Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës ka bërë të ditur të hënën se në muajin korrik është regjistruar temperature rekorde – mbi 40 gradë Celsius.
“Vlerat maksimale prej 42.4°C në Klinë dhe 42.3°C në Han të Elezit janë të pashembullta në historinë klimatike të vendit dhe tregojnë një devijim të madh nga mesatarja shumëvjeçare për këtë muaj”, ka thënë Instituti përmes një postimi në Facebook, duke treguar se mesatarja e korrikut në Kosovë shkonte mes 30-35 gradë Celsius.
Para korrikut të vitit 2025, temperatura më e lartë ndonjëherë ishte regjistruar në Prizren më 1987 – 40.8 gradë Celsius.
Sipas Institutit, shifrat e korrikut të këtij viti janë konfirmim i paralajmërimeve shkencore për përshpejtimin e ndryshimeve klimatike.
“Rritja e temperaturave ekstreme është një nga pasojat më të drejtpërdrejta të ngrohjes globale. Modelet klimatike dhe raportet ndërkombëtare (p.sh., IPCC) parashikojnë se Evropa Juglindore, përfshirë Ballkanin, do të përballet me më shumë valë të të nxehtit, thatësira të gjata dhe reshje të rralla por intensive. Korriku 2025 përkon me këtë tendencë, duke reflektuar një klimë gjithnjë e më të paqëndrueshme dhe të ngarkuar me energji termike”, është thënë në postimin në Facebook.
Instituti ka përmendur edhe pasojat e temperaturave të larta, duke thënë se ato ndikojnë në rritje të sëmundjeve me të nxehtin – goditje termike, probleme kardiovaskulare – më pas në stres për bimësinë, kafshët dhe ekostetmet ujore, si dhe në dëme ekonomike, për shkak të dëmeve në bujqësi dhe rritjes së konsumit të energjisë për ftohje dhe rrezik për infrastrukturën.
“Ngjarjet klimatike të korrikut 2025 përbëjnë një sinjal të qartë për domosdoshmërinë e veprimit të menjëhershëm dhe të koordinuar për përshtatje ndaj ndryshimeve klimatike. Institucionet përgjegjëse duhet të fuqizojnë monitorimin meteorologjik, planifikimin urban, sistemet e paralajmërimit të hershëm dhe politikat mjedisore për të minimizuar rreziqet në të ardhmen”.
Ky njoftim vjen teksa Kosova po përballet me dhjetëra zjarre aktive, si pasojë e temperaturave të nxehta.
Ministria e Shëndetësisë në Kosovë u ka rekomanduar institucioneve publike dhe private që t’i zbatojnë masat për mbrojtjen e punëtorëve nga i nxehti i madh.
Kosova ka miratuar strategji për mjedisin dhe klimën, të cilat përfshijnë masa për të reduktuar ndotjen dhe për të promovuar zhvillimin e qëndrueshëm, mirëpo ambientalistët bëjnë thirrje të vazhdueshme për më shumë fokus në këtë sektor.
Sipas një studimi të kryer më herët gjatë vitit nga hulumtues prej Mbretërisë së Bashkuar, Danimarkës, Holandës dhe Zvicrës, është vërtetuar se ndryshimet klimatike pothuajse kanë trefishuar numrin e vdekjeve të lidhura me të nxehtin në qytetet e mëdha evropiane, gjatë valës së të nxehtit ekstrem, nga fundi i qershorit deri në fillimin e korrikut.
Shkencëtarët për klimën kanë thënë disa herë se disa dekada të nxjerrjes së gazrave serrë në atmosferë, kanë ndikuar në rritje të temperaturave globale.
Bota është ngrohur për 1.1 gradë Celsius në krahasim me epokën industriale, ndërsa shtetet synojnë që ta mbajë atë nën 1.5 gradë Celsius, për të shmangur katastrofa të mëdha natyrore. /REL