Eugen Cakolli nga KDI ka sqaruar hapat që pasojnë tash pas mandatarit të dytë për kryeministër, Glauk Konjufca, i propozuar nga Lëvizja Vetëvendosje, për formimin e qeverisë.
Ai tha se mandatari i ri për kryeministër ka afat deri më 19 nëntor për ta paraqitur në Kuvend kabinetin dhe programin qeverisës, si dhe për të siguruar të paktën 61 vota për miratim. Nëse deri atëherë nuk arrihet votimi me sukses, më 20 nëntor Presidentja e Kosovës duhet ta shpërndajë Kuvendin, duke hapur rrugën për zgjedhje të reja.
Sipas tij, Kushtetuta përcakton që zgjedhjet duhet të mbahen jo më vonë se 40 ditë pas shpalljes së tyre, ndërsa Ligji për Zgjedhjet i jep Presidentes deri në 10 ditë kohë për ta shpallur datën nga momenti i shpërndarjes së Kuvendit.
Në bazë të këtyre afateve, Cakolli thotë se datat më të mundshme për zgjedhjet janë 21 ose 28 dhjetori.
“Megjithatë, nëse procesi dështon më herët, ato mund të mbahen edhe më 14 dhjetor, ndërsa në rast të vonesës në shpalljen e datës, zgjedhjet mund të shtyhen deri më 4 janar”.