Mandatari për kryeministër, Glauk Konjufca ka hedhur votën e tij, ndërsa u ka bërë thirrje edhe qytetarëve që ta bëjnë të njëjtën gjë.
Ai tha se duhet votuar, në mënyrë që siç u shpreh, qytetarët të bëhen bashkëpjesëmarrës në ndërtimin e demokracisë.
Konjufca foli edhe për gjasat që ta formojë qeverinë e re me të si kryeministër.
“Nuk e di saktë, me probabilitet e përqindje, sa i kam gjasat të bëhem kryeministër, por unë mendoj se Kosova do ta ketë një qeveri. Por në fund të fundit, mendoj se kjo nuk varet krejtësisht nga Lëvizja Vetëvendosje. Kësaj radhe, zgjedhjen se do të kemi një qeveri të re apo do të shkojmë në zgjedhje, e kanë krejtësisht në dorë partitë që po ju themi opozitare. Është zgjedhja e tyre”.
“Ne e kemi në dorë për ta propozuar qeverinë, mandatarin e dytë, dhe në këtë rast unë u propozova nga Këshilli i Përgjithshëm dhe kryeministri Kurti. Presidentja më mandatoi, dhe kabineti im do të dalë në seancë kur ne ta vendosim ditën e saktë, e pastaj, nëse do të votohemi apo jo, këtë e kanë në dorë deputetët e partive të tjera, meqenëse ju e dinë që deri më tash nuk kanë qenë më shumë se 56 apo 57 vota”, tha Konjufca para mediave.