Kontrasti “Clariscan” u përdor në mënyrë të gabuar, Gjikolli e lë fajtore kompaninë prodhuese - Gazeta Express
string(90) "kontrasti-clariscan-u-perdor-ne-menyre-te-gabuar-gjikolli-e-le-fajtore-kompanine-prodhuese"

Kontrasti “Clariscan” u përdor në mënyrë të gabuar, Gjikolli e lë fajtore kompaninë prodhuese

Gazeta Express

26/01/2020 8:51

Klinika e Radiologjisë para disa jave ishte kritikuar për sasinë e injektimit të kontrastit “Clariscan” në kabinetin e Rezonancës Magnetike.

Drejtori i kësaj klinike, Bujar Gjikolli, kishte pranuar vërejtje nga kompania prodhuese amerikane “General Eletric Healthcare” se kishte përdorur kontrastin paramagnetik në mënyrë të gabuar dhe kështu ka rrezikuar jetën e pacientëve.

Lexo Edhe:

Mirëpo, në një intervistë për Ekonomia Online, Gjikolli thotë se kompania nuk i kishte informuar se si duhet të përdoret kontrasti “Clariscan”.

“Në këtë rast edhe  ne si rezultat i ndryshimeve që janë bërë, ne nuk kemi pasur kontrast gati 1 vit kur është ndërpre përdorimi i një kontrasti paraprak dhe ShSKUK-ja nuk ka pasur në dispozicion kontrast dhe kjo u përmirësua me ardhjen e kontrastit të ri, i cili realisht është i ri është i licencuar në botë në 2017, dmth dy vite është në treg dhe ne nuk kemi pasur informata dhe në mungesë të informatave përkundër kërkesës se kemi kërkuar nga kompania që të na sjellë informata nuk na kanë sjellur asnjëherë dhe ne kemi vazhduar të punojmë me kujdes me principe të vjetra, të cilat klinika jonë ka punuar në 20 vjetet e kaluara me kontrastet tjera deri sa nuk vijnë informatat zyrtarisht nga kompania”, thotë Gjikolli.

Sipas Gjikollit, kontrastet nuk ndikojnë në shëndetin e njeriut, ato përdoren për të përmirësuar imazhet dhe për të pasur më shumë informata me Tomografi të kompjuterizuar dhe Rezonancë Magnetike.

“Kontrastet si të tilla nuk rrezikojnë jetën në varshmëri nga doza, se ato nuk janë barëra që kanë efekt fiziologjik, ato hyjnë në grupin e barërave për qasje juridike në mënyrë që të menaxhohet administrimi i tyre juridik. Por, për nga funksioni ato nuk ndikojnë në shëndetin e pacientit, por ato përdoren për të përmirësuar imazhe për të marrë sa më tepër një informatë me tomografi të kompjuterizuar dhe të Rezonancës Magnetike”, u shpreh ai.

Gjikolli më tej tregoi se pasi ka pranuar informatën, brenda dy dite e kanë rregulluar dhënien e këtij kontrasti.

Ai thekson se pas kësaj informate nga kompania, doli se kanë dhënë kontrast më pak dhe që sipas tij, kjo nuk e rrezikon jetën e pacientit siç është thënë.

“Kur erdhi kjo informatë nga kompania, operatori ekonomik, atëherë ne brenda dy dite, rregulluam ato dhe doli që ne kemi dhënë më pak. Por, gjithsesi me më pak nuk e rrezikon askënd. Kontrasti si i tillë edhe më dhënë shumë më tepër nuk e rrezikon jetën në parim, veçmas nëse janë kontrastet e sigurta në të cilat hyn Clariskani. Se ne në mungesë të informatave kemi qenë të kujdesshëm, kemi dhënë principe të cilat ne kemi punuar me vitet që kemi qenë të sigurt, derisa të marrim informata, momentin kur kemi marrë informata nga kompania fatkeqësisht ka qenë informata akuzuese fatkeqësisht dashakeqe nga  vetë kompania e cila nuk e ka parë arsyeshëm të vijë të na sjell ato informata kurrë zyrtarisht”, u shpreh Gjikolli.

Drejtori i Radiologjisë, thotë se përdorimi i kontrastit në QKUK është i sigurt dhe bëhet sipas nevojave të pacientëve.

“Kontrastet paramagnetike janë mjaft të sigurta edhe ato që janë jo jonike dhe hiposmolare të izosmolare dhe hiposmolare jo joniket, për vite të tëra nuk ka ndonjë reaksion, janë shumë të rralla përveç ndonjë orotokarine, ndonjë skuqje, ndonjë frymëzënie e vogël, por nuk kemi pasur diçka të rëndë për me pas nevojë me reagua, se çdo kabinet ka mjete për reagim dhe është emergjenca , këtu janë anestezionet, kështu që  nuk kontraste si të tilla dhe themi se nuk rrezikojnë jetën, tjetër çka është që bota ka mundësi ti përcjell ato dhe të bëjë hulumtime, kanë dalë që disa ato janë hequr nga përdorimi ne nuk i kemi ato mbi 1 vit kështu që përdorimi i kontrastit në QKUK është i sigurt dhe bëhet sipas nevojave të pacientëve”, tregoi ai.

Tutje ai tregoi se është bërë standardizimi i listës esenciale ku janë përcaktuar grupet që përfshinë të gjitha kontrastet e lejuara, pa dallim pa specifikim.