Glauk Konjufca, më i neutralizuar politikisht, vendosi t’i jepte Isa Mustafës atë që, sipas tij, i takonte – meritat për një letër që e kishte siguruar për Asociacionin nga Përfaqësuesja e Lartë, Federica Mogherini. Por, jo të gjithë në LV janë të gatshëm që të kalojnë nga akuzat për tradhti që ia bënin ish-Kryeministrit, te përgëzimi i tij. Besnik Bislimi nga Brukseli i ka lënë faje Mustafës, duke thënë se Serbia do atë që ai ia ka dhënë përmes marrëveshjes së Asociacionit.
Gazeta Express
Lëvizja Vetëvendosje drejtonte demonstrata ku ish-Kryeministri Isa Mustafa akuzohej për tradhti. Zyrtarët e LV-së nuk ishin kursyer në sulmet ndaj tij, deri kur donin të bënin koalicion me të, si kryetar i LDK-së. Është i njohur kalimi i Kryeministrit Albin Kurti dhe ndjekësve të tij partiakë në faqen tjetër, ku ish-Kryeministri u nderua si Profesor, përkohësisht.
Mustafa, sipas LV-së, ishte fajtor për shumëçka, por më së shumti për marrëveshjen për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe. Tani, që pushteti i drejtuar nga Kurti po negocion me Serbinë për ta formuar Asociacionin, Kryeparlamentari Glauk Konjufca tha se po e përdorin një letër të ish-Përfaqësueses së Lartë të BE-së, Federica Mogherinit. Meritat për sigurimin e kësaj letre, Konjufca ia dha ish-Kryeministrit Mustafa.
“Na u është dukur një siguresë e mirë….Nëse keni një qeveri të fuqishme mundeni me përdor atë letër, nëse e ke të dobët e gjuan në mbeturina. Varet qysh e koncepton. Ne sot e përdorim, por nuk e përjashtoj që edhe qeveria Mustafa e ka përdor. Nuk thash kurrgjë. Nëse e ka nxjerrë me shumë mundim atë letër, bravo i qoftë ia jap dorën. Qe dora. Se neve sot po na ndihmon”, tha Konjufca.
Kryeparlamentari në këto dy vjet ka marrë rolin e “Presidentit”, duke u bërë për opozitën figura më e pranuar e pushtetit. Ndryshe prej bashkëpartiakëve të tij dhe Presidentes Vjosa Osmani, që edhe më tutje akuzojnë pushtetet e kaluara për çdo gjë, Konjufca duket se nuk shkon në linjën e njëjtë.
Ish-kryeministri Mustafa, ndërkaq, ka thënë se “është me rendësi” që disa prej të LV-së, sidomos Konjufca, e kanë kuptuar çështjen dhe se “nuk është e lehtë të thuhet dhe të pranohet e vërteta”.
Por, jo e gjithë LV-ja do që ish-Kryeministrit që e kanë sulmuar t’i jepen tash merita në lidhje me Asociacionin. Pas takimit të radhës mes Kosovës dhe Serbinë në Bruksel, Zëvendëskryeministri Besnik Bislimi shënjestroi enkas Mustafën. Ai tha se Serbia po e përdor vetëm atë që “ka marrë” nga ish-Kryeministri i Kosovës dhe do vetëm Asociacionin, sipas marrëveshjes me të.
“Nga pala serbe është thënë sot se atyre nuk iu intereson Kushtetuta e Kosovës, nuk i intereson as letra e Mogherini-t, iu intereson vetëm ajo që kanë marrë nga z. Isa Mustafa në vitin 2015 dhe z. Petkoviq edhe i lexonte atë se çka kanë marrë nga z. Mustafa në vitin 2015, thoshte që kështu e duam ne Asociacionin”, thuhet në deklaratën e Bislimit, që e ka shpërndarë Kryeministria.
Letra e Mogherinit është kthyer në një fakt të rëndësishëm të LV-së së fundmi. E njëjta letër ka ekzistuar edhe më herët, kur LV-ja ka kundërshtuar pranimin e Asociacionit. Por, deputetja Fitore Pacolli ka thënë ditë më parë se nuk kanë ditur për ekzistencën e saj.
Në vitin 2020, Mustafa e kishte shpërndarë atë letër, të cilën tregonte se e kishte marrë një ditë para se të nënshkruhej marrëveshja për Asociacionin. Aty i garantohej Kosovës se nuk do të kishte Asociacion me kompetenca ekzekutive.
“Më 24 gusht të vitit 2015, një ditë para nënshkrimit të Marrëveshjes mbi Parimet e Përgjithshme/Elementet Kryesore të Asociacionit, nga Përfaqësuesja e Lartë e BE-së, Frederica Mogherini e kam pranuar letrën me këtë përmbajtje: ‘Në kontekstin e diskutimit tonë për themelimin e Asociacioni/ Bashkësisë së Komunave me Shumicë Serbe, dua të konfirmoj se është kuptim i BE-së, se Asociacioni/Bashkësia – në harmoni me Marrëveshjen e Parë dhe ligjet e Kosovës – nuk do të konstituohet si nivel i tretë i qeverisjes dhe nuk do ketë fuqi ekzekutive. BE, në ushtrimin e rolit të tij si fascilitator i dialogut Prishtinë-Beograd do të vazhdojë të monitorojë respektimin dhe implementimin nga të dy palët të Marrëveshjes së Parë dhe marrëveshjeve të tjera të arritura në dialog’”, kishte shkruar Mustafa.
Kosova dhe Serbia kanë arritur Marrëveshjen Bazë për normalizimin e raporteve, në shkurt të këtij viti. Më pas, kanë pranuar e Planin e Zbatimit të saj, më 18 mars, në Ohër. Përmes asaj marrëveshje është pranuar zbatimi i marrëveshjes së mëhershme për formimin e Asociacionit.
Kryeministri Kurti dhe Presidenti serb, Aleksandër Vuçiq janë takuar në fillim të majit, ku është prezantuar draft-Statuti i parë i Asociacionit nga një Ekip Menaxhues i përbërë prej katër serbëve, të cilim, Kurti nuk e ka pranuar. /Express/