Mijëra koreanoveriorë po dërgohen të punojnë në kushte të ngjashme me skllavërinë në Rusi për të plotësuar një mungesë të madhe fuqie punëtore të përkeqësuar nga pushtimi i vazhdueshëm i Ukrainës nga Rusia, ka mësuar BBC.
Moska i është drejtuar vazhdimisht Phenianit për ta ndihmuar në luftë, duke përdorur raketat, predhat e artilerisë dhe ushtarët e tij.
Tani, me shumë nga burrat e Rusisë të vrarë, të angazhuar në luftime – ose të arratisur nga vendi – zyrtarë të inteligjencës së Koresë së Jugut i kanë thënë BBC-së se Moska po mbështetet gjithnjë e më shumë te punëtorët koreanoveriorë.
BBC ka intervistuar gjashtë punëtorë koreanoveriorë që kanë ikur nga Rusia që nga fillimi i luftës, së bashku me zyrtarë të qeverisë së Koresë së Jugut, studiues dhe ata që ndihmojnë në shpëtimin e punëtorëve.
Ata dhanë detaje se si burrat i nënshtrohen kushteve “të mjerueshme” të punës dhe si autoritetet koreanoveriore po e forcojnë kontrollin mbi punëtorët për t’i penguar ata të arratisen.
Një nga punëtorët i tha BBC-së se kur zbriti në Lindjen e Largët të Rusisë, u shoqërua nga aeroporti deri në një kantier ndërtimi nga një agjent sigurie koreanoverior, i cili e urdhëroi të mos fliste me askënd dhe të mos shikonte asgjë.
“Bota e jashtme është armiku ynë”, i kishte thënë agjenti. Ai u vu menjëherë në punë për të ndërtuar ndërtesa apartamentesh shumëkatëshe për më shumë se 18 orë në ditë, tha ai.
Të gjithë gjashtë punëtorët me të cilët BBC thotë se ka folur përshkruan të njëjtat ditë pune rraskapitëse – zgjoheshin në orën 6 të mëngjesit dhe detyroheshin të ndërtonin apartamente shumëkatëshe deri në orën 2 të mëngjesit të ditës tjetër, me vetëm dy ditë pushim në vit.