Pas dështimit për ta arritur marrëveshje me partitë opozitare, Lëvizja Vetëvendosje ka propozuar emrin e Glauk Konjufcës si kandidat të partisë për president, shkruan Gazeta Express.
Në njoftimin për propozimin e Konjufcës, Lëvizja Vetëvendosje ka shprehur gatishmëri që t’iu ndihmojë partive opozitare për mbledhjen e 30 nënshkrimeve në mënyrë që të propozojnë një kandidat.
“Në të njëjtën kohë, i ftojmë edhe njëherë subjektet opozitare që të propozojnë një kandidat. Nëse u nevojiten nënshkrime plotësuese ne ju ndihmojmë nga grupi ynë parlamentar”, ka njoftuar LVV.
Në seancën për president duhet të jenë të paktën dy emra të propozuar për president për t’i nisur procedurat e votimit.
Lidhja Demokratike e Kosovës ka reaguar përmes një komunikate për media pasi LVV ka propozuar Konjufcën, duke e quajtur veprimin e LVV-së si të papërgjegjshëm dhe si veprim që çon vendin drejt zgjedhjeve.
Më 28 mars 2011, Gjykata Kushtetuese e Kosovës kishte rrëzuar zgjedhjen e Behgjet Pacollit si president, pasi votimi nuk u bë me dy kandidatë dhe mungoi kuorumi i nevojshëm.