Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Philip Kosnett, në një intervistë për Kallxo.com, ka thënë se Administrata aktuale e Joe Biden dhe ish-administrata e Trump kanë qasje përafërsisht të njejtë ndaj Kosovës. Ai në këtë intervistë ka përmendur edhe faktin që Administrata e Biden edhe zyrtarisht ka pranuar zotimet e Washingtonit si të vetat.
Kosnett ka thënë se qëllimet amerikane për Kosovën mbeten të njëjta, derisa përmendi si shembull përkrahjen e Administratës Biden drejt Marrëveshjes së Uashingtonit.
“Qëllimet tona të përgjithshme amerikane për Kosovën mbesin të njëjta: paqe, drejtësi, prosperitet.. Mendoj se p.sh. shumë njerëz u befasuan kur administrata e Bidenit, e cila i ndryshoi shumë nisma të politikës së jashtme të administratës paraprake, zyrtarisht i pranoi zotimet e Uashingtonit si të vetat sepse ne besojmë se përpjekjet për forcimin e lidhjeve ekonomike të Kosovës me fqinjët e saj, përfshirë edhe Serbinë, janë shumë të rëndësishme për ardhmërinë ekonomike të Kosovës”, ka deklaruar ai.
Kosnett, tutje ka thënë se ndonëse metodat e Administratës Trump dhe asaj Biden ka qenë të ndryshme, qasja e përgjithshme ndaj Kosovës nuk ka qenë shumë e ndryshme.
“Nuk do të thosha se pajtohem që qëndrimet janë krejtësisht të ndryshme. Qartazi qasja, metodat e dy qeverive, të dy administratave amerikane kanë qenë mjaft të ndryshme, por nëse e shihni strategjinë e përgjithshme amerikane, qasjen e përgjithshme amerikane ndaj Kosovës, ajo nuk ka ndryshuar shumë përgjatë viteve, varësisht se kush është në Zyrën Ovale”, ka shtuar tutje ai.
Çdo shtëpi është një hapësirë që duhet të jetë komode dhe e organizuar, për të lehtësuar jetën tonë të...