Konstatuan se “ngërçi” s’ka kaluar, por Ambasada e Gjermanisë po e pret fjalën e Kushtetueses - autoritetit të vetëm për interpretim - Gazeta Express
string(128) "konstatuan-se-ngerci-ska-kaluar-por-ambasada-e-gjermanise-po-e-pret-fjalen-e-kushtetueses-autoritetit-te-vetem-per-interpretimin"

Lajme

Gazeta Express

04/09/2025 14:00

Konstatuan se “ngërçi” s’ka kaluar, por Ambasada e Gjermanisë po e pret fjalën e Kushtetueses – autoritetit të vetëm për interpretim

Lajme

Gazeta Express

04/09/2025 14:00

Procesi i konstituimit të Kuvendit të Kosovës ka mbetur pezull për shkak të moszgjedhjes së nënkryetarit serb – hapi i fundit që u desh të plotësohej për t’u konsideruar Kuvendi i konstituuar. Lëvizja Vetëvendosje, përmes kryeparlamentarit të saj e shpalli të konstituuar, ndërsa partitë tjera s’po e shohin njëjtë dhe bojkotuan mbledhjen e Kryesisë. Lista Srpska e çoi në Gjykatë Kushtetuese çështjen dhe ambasada gjermane në Kosovë në një përgjigje për Gazetën Express la të nënkuptojë se po e pret vendimin që do ta nxjerrë Gjykata Kushtetuese për të marrë një qëndrim nëse Kuvendi është i konstituuar ose jo.

Gazeta Express

Ambasada gjermane në Prishtinë në një përgjigje për Gazetën Express tha se Gjykata Kushtetuese është e vetmja që mund ta interpretojë Kushtetutën në pyetjen nëse e sheh Kuvendin e konstituuar siç po pretendon partia fituese dhe kryetari Dimal Basha.

“I vetmi autoritet për të interpretuar Kushtetutën është Gjykata Kushtetuese”, tha ambasada.

Megjithatë, se ngërçi institucional po vazhdon konstatoi dje ambasadori Jorn Rohde pas një takimi që pati me presidenten e vendit, Vjosa Osmani, ku ndër të tjera diskutoi edhe për këtë temë.

“Në takim shpreha shqetësimin tim për ngërçin e vazhdueshëm politik dhe institucional, si dhe për diskursin publik të kohëve të fundit që hedh dyshime mbi vendimet gjyqësore, pasi zhvillime të tilla rrezikojnë të gërryejnë besimin e publikut në pavarësinë dhe integritetin e gjyqësorit”, ka thënë Rohde.

Më konkret për perspektivën e Mbretërisë së Bashkuar se si i sheh ngjarjet e fundit në Kuvendin e Kosovës u tregua ambasadori i këtij vendi, Jonathan Hargreaves, i cili e theksoi se ka “hapa të mëtejshëm” për t’u formuar Kuvendi i ri i Kosovës.

“Ishte kënaqësi të takoja Presidenten Osmani sot. Biseduam për partneritetin e ngushtë Mbretëri e Bashkuar-Kosovë  dhe diskutuam nevojën urgjente për hapat e mëtejshëm për formimin e Kuvendit në përputhje me kushtetutën e Kosovës”, tha ai pas një takimi po ashtu që kishte me Osmanin në të njëjtën ditë me Rohden.

Në ditën që u votua Dimal Basha kryeparlamentar zuri të formohej ngërçi i ri meqë votimi për nënkryetarët nga pakicat u nda me kërkesën e deputetit Elbert Krasniqi dhe me miratimin e saj nga Basha.

Emilja Rexhepi u zgjodh nënkryetare nga komunitetet joshumicë joserbe, ndërsa i propozuari i Listës Srpska për nënkryetar nga radhët e minoritetit serb, Sllavko Simiq, s’mori votat e mjaftueshme.

Basha më pas procedoi me hedhjen e shortit për deputetët serbë të Kuvendit – një tentativë e Vetëvendosjes për të zgjedhur deputetin Nenad Rashiq nënkryetar, i cili është deputeti i vetëm serb që s’është nga Lista Srpska. Kjo e fundit mënyrën e Bashës për votim me short e kundërshtoi me mospjesëmarrje në votim.

Partia më e madhe e serbëve në Kosovë, Lista Srpska, që gëzon mbështetjen e Beogradit, më 30 gusht njoftoi se e ka dërguar në Gjykatën Kushtetuese çështjen e zgjedhjes së nënkryetarëve nga komunitetet joshumicë ndaras.

Ndërkaq, Lëvizja Vetëvendosje ka paralajmëruar se do të procedojë me dërgimin e emrit të mandatarit te presidentja e vendit.

Por, Osmani ka thënë se ekipi i saj ligjor është duke bërë analizën lidhur me procesin e konstituimit të Kuvendit të Kosovës, ndërsa pas takimit të parë me Bashën që pati dhe pastaj me dy ambasadorët, ajo dha zotimin se  “gjithmonë, do të veprojë në përputhje të plotë me Kushtetutën dhe ligjet në fuqi, duke garantuar stabilitetin institucional dhe respektimin e vullnetit të qytetarëve të Kosovës”.