Kryediplomati i Kosovës, Glauk Konjufca foli për “bashkëpunim me forcat tjera politike” për zgjedhjen e Presidentit.
I pyetur për emrin e Vjosa Osmanit, Konjufca tha se janë bindur se “nuk ka mundësi” që ta marrin edhe “votën e garantuar të opozitës” duke propozuar një “emër të njëanshëm”.
“Kësaj radhe – unë nuk po flas me emra të partive politike, se nuk është vendi këtu, por po flas me konceptet e mazhorancës në Kuvend të Republikës së Kosovës – ajo mazhorancë që është prej 66 numrave, ne jemi bindë që nuk ka mundësi përmes një emri që propozohet, një emri të njëanshëm, ta marrim edhe votën e garantuar të opozitës për t’i bërë 80 vota. Ky është konstatimi i mazhorancës. Nuk po them që është absolut, sepse gjëra absolute në politikë nuk ka. Ka të përafërta. Pra, me përafërsi, ky është konkludimi i mazhorancës. Ndoshta e kemi gabim, ndoshta e kemi mirë, por ky është konkludimi. Pra, konkludimi është që përmes një emri të përveçëm ne mos me e mbështetë për muri opozitën, me thënë ‘ky është dhe këtë duhet ta votoni'”, tha ai.
Konjufca në një konferencë për media pas takimit me kryediplomaten e Shqipërisë, Elisa Spiropali, e quajti “lajm të mirë për vendin” dhe “pjekuri të re” faktin që krerët e partive politike po flasin me njëri-tjetrin për çështjen e Presidentit.
Ai tha se ka pasur përpjekje të sinqerta në këtë drejtim.
Konjufca tha se emri i tij nuk është shtruar si opsion për president.
“A jam unë opsion? Jo unë mendoj që nuk është folë, nuk është shtruar në këtë kontekst. Po ta kishte qasjen mazhoranca që do ta propozonte një president të Lëvizjes Vetëvendosje, unë mendoj që ajo është pikërisht ajo që thashë në fillim po duam ta shmangim. Se kjo është me e qitë opozitën para aktit të kryer. Ky nuk është qëllimi kësaj radhe i mazhorancës. Prandaj kemi vepruar në tjetër mënyrë. Këto janë koordinatat në të cilat po veprojmë”, tha ai.