Konjufca në Tiranë tregoi për “presionin që po i bëhet Kurtit dhe mbylljen e Qeverisë” - Gazeta Express
string(84) "konjufca-ne-tirane-tregoi-per-presionin-qe-po-i-behet-kurtit-dhe-mbylljen-e-qeverise"

Konjufca në Tiranë tregoi për “presionin që po i bëhet Kurtit dhe mbylljen e Qeverisë”

Lajme

Gazeta Express

21/09/2022 13:48

Deklarata e kryekuvendarit Glauk Konjufca dje në Tiranë se Kosovën e pret përpara një proces i vështirë dialogu me Serbinë lë të nënkuptohet se kryeministri Kurti është nën presion serioz nga fuqitë perëndimore për të ofruar pjesën e saj të kompromisit. Kështu i tha Gazetës Express profesori i Filozofisë Politike, Blerim Latifi kur u pyet se në çka aludoi numri dy i Vetëvendosjes.

Konjfuca dje në vizitën zyrtare të tij në Tiranë tha se Kosova dhe Shqipëria duhet të jenë brenda një kornize sa i përket qasjes ndaj Serbisë.

Lexo Edhe:

“Republika e Kosovës e ka një proces të vështirë përpara, i cili është relacioni me shtetin serb. Serbia e Aleksandër Vuçiçit nuk ka ndryshuar në drejtim politik, por vetëm ka ndryshuar mjetet prej kohës së Millosheviçit. Serbia, duhet të dijë çdo shqiptarë se është shumë armiqësore ndaj Kosovës, këtë nuk e kemi zgjedhur ne, por elita udhëheqëse shtetërore serbe, e cila mohon pavarësisë dhe lufton atë me çdo mjet që e ka në dorë” tha ai.

“Procesi i vështirë” nuk është përmendur asnjëherë prej dy drejtuesve të shtetit Kurti e Osmanit edhe pse vendi ndodhet në një fazë të intensifikuar të bisedimeve me Serbinë.

Konjufca është i pari që e bëri këtë. Ai në kryeqytetin shqiptar kërkoi që edhe Shqipëria të jetë në anën e Kosovës apo në një “kornizë” të përbashkët, duke e përdorur një fjali që është në modë ditëve të fundit e që i referohet dialogut.

“ Tash së fundmi, kur po bëheshin përpjekjet për realizimi e marrëveshjes së dokumenteve, presidenti serb, Vuçiq nuk heziton fare për të sfiduar kornizën e sigurisë në Ballkan dhe Evropë, përmes kërcënimit të Kosovës dhe dërgimit të trupave të armatosur brenda territorit të Kosovës. Ne dëshirojmë gjithmonë që me Shqipërinë të jemi brenda një kornize dhe frekuencave të njëjta sa i përket gjykimit të veprimtarisë së Serbisë në Kosovë dhe brenda saj”, ka thënë ai pas takimit me homologen Nikolla.

Profesori i Filozofisë Politike, Blerim Latifi, vlerëson se deklarata e Konjufcës nuk thotë diçka të re, pasi negociatat me Serbinë janë të vështira me faktin se bën çmos për ta dëmtuar konsolidimin e shtetit të Kosovës.

“Konsideroj se deklarata e Konjufcës nuk na thotë ndonjë gjë të re, për faktin se, në njërën anë, ajo është shumë e përgjithshme, nuk i specifikon situatat, dhe, në anën tjetër, për faktin se të gjithë e dimë se nuk ka negociatë me Serbinë e cila të mos jetë e vështirë. Nuk ka dialog të lehtë më një shtet i cili nuk të njeh dhe njëkohësisht bën gjithçka që ka në dorë për të ta dëmtuar konsolidimin e shtetit”, tha ai në një përgjigje për Express.

Megjithatë Latifi konsideron se deklarat e Konjufcës lidhet me mostransparencën e qeverisë në raport me dialogun posaqërisht vizitës së dy këshilltarëve të lartë të Macron dhe Scholz.

Ai deklaron se qeveria e Kosovës është në presion serioz sa i përket ofrimit të pjesës së saj të kompromisit.

“A kanë lëvizur gjërat për të gjetur një formulë kompromisi e cila do të ishte më pak se autonomia e kërkuar nga serbët dhe më shumë se asociacioni i ofruar nga qeveria e Kosovës? Nuk e dimë, sepse vizitat e fundit të emisarëve perëndimorë në Prishtinë e Beograd kanë qenë të mbyllura për publikun, por edhe qeveria e Kosovës nuk ka qenë mjaftueshëm transparente në këtë drejtim.  Mbyllja megjithatë na jep të kuptojmë se është duke u zhvilluar një proces serioz negociimi midis palëve, larg syve të publikut. Po ashtu konsideroj se qeveria e Kosovës është nën presion serioz për të ofruar pjesën e saj të kompromisit. Mbase deklarata e Konjufcës i referohet kësaj situate”, tha ai.

Njohësi i çështjeve politike u shpreh se kur pala ulet në tavolinë nënkupton edhe pajtimin rreth një zgjidhje që e pasqyron një kompromis.

“A do të ketë kompromis? Sigurisht kur ti pranon të futesh në një proces negociator, kjo logjikisht nënkupton se ke shprehur vullnetin që në një fazë të caktuar të këtij procesi të jesh i gatshëm për t’u pajtuar rreth një zgjidhje që pasqyron një kompromis mes palëve.  Kur është puna tek Asociacioni kam përshtypjen se tek qeveria e Kosovës ka një hezitim tepër të madh për të folur publikisht rreth tij.  Serbët po kërkojnë një asociacion me elemente të një autonomie për ta brenda Kosovës, ndërsa qeveria e Kosovës ende qëndron në pozicionin për një asociacioni të ngjashëm me Asociacionin e Komunave të Kosovës, i cili nuk do të ketë fuqi ekzekutive politike. Pra të dy palët janë larg njëra tjetrës në këtë drejtim”, tha Latifi