Konstituimi i Kuvendit, Bajrami: Gjykata mund t'ia japë diskrecionin e plotë Presidentes, Kushtetutën s'e kemi shkruar për delikuentë - Gazeta Express
string(128) "konstituimi-i-kuvendit-bajrami-gjykata-mund-tia-jape-diskrecionin-e-plote-presidentes-kushtetuten-se-kemi-shkruar-per-delikuente"

Lajme

Gazeta Express

14/07/2025 18:37

Konstituimi i Kuvendit, Bajrami: Gjykata mund t’ia japë diskrecionin e plotë Presidentes, Kushtetutën s’e kemi shkruar për delikuentë

Lajme

Gazeta Express

14/07/2025 18:37

Profesori Arsim Bajrami, ish-kryesus i grupit punues për harimin e Kushtetutës së Kosovës dhe ish-kryesues i grupit punues për themelimin e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, tha se partia që i ka fituar zgjedhjet parlamentare në Kosovë po abuzon me Kushtetutën.

Ai tha në Frontal në T7 se nuk duhet kërkuar që Gjykata Kushetetuese t’i zgjidhë të gjitha.

“E drejta të është dhënë ta shfrytëzosh me mirëbesim. Ta propozosh një kandidat. Nëse e ke shumicën, propozoje kë të duash, por nëse s’e ke shumicën, duhet të zhvillosh dialog. Dhe nuk duhet të kërkosh që Gjykata Kushtetuese të t’i zgjidhë të gjitha problemet”, tha ai.

Bajrami tha se do të sqarohet “efekti juridik i detyrimit që brenda 30 dite të konstituohet Kuvendi” nga aktgjykimi i Kushtetueses, afat ky që skadon më 26 korrik.

Gjykata, sipas Bajramit, mund “t’ia japë diskrecionin e plotë presidentes së Republikës që të veprojë efektivisht në funksion kushtetues si garantuese e funksionimit demokratik të institucioneve, përfshirë edhe të drejtën diskrecionale t’i shpallë zgjedhjet e jashtëzakonshme”.

Partia që ka dalë e para në zgjedhje, Bajrami tha se “e ka përgjegjësinë kryesore t’i themelojë institucionet”.

Bajrami tha se Kushtetuta s’është shkruar “për delikuentë” por “për njerëz të edukuar”.

“Ajo duhet ta materializojë atë fitore me themelim të institucioneve. Bllokimi i procesit në çështje pa lidhje dhe thirrja në Kushtetutë – absurde është. Sepse ti mundesh secilit nen dhe paragraf t’i krijosh prapaskena kriminale. Kushtetutën nuk e kemi shkruar për delikuentë, që bëjnë delikte politike, që e shkelin Kushtetutën, që abuzojnë. E kemi shkruar për njerëz të edukuar, njerëz pozitivë, njerëz që do të qeverisin mirë. Sepse po të ishte shkruar për delikuentë, duhet ta kishim bërë me 5 mijë nene, duke pasur imagjinatën se çfarë mund të bëjnë njerëzit me abuzimin e të drejtave të fituara. Sepse tash po abuzohet me një të drejtë të garantuar me Kushtetutë”.

Ai tha se “Gjykata Kushtetuese gjermane dhe austriake, që janë vendlindja e Gjykatës Kushtetuese, kurrë këto raste nuk i kishin pranu”.

“Kishin thënë ‘Kushtetuta është e qartë, janë çështje politike, s’merremi me ato'”.

Ai tha se nuk bën deklarata politike qe 8 vjet, pasi është anëtar i Akademisë së Kosovës, asaj të Shqipërisë dhe asaj europiane.