Komisionarja për Zgjerim e Bashkimit Evropian, Marta Kos, mbërriti më 22 shtator në një vizitë triditëshe në Bosnje e Hercegovinë.
Ajo u takua tashmë me anëtarin boshnjak të Presidencës së Bosnje e Hercegovinës, Denis Beqiroviq.
Në takim nuk morën pjesë serbja Zhelka Cvijanoviq e as kroati Zhelko Komshiq.
Gjatë vizitës, Kos do të takojë edhe zyrtarë të tjerë të këtij vendi, ndërsa do të flasë edhe para Parlamentit të Bosnje e Hercegovinës.
Gjithashtu, do të takohet me përfaqësues të organizatave të shoqërisë civile, mediave, komuniteteve lokale, grave me ndikim në biznes dhe të rinjve nga e gjithë Bosnje e Hercegovina.
Sipas një njoftimi të Delegacionit të Komisionit Evropian në Bosnje e Hercegovinë, qëllimi i vizitës është t’i japë mbështetje këtij vendi në rrugën drejt BE-së.
“Komisionarja do t’i inkurajojë autoritetet që t’i ndërmarrin të gjithë hapat e nevojshëm për të realizuar konferencën e parë ndërqeveritare të shumëpritur, dhe do të theksojë rëndësinë që Bosnje e Hercegovina të mos humbasë mundësinë unike që ofron Plani i Rritjes për Ballkanin Perëndimor”, thuhet në njoftim.
Bosnje e Hercegovina mori dritën jeshile për negociata për anëtarësim të plotë në BE në mars të vitit të kaluar, por Brukseli ka paralajmëruar se bisedimet do të fillojnë vetëm pasi vendi të përmbushë një sërë kushtesh.
Ato përfshijnë harmonizimin me politikën e jashtme të BE-së, që nënkupton, për shembull, edhe vendosjen e sanksioneve ndaj Rusisë, për shkak të pushtimit të Ukrainës – një vendim ky që kundërshtohet nga përfaqësuesit e entitetit serb të Bosnjës, Republika Sërpska.
Një tjetër kusht është shmangia e diskriminimeve etnike dhe territoriale në zgjedhjen e anëtarëve të Presidencës, si dhe reforma e Gjykatës Kriminale dhe Gjykatës Kushtetuese.
Çka është Plani i Rritjes?
Plani i Rritjes prej 6 miliardë eurosh përfshin investime dhe reforma për vendet e Ballkanit Perëndimor si pjesë e agjendës reformuese për periudhën 2024-2027. Nga kjo shumë, dy miliardë janë në formë granti, ndërsa katër miliardë euro janë në formë kredie me këste shumë të favorshme.
Plani synon të përshpejtojë reformat dhe t’i përgatisë ato për anëtarësim.
Qëllimi kryesor është mbështetja për harmonizimin e partnerëve nga Ballkani Perëndimor me vlerat, ligjet, rregullat, standardet, politikat dhe praktikat e BE-së, me qëllim të anëtarësimin e ardhshëm në BE, si dhe integrimin progresiv të tyre në një treg të vetëm evropian, si dhe konvergjencën socio-ekonomike me BE-në.
Burimet financiare janë planifikuar për të mbështetur një sërë reformash socio-ekonomike dhe themelore, duke përfshirë reformat që lidhen me sundimin e ligjit dhe të drejtat themelore.
Parakushtet e përgjithshme për mbështetjen e BE-së sipas Planit të Rritjes përfshijnë mbështetjen dhe respektimin e vazhdueshëm për mekanizmat efektivë demokratikë, duke përfshirë një sistem parlamentar shumë-partiak, zgjedhje të lira dhe të ndershme, media pluraliste, një gjyqësor të pavarur dhe sundim të ligjit, si dhe garantimin e respektimit të të drejtave të njeriut, duke përfshirë të drejtat e pakicave.
Brukseli ka paralajmëruar se pa një plan të qartë reformash dhe pa zbatimin e tij, Bosnje e Hercegovina nuk do të marrë as fonde të BE-së e as kredi me kushte të favorshme.
Shuma e parë prej 108 milionë eurosh nga rreth një miliard euro të planifikuara me Planin e Rritjes për Bosnjën, u ridrejtua verën e kaluar drejt vendeve të tjera.
Në tetor, Bosnja mund të humbasë një shumë të ngjashme, pasi Komisioni Evropian ka theksuar se fondet do t’u jepen atyre që avancojnë, jo atyre që mbeten pas. /REL/