Konstruktimi i ‘europianëve të rinj’ përmes politikës kurrikulare në Kosovë - Gazeta Express
string(73) "konstruktimi-i-europianeve-te-rinj-permes-politikes-kurrikulare-ne-kosove"

Shkurt e Shqip

Gazeta Express

05/03/2021 10:42

Konstruktimi i ‘europianëve të rinj’ përmes politikës kurrikulare në Kosovë

Shkurt e Shqip

Gazeta Express

05/03/2021 10:42

Analiza e kompetencave qytetare në dokumentet kurrikulare në BE dhe në Kosovë tregon se sistemet arsimore ende kanë shumë punë për të bërë që nxënësit të zhvillojnë kompetencat e nevojshme qytetare për të ndërtuar shoqëri demokratike përmes konstruktimit të vazhdueshëm të ‘europianëve të rinj’ si synim i përbashkët i qytetërimit perëndimor

Nga: Armend Tahirsylaj

Dy reforma të mëdha kurrikulare kanë ndodhur në Kosovë gjatë 20 viteve të fundit – e para me 2001 dhe e dyta me 2011, derisa Kosova në të njëjtën kohë kaloi nëpër ndryshime tjera të mëdha politike, ekonomike, sociale e kulturore prej të cilave më e rëndësishmja ishte shpallja e pavarësisë me 2008. Në reformën e fundit të vitit 2011 (e rishikuar me 2016), qasja kurrikulare ka ndryshuar prej asaj të bazuar në përmbajtje në atë të bazuar në kompetenca, një politikë arsimore e rekomanduar për shtetet anëtare të Bashkimit Europian nga Komisioni Europian me 2006 të cilën edhe Kosova e përqafojë, në mes tjerash, për të dëshmuar orientimin euro-atlantik të Kosovës së pavarur dhe për të brenduar kosovarët si ‘europianë të rinj’. Por cilat janë kompetencat që synohen të arrihen përmes kurrikulës në zbatim të sistemit arsimor paranuniversitar në përgjithësi dhe cilat koncepte janë dominuese sa i përket përkufizimeve të kompetencave për qytetari demokratike?

Një lexim i shpejt i programeve të partive kryesore politike që garuan në zgjedhjet e fundit të 14 shkurtit në Kosovë pjesët që adresonin fushën e arsimit shpërfaqnin më shumë një listë dëshirash për veprime të caktuara, shpesh kundërthënëse, sesa programe të mirë-menduara për zhvillimin e arsimit. Vizioni për zhvillimin e arsimit në shumicën e shteteve e poashtu edhe në Kosovë paraqitet në kornizën kurrikulare për arsimin para-universitar, një dokument që konsiderohet shpesh si ‘kushtetutë’ për arsimin pasi vë shtyllat kryesore të vizionit, qëllimeve dhe strukturën e arsimit të një shteti. Edhe pse një dokument në parim arsimor, kornizat kurrikulare në fakt janë deklarata politike se çfarë qytetarësh synohen të zhvillohen e konstruktohen brenda kontekstit ku kornizat e tilla zbatohen.

Korniza e fundit kurrikulare e bazuar në qasjen e kompetencave, në mes tjerash, përcakton gjashtë kompetenca kryesore që nxënësit në sistemin e arsimit parauniversitar duhet t’i arrijnë:

1. Kompetenca e komunikimit dhe e të shprehurit – me rezultatin përfundimtar Komunikues efektiv.

2. Kompetenca e të menduarit – me rezultatin përfundimtar Mendimtar

kreativ dhe kritik.

3. Kompetenca e të mësuarit – me rezultatin përfundimtar Nxënës i

suksesshëm.

4. Kompetenca për jetë, për punë dhe për mjedis – me rezultatin përfundimtar Kontribues produktiv.

5. Kompetenca personale – me rezultatin përfundimtar Individ i shëndoshë, dhe

6. Kompetenca qytetare – me rezultatin përfundimtar Qytetar i përgjegjshëm.

Përcaktimi i kompetencave kryesore është bazuar në transferin e kompetencave të rekomanduara për shtetet anëtare të BE-së nga Komisioni Europian dhe ka ndjekur procesin e huazimit të zëshëm në politikë-bërje që nënkupton një proces në të cilin autoritetet nacionale qëllimisht ndjekin dhe mirëpresin politika arsimore nga jashtë për qëllime edhe arsimore edhe politike. Ky proces është unik në Kosovë në kontekstin europian deri me tani pasi shumica e shteteve anëtare të BE-së ndjekin procesin e huazimit të heshtur për të fshehur burimin e jashtëm të politikave të tyre arsimore.

Në kontekstin e Kosovës qëllimi arsimor i ndjekur përmes qasjes kurrikulare të bazuar në kompetenca synon që nxënësit e Kosovës të jenë kompetente dhe konkurrentë njëjtë si nxënësit tjerë në Europë, ndërsa qëllimi politik synon që qytetarët e rinj të Kosovës të konstruktohen si ‘europianët e rinj’. Për të treguar afërsinë e Kosovës me Europën perëndimore, qeveria e Kosovës, pas shpalljes së pavarësisë me 2008, sponsoroi nisma ndërkombëtare marketingu që brendonte kosovarët si ‘europianë të rinj’ dhe Kosovën si shtetin më të ri brenda kontekstit gjeografik europian. Nga kjo pikëpamje, reforma kurrikulare e bazuar në kompetenca duke përshtatur kompetencat e rekomanduara nga Komisioni Europian shpërfaq aspiratat e politikë-bërësve për të demonstruar para bashkësisë ndërkombëtare synimin e kosovarëve që të jenë pjesë e kombeve të zhvilluara europiane.

Përtej aspiratave të përcaktuara në kornizën kurrikulare, rezultatet e nxënësve të Kosovës në testin PISA në vitet 2015 dhe 2018 kanë dëshmuar se nxënësit e Kosovës janë të fundit në Europë sa i përket arritshmërisë në lexim, shkencë dhe matematikë, por kjo nuk do të thotë që synimet e vendosura në kornizë duhen braktisur pasi kërkohet më shumë kohë dhe shumë më shumë angazhim institucional dhe shoqëror për të shënuar progres në zbatimin e tërësishëm të kurrikulës së bazuar në kompetenca. Gjatë periudhës së pasluftës, zhvillimi i arsimit në Kosovë në masë të madhe është bazuar në projekte të mirëseardhura të partnerëve e donatorëve ndërkombëtarë, të cilat në letër tingëllojnë si investime të mëdha, mirëpo siç u tregua përmes rezultateve të PISA-s, zbatimi i tyre nuk është përkthyer në rezultate të mira të nxënësve.

Sa i përket kompetencave qytetare në veçanti, literatura akademike përcakton tri koncepte kryesore teorike për qytetari demokratike: qytetari individualist/i përgjegjshëm për veten, qytetari social/pjesëmarrës, dhe qytetari politik/i orientuar në drejtësi. Të tri konceptet synojnë zhvillimin e subjektivitit demokratik të nxënësve përmes sistemit arsimor. Sipas përkufizimit, qytetari i përgjegjshëm për veten është personi që mund të mendojë për veten dhe të nxjerrë gjykime racionale individuale pa u udhëhequr nga të tjerët. Qytetari social/pjesëmarrës është personi që përfshihet në ndërveprime shoqërore dhe aktivisht merr pjesë në kontekstin shoqëror për të realizuar projekte kolektive. Ndërsa, qytetari politik/i orientuar në drejtësi është personi që në mënyrë kritike vlerëson strukturat sociale, politike dhe ekonomike dhe adreson fushat ku vërehen padrejtësi për të sjellur ndryshime sistemore. Në përkufizimin e kompetencave qytetare edhe në nivelin e BE-së edhe në dokumentet kurrikulare në Kosovë dominojnë dy konceptet e para të qytetarit si i pergjegjshëm për veten dhe si pjesëmarrës në jetën shoqërore dhe politike, ndërsa më pak theksohet koncepti i qytetarit si person politik i orientuar në drejtësi.

Nëse mund të ketë një shpjegim arsimor për rezultatet e zgjedhjeve të fundit në Kosovë, vërehet që Lëvizja Vetëvendosje (LVV) ka qenë efektive në punën e saj të drejtpërdrejtë në terren që të zhvillojë konceptin politik të qytetarisë përmes përkufizimit të problemit kryesor në Kosovë si ‘kapje e shtetit’ dhe zgjidhjen adekuate si ‘çkapje e shtetit’ dhe përmes rekrutimit të votuesëve që të vënë drejtësi për këtë problem përmes votës. Derisa kundërshtarët politikë i cilësojnë metodat e veprimit të LVV-së si manipulative, ata mund të nxjerrnin disa mësime nga zgjedhjet e fundit. Së pari, të pranojnë se përmes mos-angazhimit adekuat institucional në zhvillimin e arsimit në Kosovë dhe sidomos në mos-efektivitetin e arritjes së kompetencave për mendimin kritik përbrenda sistemit arsimor, është lënë hapësirë e madhe, sidomos tek gjeneratat e reja, për akterët e jashtëm qoftë politik apo tjerë, që të kenë më të lehtë ushtrimin e ndikimit të tyre. Dhe së dyti, derisa nuk e kopjojnë LVV-në në metodën e veprimit për të zhvilluar qytetarin si individ politik i orientuar në drejtësi drejtpërdrejtë në terren nuk do të mund të jenë konkurrent për rezultate më të mira zgjedhore në të ardhmen. Ndërsa LVV-së i mbetet të dëshmojë përkushtimin për zhvillimin e vendit duke vënë arsimin si njërin nga prioritetet kryesore në mënyrë që në Kosovë të avancohet demokracia dhe të ketë përmirësime për një pjesë më të madhe të shoqërisë e jo vetëm për një pakicë politike udhëheqëse.

Si përfundim dhe pavarësisht prej akterëve politik aktiv në një konktekst nacional, analiza e kompetencave qytetare në dokumentet kurrikulare në BE dhe në Kosovë tregon se sistemet arsimore ende kanë shumë punë për të bërë që nxënësit të zhvillojnë kompetencat e nevojshme qytetare për të ndërtuar shoqëri demokratike përmes konstruktimit të vazhdueshëm të ‘europianëve të rinj’ si synim i përbashkët i qytetërimit perëndimor.

(Shwnim: Ky shkrim bazohet pjesërisht në një publikim të fundit të autorit në një revistë ndërkombëtare:

Armend Tahirsylaj (2021). What kind of citizens? Constructing ‘Young

Europeans’ through loud borrowing in curriculum policy-making in Kosovo, Comparative Education, 57(1), 115-129, DOI: 10.1080/03050068.2020.1845066

Artikulli i plotë gjendet në: https://doi.org/10.1080/03050068.2020.1845066)