Një këshillë e thjeshtë për kursimin e parave mund t’ju ndihmojë të paguani dukshëm më pak për ilaçe pa recetë: mjafton të kontrolloni një kod identifikues në paketim përpara se të shkoni te kasa.
Sipas platformës MoneySavingExpert, e themeluar nga Martin Lewis, shumë njerëz përfundojnë duke blerë tableta më të shtrenjta vetëm për shkak të emrit të markës, edhe pse ekziston një alternativë plotësisht identike me çmim shumë më të ulët.
Sekreti qëndron te një kod licencimi me nëntë shifra, i njohur si numri PL, i cili gjendet zakonisht në pjesën e pasme të paketimit. Ky numër tregon se ilaçi është i njëjtë – jo vetëm për nga përbërësi aktiv, por si produkt i plotë – edhe nëse ambalazhi dhe marka janë të ndryshme.
Sipas MoneySavingExpert, disa tableta mund të kushtojnë gati gjysmën e çmimit të “binjakëve” të tyre vetëm sepse shiten nën një emër tjetër. Këshilla është përfshirë edhe në buletinin e fundit të platformës, i dedikuar ilaçeve të lira ose falas.
Kjo temë është trajtuar edhe në emisione televizive. Në një paraqitje në This Morning, Martin Lewis shpjegoi se nëse dy produkte kanë të njëjtin numër PL, ato janë saktësisht i njëjti ilaç, pavarësisht markës. Ai theksoi se kompanitë farmaceutike shpenzojnë miliona për të bindur konsumatorët të blejnë “emrin që njohin”, por kjo shpesh nuk justifikohet nga cilësia.
Si shembull, ai krahasoi një produkt që kushtonte rreth 5.80 euro me një alternativë tjetër prej vetëm 2.15 eurosh, të dyja me të njëjtin kod PL. “Kjo ndodh kudo,” theksoi ai, duke nënvizuar se diferencat e çmimeve janë të pajustifikuara.
Këshilla u prit shumë mirë në rrjetet sociale, sidomos në Facebook, ku videoja grumbulloi mijëra pëlqime dhe komente. Disa përdorues që punojnë ose kanë punuar në farmaci pohuan se u kanë sugjeruar shpesh klientëve versionet më të lira, por shumë prej tyre hezitonin t’i blinin, duke besuar se vetëm ilaçet me markë funksionojnë.
Një komentues shkroi se në disa raste diferenca e çmimit mund të arrijë deri në 14 euro, ndërsa një tjetër tregoi se kishte ndaluar së bleri tableta të shtrenjta për alergji sezonale dhe tani përdorte një alternativë më të lirë, me të njëjtin kod PL, që kushtonte rreth 1 euro për kuti.
Mesazhi është i qartë: para se të paguani më shumë për ilaçe pa recetë, kontrolloni numrin PL në paketim. Mund të zbuloni se po blini saktësisht të njëjtin produkt – por me një çmim shumë më të ulët. /GazetaExpress/