Koronavirusi: Gjithçka që ka ndodhur gjatë orëve të fundit në botë - Gazeta Express
string(52) "koronavirusi-zhvillimet-e-oreve-te-fundit-ne-bote-ge"

Koronavirusi: Gjithçka që ka ndodhur gjatë orëve të fundit në botë

Gazeta Express

27/02/2020 21:44

Lista e vendeve të prekura që po zgjerohet, Meka që pezullon hyrjet e pelegrinëve, mbyllja e shkollave në shumë vende, bursat në rënie… Këto janë zhvillimet kryesore në botë lidhur me koronavirusin e ri në 24 orët e fundit.

Më shumë se 45  vende të prekura

Lexo Edhe:

Janë më shumë se 81 000 persona të infektuar nga koronavirusi i ri dhe më shumë se 2 760 viktima në të gjithë botën, sipas raportit të fundit zyrtar të komunikuar të mërkurën në mbrëmje nga Organizata Botërore e Shëndetit (OBSH).

Më shumë se 40 viktima (për më shumë se 2 900 të infektuar të konfirmuar) janë identifikuar jashtë Kinës sipas raportit të mbrëmjes së të mërkurës nga OBSH-ja. Kjo shifër arrin në më shumë se 60 nëse shtojmë viktimat e fundit të njoftuara nga disa vende por që ende nuk janë konfirmuar nga organizata.

Epidemia, e cila u shfaq në dhjetor në Kinë, duket se arriti kulmin atje : autoritetet lajmëruan të enjten 29 viktima të reja brenda 24 orëve, numri më i ulët në gati një muaj. Ndërsa numri i të infektuarve tashmë është më i lartë jashtë Kinës sesa në Kinë, sipas OBSH-së.

Koronavirusi është shfaqur në disa vende të reja – Estoni, Danimark, Greqi, Norvegji, Maqedoninë e Veriut, Rumani, Gjeorgji, Pakistan, Brazil  –  duke e çuar numrin e vendeve të prekura në mbi 45.

Koreja e Jugut, vendi i dytë më i prekur pas Kinës, të enjten identifikoi gati 1 600 raste dhe 12 viktima, ndërsa Irani 26 viktima për 245 raste të raportuara.

Në Evropë, Italia, vendi më i prekur, arriti të mërkurën në mbrëmje 400 raste të identifikuara  dhe ka 12 vdekje. Në Francë, numri i viktimave është dy  (për 18 raste të regjistruara të të infektuarve).

Për sa i përket Amerikës Latine, ajo pati rastin e saj të parë të mërkurën, një brazilian që u kthye nga Lombardia.

Pezullimi i pelegrinazheve dhe stërvitjeve ushtarake.

Arabia Saudite ka pezulluar përkohësisht të enjten hyrjet për pelegrinazhin Umrah  në territorin e saj, një pelegrinazh në Mekë që mund të kryhet gjatë gjithë vitit (ndryshe nga pelegrinazhi i haxhit i planifikuar të mbahet këtë vit në muajt korrik-gusht).

Irani, nga ana tjetër, ka kufizuar lirinë e lëvizjes brenda vendit për të infektuarit ose ata  që dyshohet se janë infektuar.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Koreja e Jugut kanë njoftuar pezullimin e stërvitjeve të përbashkëta ushtarake.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë gati

Presidenti amerikan Donald Trump tha të mërkurën se Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë të gatshme t’i përgjigjen epidemisë në “një shkallë shumë më të madhe”.

“Spitalet e disa shteteve po lirojnë dhoma dhe po krijojnë hapësira për ngritjen e karantinave”,  tha ai, duke thënë se përhapja e gjerë në vend nuk ishte “e pashmangshme”.

Shkolla të mbyllura

Japonia ka njoftuar mbylljen e përkohshme të shkollave, kolegjeve dhe gjimnazeve nga e hëna deri në pushimet e pranverës. Për sa i përket Koresë së Veriut, e cila nuk ka regjistruar asnjë rast, ajo ka shtyrë fillimin e vitit shkollor për një afat të pacaktuar.

Autoritetet irakiane mbyllën shkollat, universitetet, kinematë dhe kafenetë deri më 7 mars.

Preken sporti dhe ekonomia

Ndeshja rugby e turneut të Gjashtë Kombeve midis Irlandës dhe Italisë, e planifikuar të mbahej më 7 Mars në Dublin, është shtyrë në një datë të pacaktuar.

Finalja e Kupës së Botës në ski do të mbahet në Cortina (Itali) nga data 18 deri në 22 mars, por pa publik .

Në sektorin ekonomik, bursat botërore janë në rënie dhe kompanitë ajrore po vuajnë pasojat e epidemisë.