Kos: S'jam e kënaqur që do të ketë zgjedhje në Kosovë, shpresoj se pas tyre do të ketë qeveri që mund t'i çojë përpara reformat - Gazeta Express
string(123) "kos-sjam-e-kenaqur-qe-do-te-kete-zgjedhje-ne-kosove-shpresoj-se-pas-tyre-do-te-kete-qeveri-qe-mund-ti-coje-perpara-reformat"

Lajme

Gazeta Express

23/11/2025 21:45

Kos: S’jam e kënaqur që do të ketë zgjedhje në Kosovë, shpresoj se pas tyre do të ketë qeveri që mund t’i çojë përpara reformat

Lajme

Gazeta Express

23/11/2025 21:45

Komisionerja Evropiane për Zgjerim, Marta Kos, ka deklaruar se kriza aktuale politike në Kosovë po ndikon drejtpërdrejt në proceset që lidhen me Planin e Rritjes për vendin.

Ajo gjatë një interviste për A2CNN, shprehu pakënaqësinë e saj për faktin që Kosova po shkon sërish në zgjedhje, duke theksuar se Komisioni Evropian është në pritje të ratifikimit të dy marrëveshjeve që janë thelbësore për të lëshuar fondet.

Megjithatë, Kos theksoi se demokracia në Kosovë po funksionon dhe se vendi ka bërë përparime të qëndrueshme reformuese.

Komisionerja shtoi se Kosova, ndonëse ende jo vend kandidat zyrtar, është plotësisht e përafruar me politikën e jashtme dhe të sigurisë së BE-së, në nivel të ngjashëm me Shqipërinë.

Ajo tha se e sheh Kosovën si pjesë të pandashme të projektit të zgjerimit evropian, duke shtuar se nuk mund të imagjinohet Bashkimi Evropian i përmbyllur pa përfshirjen e Kosovës.

Pyetjet dhe përgjigjet:

Pyetje: Vizita juaj është në Tiranë, por nuk mund ta përfundoj këtë intervistë pa pyetje në lidhje me Kosovën. Si e sheh Komisioni Evropian krizën aktuale politike në Kosovë? Dhe a po ndikon ajo në rrugën drejt BE-së, përfshirë çështjen e kufirit dhe normalizimin e dialogut mes Prishtinës dhe Beogradit?

Komisionerja Kos: Për çështjen e Kosovës, nuk jam e kënaqur që tani do të kenë përsëri zgjedhje, por demokracia e tyre po funksionon dhe jam e kënaqur për këtë. Pse nuk jam e kënaqur? Sepse po presim ratifikimin e dy marrëveshjeve për Planin e Rritjes. Pra, për momentin, Kosova po i bën reformat, por ne nuk mund t’i paguajmë paratë sepse nuk i kemi këto dy marrëveshje. Nga ana tjetër, siç e dini, Kosova, edhe duke mos qenë ende kandidate zyrtarisht, është plotësisht e përafruar me politikën e jashtme dhe të sigurisë evropiane, ashtu si dhe vendi tuaj, Shqipëria. Ju keni marrëdhënie shumë të mira me këtë vend, që do të thotë se nuk mund ta përfytyroj përfundimin e bashkimit të Evropës pa integruar edhe Kosovën në Bashkimin Evropian. Pra, do të punojmë për këtë. Unë shpresoj se së shpejti, pas zgjedhjeve, do të kemi një qeveri të re dhe pastaj, qeveria është ajo që mund të shtyjë përpara reformat. Dhe jam e sigurt se janë të gatshëm ta bëjnë këtë në aspektin ekonomik. Po ecin shumë mirë. Ata kanë kryer tashmë disa nga reformat, kështu që mezi pres që të kenë një qeveri funksionale dhe efikase dhe, pastaj, do të mund të përshpejtojmë, ndoshta në një moment tjetër, edhe procesin e anëtarësimit.

Pyetje: A është viti 2030 një datë për të gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor?

Komisionerja Kos: Këtë nuk mund ta them, varet se sa shpejt do t’i bëjnë vendet reformat dhe sa do të përafrohen me legjislacionin evropian. Për momentin, ne e dimë, edhe ju e di, se kem dy vende më të avancuara. Njëri prej tyre është vendi juaj. Pra, për Malin e Zi, për Shqipërinë, mund të them këtë. Por, për shembull, për Beogradin, për Serbinë, ka pasur disa hapa prapa. Pra, shpresoj se do të jemi në gjendje të ecim në rrugën evropiane. Për Bosnjën, nuk kemi filluar ende. Për Maqedoninë e Veriut, nuk kemi filluar ende. Pra, me siguri që po, dhe kemi edhe mbështetjen e shteteve anëtare, dhe nëse gjithçka shkon mirë, realisht disa nga vendet e Ballkanit Perëndimor do të mund të na bashkohen. Dhe nuk mund t’ju them sa e lumtur do të jem kur kjo të ndodhë. Duke qenë se vij nga kjo zonë, nga Ballkani, vetëm vendi im dhe Kroacia mundën të bashkohen me BE-në. Prandaj duhet t’i fusim të gjitha vendet në BE. Ky është edhe vizioni im.