Kryeministri i Belgjikës, që është kryeqendër e trafikimit të kokainës në BE, kërkon mbështetje nga SHBA në luftë kundër kontrabandës së drogave.
Kryeministri belg Bart De Wever kërkoi gjatë një takimi me ministren e Sigurisë Kombëtare të SHBA-së, Kristi Noem mbështetjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në luftë kundër kontrabandës transnacionale të drogës. Takimi u zhvillua në portin e qytetit Antverp.
De Wever e lavdëroi administratën e Presidentit Donald Trump për përpjekjet e saj për të luftuar trafikun e drogës në Karaibe dhe për vënien në shënjestër të karteleve të drogës në të gjithë Amerikën.
“Këto janë lajme shumë të mira për ne”, tha De Wever, duke bërë thirrje për të shtuar bashkëpunimin dhe shkëmbimin e informacioneve midis Evropës dhe Shteteve të Bashkuara, “sepse kriminelët e drogës nuk njohin kufij”.
Noem konfirmoi se SHBA-ja do të vazhdojë të bashkëpunojnë me autoritetet belge në luftën kundër “organizatave kriminale transnacionale që po vrasin popujt tanë, që po helmojnë qytetarët tanë dhe vendet tona”.
Belgjika: Qendër e madhe trafikimi droge
Sipas raportit vjetor të vitit 2025 të Agjencisë së Bashkimit Evropian për Drogën përmes qytetit belg Antverp është trafikuar më shumë drogë se nga çdo vend tjetër i Evropës.
Në vitin 2023 në këtë qytet port u sekuestrua një rekord prej 116 tonësh kokainë. Gjithësesi falë rritjes së inspektimeve dhe kontrolleve nga ana e policisë sasia e kokainës së sekuestruar në vitin 2024 ra me 50%.
De Wever tha se vendet evropiane duhet të bashkëpunojnë më shumë dhe i bëri thirrje SHBA-së “të shkatërrojë modelin e biznesit të krimit të organizuar. Ne duhet ta bëjmë këtë, sepse kriminelët nuk njohin asnjë lloj kufiri”.
Sipas Agjencisë së Bashkimit Evropian për Drogën sekuestrimet e kokainës në Evropë arritën në vitin 2023 një rekord. Për të shtatin vit radhazi autoritetet sekuestruan 419 tonë kokaninë.
Belgjika kryeson me 123 tonë kokainë, e ndjekur nga Spanja me 118 tonë dhe Holanda me 59 tonë. Në këto tri vende, të cilat kanë porte të mëdha, është sekuestruar 72 përqind e sasisë së përgjithshme të drogës së sekuestruar në BE./DW/
Nga Europa drejt biznesit tënd – nisje çdo javë me 3P Logistics, shpejt, sigurt dhe pa stres! Kur bëhet...