Presidentja Vjosa Osmani u përshëndet ngrohtësisht me Rifat Jasharin, vëllain e komandantit simbol të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Adem Jasharit, pak para nisjes së seancës solemne për Epopenë e UÇK-së.
Kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje për president të vendit dhe presidentja aktuale i shtrënguan duart shkurtimisht, pasi Glauk Konjufca u afrua te Vjosa Osmani.
Edhe kryeparlamentarja Albulena Haxhiu e përshëndeti Osmanin.
Lëvizja Vetëvendosje dje e hodhi poshtë zyrtarisht mundësinë që ta mbështesë Osmanin për presidente edhe për një mandat, të cilin ajo po e kërkon.
Në vend të kësaj, partia e Albin Kurtit vendosi që ta kandidojë Glauk Konjufcën për president.
Afati kushtetues për zgjedhjen e presidentit të ri të vendit skadon sot, më 5 mars, në mesnatë.
Për t’u thirrur seanca e Kuvendit për zgjedhjen e presidentit, nevojitet edhe një kandidat tjetër.
LVV-ja ka kërkuar që kandidati tjetër të vijë nga opozita, por partitë opozitare kanë thënë se refuzojnë të hyjnë në garë me një rezultat të paracaktuar. Kjo do të bënte që kandidati i LVV-së të zgjidhej president në rundin e tretë të votimit, meqenëse partia e Kurtit e ka në Kuvend shumicën prej 61 votave që nevojitet në atë rast.
Shefja e grupit parlamentar të LVV-së, Arbërie Nagavci tha mbrëmë se i kishin ofruar Osmanit nënshkrimet për të kandiduar, por se ajo kishte refuzuar.
Nga Presidenca thanë se Osmanit iu ofrua vetëm mundësia që “të hyjë në garë vec sa per formalitet”, por jo përkrahja, e cila në këtë rast është zhvendosur te Konjufca.