Konsiderohet “fenomen”, tenistja britanike ndërron sërish trajner - Gazeta Express
string(62) "konsiderohet-fenomen-tenistja-britanike-nderron-serish-trajner"

Sport

Gazeta Express

10/11/2021 22:47

Konsiderohet “fenomen”, tenistja britanike ndërron sërish trajner

Sport

Gazeta Express

10/11/2021 22:47

Fituesja e turneut të sivjetshëm në US Open, Emma Raducanu, i beson të ardhmen trajnerit, Torben Beltz.

Tenistja, që dy muaj më parë çuditi botën duke triumfuar në Flushing Meadows në pjesëmarrjen e saj të dytë në një turne Slam, konsiderohet si një ndër tenistet më të talentuara në qarkullim, por, gjithsesi, pavarësisht suksesit të mrekullueshëm në New York, adoleshentja britanike ka ndryshuar disa trajnerë, duke mos bërë hopin cilësor që pritej prej saj.

Lexo Edhe:

Fillimisht tenistja me origjinë ballkanase befasoi jo pak, duke mos i rinovuar kontratën 47-vjeçarit britanik, Andrew Richardson, i cili pa dyshim ka një meritë të jashtëzakonshme, duke e shndërruar sportisten e lindur në Kanada në tenisten e parë në historinë e këtij sporti që ia del mbanë për të triumfuar në një nga katër turnetë e mëdhenj, pasi e nisi aventurën që nga faza e sfidave kualifikuese.

Në mënyrë të habitshme pasi i mundi tre kundërshtaret e saj në ndeshjet kualifikuese Emma Raducanu fitoi gjithashtu edhe shtatë sfidat e tjera në shortin kryesor, duke triumfuar në fund në Qendrën Tenistike Kombëtare të Shteteve të Bashkuara Billie Jean King, me plot 10 fitore pa humbur qoftë edhe një set të vetëm. Pas trajnerit Andrew Richardson, tenistja e lindur në Ontario emëroi ish-numrin 1 të tenisit britanik, 59-vjeçarin Jeremy Bates, megjithatë në vazhdim Raducanu humbi 3 nga 5 takimet pas Slam-it Njujorkez, më saktë në Indian Wells, Cluj dhe Linz, duke ndërprerë në këtë mënyrë shpejt edhe bashkëpunimin me bashkëkombasin e saj.

Disfatën e fundit dhe të dytën radhazi tenistja britanike e pësoi pikërisht javën e kaluar në Austri, që në takimin e saj të parë në fazën e 1/8, ku Raducanu gjithsesi pati probleme fizike dhe u eliminua pas humbjes 7-5 në setin final, me numrin 106 të botës, 20-vjeçaren kineze Wang Xinyu. Më herët tenistja me babanë nga Rumania dhe nënën nga Kina u poshtërua në Transilvani, ku Raducanu u mund thellë 6-1, 6-2 nga sportistja ukrainase Marta Kostyuk, sidoqoftë tani tenistja me origjinë ballkanase vendosi t’i besojë të ardhmen trajnerit Torben Beltz.

Trajneri gjerman, i cili do të mbushë 45 vjeç në fundin e këtij muaji, është i famshëm për bashkëpunimin me bashkëkombasen e tij, Angelique Kerber, që kulmoi me sukseset e jashtëzakonshme të tenistes me origjinë polake në Australian Open dhe US Open, në vitin 2016. Beltz do të fillojë ta stërvisë tenisten britanike në fundin e këtij muaji, kur Raducanu do të nisë edhe fazën përgatitore për sezonin e ardhshëm.

Ndonëse vetëm 18 vjeçe, falë edhe suksesit të jashtëzakonshëm në US Open, që e shndërroi sportisten adoleshente në tenisten e parë britanike që triumfon në një turne Slam, që nga fitorja e Virginia Wade në vitin e largët 1977, gjatë vitit 2021 Emma Raducanu ka grumbulluar plot 2.627, duke e mbyllur sezonin në vendin e 20-të, në renditjen e përgjithshme botërore. /SS/