka treguar se të gjitha bashkësitë fetare në vend janë bërë bashkë dhe do të dalin me një deklaratë për cështjen e hapjes së rrugës së martesave të gjinisë së njëjtë, përmes Kodit të ri Civil.

“Këto ditë Bashkësitë Fetare në KS do të dalin me një deklaratë të përbashkët për këtë çështje. Do të jeni të informuar me kohë”, thuhet në përgjigjen e Ipeshkvisë.

Myftiu i Kosovës, Naim Tërnava, në fjalën e tij drejtuar besimtarëve në ditën e festës së Bajramit gjatë vitit 2021, pati thënë se familja është vetëm ajo e ngritur nga martesa mes një burri dhe gruaje dhe çdo nismë tjetër është goditje e familjes së shëndoshë.

Deri më tash, bashkësitë fetare aktivisht e kundërshtojnë lejimin e martesave të komunitetit LGBT, por Papa Francesku jep shenja të përkrahjes së këtij komuniteti dhe të të drejtave të tyre. Ai në shtator të vitit të kaluar pati thënë se martesat në kishë nuk mund t’i ndryshojnë, por bashkësitë civile të homoseksualeve janë “të mira dhe ndihmuese” për shumë njerëz.

Hartimi i Kodit Civil

Hajredin Kuçi ka qenë pjesë e komisionit që e ka hartuar Kushtetutën, e shumë më vonë i ka rënë ta drejtojë edhe Komisionin që e ka hartuar draftin e Kodit të ri Civil.

 Ai thotë se për çështjen e martesave të gjinisë së njëjtë do të ishte më së miri që të merret vendim politik, pra nga Qeveria, e më pas ajo të përfshihet në projekt-Kod.

“Vendimi duhet të jetë politik. Në Bosnjë dhe Hercegovinë, Qeveria ka marrë vendim. E merr vendim politika, eksperti e shkruan për qysh e merr vendim. Por, Kushtetuta e ka lënë hapur. Do të thotë, cilido vendim që merret, në Kushtetutë nuk ka pengesë. Është vendim i politikës. Qeveri t’u frikësoftë, le ta çon në Kuvend, por politika duhet me e marrë”, ka thënë Kuçi në një intervistë në Pressing, të enjten.

Në Kushtetutën e Republikës së Kosovës, në nenin për të Drejtën e Martesës dhe Familjes thuhet se ‘’Në bazë të pëlqimit të lirë, çdokush gëzon të drejtën të martohet dhe të drejtën që të krijojë familje në pajtim me ligjin; 2. Martesa dhe zgjidhja e saj rregullohen me ligj dhe bazohen në barazinë e bashkëshortëve; 3. Familja gëzon mbrojtje të veçantë të shtetit, në mënyrën e rregulluar me ligj’’. /Express/