Komisionerja e Bashkimit Evropian për Zgjerim, Marta Kos, ka theksuar edhe një herë se përparimi i Serbisë drejt anëtarësimit në BE varet nga përmbushja e reformave kyçe, me theks të veçantë në normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën.
Pas një takimi të mbajtur në Bruksel me kryetaren e Kuvendit të Serbisë, Ana Brnabiq, dhe ministrin serb për integrime evropiane, Nemanja Staroviq, Kos theksoi se Serbia duhet të përmbushë reformat e mbetura, përfshirë reformat në media dhe sistemin zgjedhor.
“Përsërita se zbatimi i reformave mediatike dhe zgjedhore mbetet thelbësor për rrugën e Serbisë drejt BE-së dhe për rikthimin e besimit te të gjitha palët e interesuara”, shkroi Kos në platformën X.
Ajo vuri theksin veçanërisht te domosdoshmëria e normalizimit të marrëdhënieve me Kosovën, duke e përmendur si një nga pengesat më të mëdha për anëtarësimin e Serbisë në BE. Përveç kësaj, sfida të tjera që Serbia duhet të adresojë përfshijnë reformat në drejtësi, respektimin e të drejtave themelore dhe harmonizimin e politikës së jashtme me Brukselin.