Një kompani e regjistruar në Kosovë, aksionarë të së cilës ishin kompani me adresë deri në Beograd të Serbisë, ka përfituar nga një kontratë e dyshimtë me Qeverinë e Kosovës këtë vit. Për këtë, Policia sot kreu bastisje në disa lokacione, përfshirë Ministrinë e Bujqësisë. Ministri në detyrë, Faton Peci, po intervistohet nga një njësi e veçantë hetimore. Duket si një skemë e fshehjes së pronarëve të vërtetë të kësaj kompanie dhe një proces shumë i dyshimtë, të cilit Prokuroria Speciale po përpiqet t’i bie në gjurmë.
Gazeta Express
Ministri në detyrë i Bujqësisë, Faton Peci po intervistohet nga Njësia e Veçantë Hetimore e Policisë së Kosovës pas disa bastisjeve në Ministrinë e Bujqësisë, Agjencinë për Zhvillimin e Bujqësisë e Agjencinë e Veterinarisë, të kryera me kërkesë të Prokurorisë Speciale.
Aksioni u ndërmor lidhur me dyshimet që kanë të bëjnë me një fabrikë për mbetjet shtazore. Peci dyshohet se pa ankand publik, ia ka dhënë kompanisë “LIP KS & IT SH.P.K” me qira për 20 vjet impiantin publik për mbetjet shtazore.
U bastis edhe lokacioni i kompanisë përfituese.
Prokurori Admir Shala konfirmoi se bastisjet ishin pjesë e një hetimi që lidhet me mënyrën e dhënies me qira të kësaj fabrike.
“Siç e dini, Prokuroria Speciale e Kosovës ka filluar një hetim lidhur me dhënien në shfrytëzim të fabrikës për përpunimin e nënprodukteve shtazore. Hetimi është duke u zhvilluar në lidhje me dyshimet për dhënien me qira të kësaj fabrike”.
Kompania përfituese u regjistrua vetëm 5 ditë pas publikimit të thirrjes së dytë për aplikim për kontratën për funksionalizimin e fabrikës dhe për përpunimin e nënprodukteve shtazore. Pronari i saj del të ketë lidhje me tri kompani të tjera, pa ndonjë përvojë në këtë fushë.
Aksionarë të kompanisë me të cilën ministri Peci e nënshkroi kontratën, kur ajo ishte themeluar, ishin Naser Maloku, si drejtor menaxhues, si dhe dy kompani të tjera: “MR & MNE” me adresë në Podgoricë të Malit të Zi dhe “LIP ITALIA 2000” me adresë në Rosta të Italisë.
Pronar i “MR & MNE”, kompanisë me 30% të aksioneve në “LIP KS” e cila e fitoi kontratën, del të jetë kompania “MR & Co” me seli në Beograd të Serbisë. Pronar i kësaj kompanie është shtetasi serb, Muamer Ragipoviq. Ky figuron si drejtor në kompaninë e regjistruar në Mal të Zi.
Biznesmeni serb u tërhoq nga investimi pak ditë pas nënshkrimit të kontratës, duke i bartur 105 të aksioneve te Naser Maloku dhe 205 te kompania “Arches BAU” – të cilat vlerësoheshin vetëm 3,000 euro
Ministri Peci nënshkroi për dhënien në shfrytëzim të kësaj fabrike një ditë pas një vendimi të marrë nga Qeveria e Kosovës për tokën më 9 janar të vitit 2025. Sipas kontratës, kompania fituese obligohet të paguajë 30 mijë euro në vit qira, apo 2,500 euro për muaj.
Një nen në kontratë parasheh gjithashtu subvencionimin e kësaj kompanie nga shteti për çdo kilogram të grumbulluar dhe përpunuar.
Ministri Peci ka thënë për Kallxo.com se “nuk di” për pronarët e vërtetë të kompanisë përfituese dhe se nuk e njeh asnjërin prej tyre.
Kallxo.com ka gjetur se Florin Bislimi, vëllai i zëvendëskryeministrit në detyrë Besnik Bislimi, kishte punuar për një kompani që ishte në pronësi të “Fitorja”, kompanisë në pronësi të Tahir Malokut, babait të aksionarit të kompanisë fituese të kontratës (Naser Malokut) së nënshkruar nga Faton Peci.