Pas Serie A e La Liga, për shkak të këtij virusi sot janë shtyrë edhe Premierliga, Bundesliga, Liga e Kampionëve dhe Liga e Evropës
Koronavirusi ka lëshuar rrënjë në botën e sportit.
Virusi i përhapur në tërë botën e ka zgjeruar ndikimin e tij në ndërprerjen e aktiviteteve të futbollit.
Serie A ishte e para që i kishte ndërprerë garat pasi Italia është shteti më i prekur në Evropë nga koronavirusi.
Ditë më parë, një vendim të tillë e mori edhe La Liga për shkak të rrezikut të përhapjes së këtij virusi tek lojtarët dhe stafet e ekipeve.
E sot ishte koha që edhe Premierliga të suspendohet deri më 3 prill.
Anglezët e morën këtë vendim pas infektimit me koronavirus të trajnerit të Arsenalit, Mikel Arteta, por edhe të futbollistit të Chelseat, Callum Hudson-Odoi.
Gjithashtu, dyshohet që edhe një futbollist i Evertonit është i prekur nga ky virus.
Po ashtu, në këto momente u mor vendimi të suspendohet edhe Bundesliga deri më 2 prill.
Disa prej ekipeve angleze kanë përfunduar në vetë-zolim, derisa të bëhen kontrollet e detajuara të lojtarëve.
Ndeshjet janë ndërprerë tashmë edhe në disa prej ligave të tjera evropiane.
Ndër të tjera, sot veproi edhe UEFA.
Në fakt, shtëpia e futbollit evropian vendosi sot që t’i shtyjë ndeshjet e Ligës së Kampionëve dhe Ligës së Evropës, të parapara të luhen javën e ardhshme.
Mesjavën që vjen ishte paraparë të luhen ndeshjet e kthimit të së tetës së finales.
Ndeshjet e kthimit të së tetës së finales Manchester City – Real Madrid dhe Juventus – Lyon, ishin shtyrë tashmë.
Ndërsa, tash u zyrtarizuan edhe shtyrja e ndeshjeve ndërmjet Bayern Munichut me Chelsean dhe Barcelonës me Napolin.
Nuk dihet saktë se kur do të zhvillohen ndeshjet e ardhshme të dy kompeticioneve më të rëndësishme të futbollit evropian.
Në rrezik për t’u shtyrë është edhe Kampionati Evropian i futbollit.
Të martën që vjen, UEFA do ta marrë vendimin final nëse do ta shtyjë apo jo Euro 2020 për vitin 2021.
Rrjedhimisht, mund të shtyhet edhe ndeshja gjysmëfinale e “Play-Offit” të Ligës së Kombeve ndërmjet Maqedonisë së Veriut me Kosovën.
Gjithashtu, ditëve të fundit janë shtyrë edhe aktivitetet në sportet tjera nëpër botë. /Gazeta Express/